Vajzën ma vrau ish-dhëndri në Greqi, nuk ishte vetëvrasje. Këtë e ka nxjerrë edhe ekspertiza mjeko-ligjore në Greqi. Ka pasur vdekje të parakohshme”. Kështu deklaroi Gjergji Llupo, i cili kërkon rihapjen e çështjes dhe ndëshkimin e autorit të krimit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 63-vjeçari nga Lushnja tregon se do ta çojë çështjen në Strasburg, ose do të detyrohet të bëjë vetëgjyqësi.
Më datë 17:12:2000 Esmerina Llupo, në atë kohë vetëm 18 vjeçe u gjet e varur nga bashkëshorti i saj, Thanor Kadillari në magazinën që ata përdornin si banesë në Greqi.
Për këtë krim, i ati i vajzës akuzoi dhëndrin se ishte vrasësi i të bijës. Në përfundim të hetimit, prokurori kërkoi deklarimin fajtor të Kadillarit dhe dënimin e tij me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes”, ndërsa gjykatat e shpallën atë të pafajshëm.
Zoti Gjergji, vajza juaj ka ndërruar jetë në vitin 2000 në Greqi dhe ju keni akuzuar për vrasje ish-dhëndrin tuaj. Pse pas kaq shumë vitesh po riktheheni sërish në dyert e gjykatave?
Unë kërkoj që çështja e vajzës sime të rihapet edhe një herë, sepse të tria shkallët e gjykatës janë tallur me fatkeqësinë time. Gjyqi është bërë formal dhe qesharak, ku raportet dhe ekspertiza mjeko-ligjore e Greqisë jep thyerje dhe fraktura të parakrahut të dorës së majtë dhe gishtit të katërt të po kësaj dore, si dhe shqyerje, mavijosje të trupit, kofshët kanë prerje të tërthorta dhe të gjitha këto kanë ndodhur 5-6 ditë para vdekjes. Po sipas ekspertëve grekë ka dalë se vajza është keqtrajtuar edhe në ushqim. Ka pasur zorrë të thara, stomak të përkeqësuar. Këto raporte nuk kanë dalë në gjyq, por janë marrë vetëm me thashetheme. Faktet kanë qëndruar vetëm në prokurori. Edhe prokurori që ka pasur dosjen nuk ka vepruar ashtu siç duhet, edhe gjyqtari nuk i zbërtheu raportet. Janë 8 fotografi me pamje të ndryshme të ardhura nga Greqia dhe këto nuk kanë dalë në gjyq. Sepse nëse të gjitha këto fakte do të kishin dalë, atëherë do të dilte e vërteta e ngjarjes. Unë kërkoj që të rindërtohet ngjarja që në shtetin grek dhe çështja t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda, sepse as Gjykata e Lushnjës, as Apeli dhe as Gjykata e Lartë nuk e kanë zbardhur ngjarjen.
Kur ka shkuar vajza juaj në Greqi? A ka qenë e pajisur me dokumente qëndrimi në vendin fqinj?
Esmerina iku në Greqi gati një vit para se të ndodhte ngjarja. U martua dhe burri e mori shpejt e shpejt me vete. Vajza nuk ka pasur asnjë lloj dokumenti. Madje, një herë ishte kapur nga policia dhe e kishin lënë sërish të qëndronte atje, nuk e kthyen. Kur kam biseduar me kunatën e vajzës, më ka thënë të mos bëhesha merak, sepse vëllezërit e saj e kishin mirë me shefin e policisë në Greqi dhe nuk i gjente asgjë. Madje, asnjëri prej vëllezërve dhe motra e ish-dhëndrit nuk kishin letra qëndrimi në Greqi. Asnjëherë nuk e kam kuptuar miqësinë që kanë pasur ata. Mos vallë ata, ish-dhëndri, policia dhe pronari kanë përdorur vajzën time për gjëra të pista?
Ku punonte vajza juaj?
Punonte në një serë lulesh. Atje punonte me kunatat e saja. Vetëm vajza dhe ish-dhëndri jetonin në një magazinë, ndërsa vëllezërit dhe kunatat e tij në shtëpinë e grekut.
Bisedonit shpesh me vajzën? Ju ka treguar për ndonjë problem që kishte me bashkëshortin ose me pronarin?
