Nga Ben Andoni
Shprehja origjinale i takon Herman Melville, kur tha se: “Jeta është më e çuditshme sesa trillimi”. Mjeshtri i trillit e dinte mirë kuptimin dhe ndaj i zuri vend si shprehje, paçka se kolegu i tij Italo Svevo e kishte përshtatur pothuajse njësoj: “Besoj se jeta është shumë më origjinale sesa ajo që jam unë në gjendje të trilloj”. Kjo mbresë trilli ishte e gjallë në orët e fundit pas Kongresit lëbyrës të Socialistëve, që i mungon numri. Pak njerëz veç atyre të lidhur ngushtësisht me organizimin e PS-së mund ta thonë qartë se cili kongres ishte ky për Socialistët. Aman, si në çdo kongres të të Majtëve, u fol për plane të mëdha: Korridorin Blu (sa shumë vite flitet për të); pistën e Formula 1 (Janë një duzinë syresh, që flenë në Evropë); turizmin dhe numrat e pamatë (por ky vit turistik na zbërtheu brinjët me menaxhimin dhe jo vetëm); integrimin në Evropë në vitin 2030 (përveç Michel që e shpalli në Tiranë, po mbetet cak i paarritshëm edhe për Serbinë e Malin e Zi, ndërsa ne ende nuk e kemi hapur Mbledhjen e Dytë Ndërqeveritare !!!) dhe shumë elementë të tjerë. Në fakt, Kongresit, i mungonte një element “i thjeshtë” dhe kjo po i ndodh gjithnjë e më shumë demokracive sot, me inerci nga modeli i demokracisë amerikane vetë bajagi e plagosur: Premtimet dhe projeksionet e politikanëve të sotëm bëhen për dy deri në tre mandate ndërsa demokracia të kufizon me detyrimet brenda katër viteve të një mandati. Projeksioni i socialistëve të Ramës duhet të masë mirë ofertën e vitit 2025, që ata duhet të bëjnë pas këtij niveli korrupsioni dhe kësaj djerre të publikut shqiptar të moshave më të mira, që po largohen për të mos u kthyer më kurrë. Duhet të japësh llogari, pra, para se të projektosh ëndrra. Komisioni Evropian na uli në tokë, kur cilësoi në raportin e vet ‘Shqipëria -Screening 2023’ se: Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha degët e pushtetit qendror dhe atij lokal dhe përbën një shqetësim serioz në rrugën e saj drejt hyrjes në BE. E drejta e pronës edhe pse e sanksionuar në Kushtetutë për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të Shqipërisë mbetet ende në letër, e parealizuar në praktikë. Ndërsa shifrat zyrtare ishin të hidhura: 7 mijë kërkesa të pashqyrtuara për kthimin e pronës tek pronarët dhe 4 mijë vendime të pazbatuara të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku qytetarët e Shqipërisë kanë ҫuar ҫështjet e tyre të pronës, kur gjykatat vendase me vendimet e tyre kanë shkelur të drejtën e pronësisë. Rreth 500 mijë prona figurojnë te paregjistruara dhe 80 përqind e të dhënave për pronat e regjistruara janë të pasakta (DW, 2024).
Shqipëria, në fakt, ka shënuar përmirësim të lehtë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023, sipas raportit të fundit të Transparency International. Vendi ynë vlerësohet me 37 pikë nga 36 pikë një vit më parë, duke u renditur i 98-ti mes 180 vendeve (Monitor, 2024). Megjithëse raporti përcakton se: “Vendimi për krijimin e një ministrie të re të ngarkuar me luftën kundër korrupsionit vjen me pritshmërinë e mekanizmave efektivë të integritetit. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe organizatat e shoqërisë civile dhe mediat mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet në raport. Më pak fjalë, Shqipëria lë pas vetëm Serbinë, e cila renditet në vendin e 104, me 36 pikë, duke mos pasur përmirësim për të dytin vit radhazi. Ndërkohë që të dhënat e UNICEF-it për varfërinë ushqimore të fëmijëve në Shqipëri ishin alarmante. Botimi i fundit “Varfëria ushqimore në fëmijërinë e hershme” tregonte se Shqipëria ka 18% të fëmijëve poshtë 5 vjeç të privuar rëndë nga dieta ushqimore dhe 29% e fëmijëve të gjendur në varfëri të moderuar (Total 47%). UNICEF kategorizon si privim të rëndë ushqimor fëmijët që ushqehen me dy ose me pak lloje ushqimesh në ditë, ndërsa me varfëri të moderuar ato që ushqehen me më pak se 4 lloje ushqimesh. E përkthyer, krahasimi global i UNICEF tregonte se Shqipëria mbarte përqindjen më të lartë të fëmijëve që jetojnë në varfëri në Evropë dhe Azinë Qendrore, pas Taxhikistanit.
