Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se sulmi me dronë detarë ndaj mjeteve ruse në brigjet e Libisë është kryer nga forcat ukrainase. Në një postim në rrjetin social X, ai ka zbuluar detaje nga operacioni, duke bërë të ditur se në të u përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë.
Sipas Zelenskyt, objektivat e përcaktuara u arritën, ndërsa gjatë sulmit u fundos korveta ruse me raketa “Merkury”, një prej anijeve më të reja të flotës ruse, e cila ishte vënë në shërbim në vitin 2023.Ndërkohë, imazhet satelitore të publikuara pas sulmit kanë treguar dëme të rënda në korvetën “Merkury”, e cila rezulton e përmbysur dhe pjesërisht e fundosur.
“Objektivat që kishim përcaktuar u arritën”, shkroi presidenti ukrainas, duke falënderuar Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës dhe forcat e tjera të mbrojtjes që morën pjesë në operacion.
Presidenti ukrainas pretendon gjithashtu se bashkë me korvetën u shkatërrua edhe një helikopter luftarak i tipit Ka-27, ndërsa u godit edhe anija transportuese “MV Angara”, që sipas tij përdorej nga Rusia për transportin e armëve.
“Gjithçka ndodhi në brigjet e Libisë. Luftëtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë”, shkroi Zelensky
Konfirmimi i presidentit ukrainas vjen pas raportimeve ndërkombëtare për goditjen e korvetës ruse në portin e Bengazit. Ngjarja kishte ngritur pikëpyetje edhe për origjinën e dronëve detarë, ndërsa disa raportime pretendonin se ata mund të ishin nisur nga territori shqiptar, pretendime që janë mohuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, presidenti theksoi se Ukraina do të vijojë operacionet në zonat e përcaktuara dhe do të vazhdojë zhvillimin e armëve vendase në përgjigje të agresionit rus.
“Ne po i përgjigjemi agresionit të Rusisë. Po zhvillojmë armët ukrainase. Lavdi Ukrainës!”, përfundoi Zelensky.