Atëherë për çfarë duhet të votojë shqiptari i thjeshtë dhe pse duhet të jetë i angazhuar në demokraci? Pse nga 800 mijë votues të sigurt, siç Rama saktësoi në Kongresin e fundit, PS u kërkon kongresistëve deri në 1 milion votues?
Demokracia identifikohet me një prurje përshtatjesh institucionale si zgjedhjet, parlamenti, media e lirë, ashtu si ndarjen e pushteteve midis Ekzekutivit, Legjislativit dhe Gjyqësorit dhe kërkesës për forcimin e tyre. Për fatin e keq, këto institucione nuk mundën të bëjnë dot një frymë demokratike dhe nuk e realizuan dot mbështetjen e një kulture demokratike në të cilën ka transparencë, respekt dhe njohje të drejtave së të gjithë qytetarëve. Tek ne vetëm flitet për projeksione të jashtëzakonshme nga Rama & Co, por harrojmë se qytetari i thjeshtë mbijeton dhe ndërkohë që i duhet të jetë pjesë e kësaj kulture demokratike, që nuk mund ta kenë vetëm përfaqësuesit e zgjedhur. Politika po mbetet një trillim, ndërsa e vërteta është krejt tjetër. Deputetët, qysh pas vitit 2008, janë shtojca të kryetarëve të dy partive kryesore dhe asgjë më shumë. Ndërkohë me transparencën që të ofron Rama (nuk e dinin as ata që u caktuan në Kongres si ministra apo ata që u larguan) dhe Berisha nga ana tjetër, ky element mungon, ashtu si mungojnë peticionet dhe referendumet popullore, që duhet të kërkojnë llogari nga qeveria, e cila është fare indiferente. Mbi të gjitha, në demokraci publiku duhet të jetë gjithnjë në aksion demokratik. Pas zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA, kur Trump u mund, Obama pasi falënderoi votuesit për votën, vullnetarizmin dhe organizimin gjatë zgjedhjeve me fjalët: “Përpjekjet tuaja bënë ndryshim. Shijojeni këtë moment”, ai vazhdoi duke thënë: “Atëherë qëndroni të angazhuar. E di që mund të jetë rraskapitëse. Por që kjo demokraci të qëndrojë, kërkon qytetarinë tonë aktive dhe fokus të qëndrueshëm në çështjet – jo vetëm në sezonin zgjedhor, por gjatë gjithë ditëve në mes” (Banerjee, 2024). Po a është e tillë demokracia shqiptare? Ne mobilizohemi vetëm në kohën zgjedhore, pasi pastaj mendimi jonë i zgjedhësit është gati nul. Të paktën Rama e vërtetoi në Kongres për një pjesë indiferente të deputetëve të tij, por të njëjtën gjë e bëjnë në kampin tjetër të opozitës, ku tashmë ka nisur pjesa e protagonizmit të listave të mbyllura. Ndërkohë që aktivitetet e PS dhe PD trillojnë për demokraci, rezultate anti-korrupsion dhe pastërti e dinjitet, e vërteta është e hidhur: Të dhënat e FMN-së tregojnë se Shqipëria dhe Kosova vijojnë të mbeten të fundit në Evropë në treguesin e të ardhurave për frymë të matur sipas barazisë së fuqisë blerëse në dollarë ndërkombëtarë. Ndaj, pas Kongresit, Shqipëria me projeksionet e Formula 1 duket më “origjinale” sesa vetë trillimi. (Homo Albanicus)