Flisja me vajzën një herë në 10 ditë kur e merrja unë me aq mundësi sa kisha, sepse ata nuk më telefononin asnjëherë. E merrja tek telefoni i pronarit që u kishte lënë në punë. Vajza nuk më tregonte dot gjë, sepse sa herë që unë e telefonoja, më dilte gjithmonë kunata e vajzës dhe i qëndronte aty deri në fund. Unë mendoja se vajzën ma kontrollonin dhe fakti doli në gjykim e sipër, ku kunata e vajzës e pranoi se telefonin e punës e përdorte vetëm ajo, sepse ishte person i besueshëm i pronarit. Në atë moment gjyqtari i ka thënë: “Pusho moj budallaqe se bie brenda”.
A keni shkuar në Greqi për të parë vendin e ngjarjes?
Jo, unë nuk kam shkuar, por andej jeton daja i vajzës. Ai është marrë në pyetje dhe ka treguar se çfarë kishte parë në vendin e ngjarjes në Greqi. Gjykata nuk i mori për bazë, por i thoshte “ku i di ti këto”. Kur daja i vajzës kërkohej në gjyq për të dëshmuar, ai ishte në Greqi dhe priste rinovimin e letrave, një oficer polici kishte deklaruar se kishte pyetur familjarët dhe daja i vajzës ndodhej në Itali. I kam kërkuar policit të më shpjegonte pse e tha këtë dhe më tha “ma kërkoi gjykata”. Drejtësia nuk ka dashur që ta zbardhë çështjen.
Ish-dhëndri juaj çfarë ka deklaruar?
Ish-dhëndri mungonte shpeshherë në gjyq. Madje, në një rast prokurori më ka thënë që të më jepte mua fletëthirrjen e të shkoja unë ta njoftoja për seancën tjetër. Kjo është e jashtëligjshme. Unë e kam ndjekur çështjen në çdo seancë, por prokuroria dhe gjykata janë tallur me mua. Shumë herë kanë dashur të më linin edhe jashtë.
Pse thoni se drejtësia është tallur me ju?
Sepse vrasja është pranuar në gjyq. Kur nuk po duroja dot më situatën që po më krijonin, jam ngritur në sallën e gjyqit dhe kam thënë të zbërthehen raportet, të dalin armët e krimit ose në të kundërt do ju vras dhe kam bërë sikur po nxirrja diçka nga pas, atëherë gjyqtari dhe avokati i ish-dhëndrit e detyruan atë të flasë. Ish-dhëndri deklaroi me gojën e tij “po, e vrava”. Në dosje nuk është shkruar asgjë çfarë foli ai, sepse ata ishin për mbyllje dhe jo për hapje të krimit. Sepse vajzën time e ka vrarë burri i saj dhe ish-dhëndri im.
Pse mendoni se e ka vrarë?
Kanë dashur ta shisnin. Doli më pas edhe fjala e ish-dhëndrit se “doja të shkoja në Itali, ajo nuk donte të vinte dhe ndodhi kjo gjë ndodhi”. Këtë ai e ka deklaruar në policinë greke. Unë e kam marrë vesh këtë me anë të miqve të mi, çdo gjë që ai ka deklaruar. Të gjitha i ka parë edhe daja i vajzës. Vdekja e vajzës sime është një vrasje e pastër.
Si e morët vesh se vajza nuk jetonte më?
Kanë ardhur dy kunetërit e ish-dhëndrit në orën 11 të natës. Na thanë vajza ka vdekur nga infarkti. Më pas doli se vajza ka bërë vetëvrasje. Thuhet se u var me rrip çante, por sipas mjekut, nuk ka qenë rrip çante, por rrip thesi i përgatitur vetë. Një psikologe në gjyq deklaroi se vajza ka bërë vetëvrasje si rezultat i depresionit, sepse është rritur me njerkë. Vajza nuk ka asnjë lloj sëmundje dhe nuk është vizituar asnjëherë. U mor edhe kartela dhe del e shëndetshme. Edhe pronari në Greqi ka deklaruar se vajza ka qenë e rregullt në punë dhe ka punuar çdo ditë.
Keni frikë nga pala tjetër pas rihapjes së çështjes?
Jo, fare. Do i shkoj çështjes deri në fund, sepse unë kërkoj drejtësi për vajzën time. Nuk i trembem askujt. Vendimi i fundit për çështjen ishte në 2009-ën. Dua t’i rikthehem çështjes, sepse po dëgjoj shumë për korrupsionin në drejtësi dhe unë mendoj se është bërë korrupsion në çështjen e vajzës sime. Unë jam arrestuar një herë nga policia në 2003-shin sikur ishte bërë një telefonatë nga një grua se unë do të vrisja mblesëtarin. Nuk më gjetën armë as në shtëpi dhe as me vete. Unë isha në pazar me gruan. Kur nuk më gjetën asnjë provë, më liruan. Unë mendoj se kjo ka qenë e sajuar, sepse kushëriri i parë i kriminelit, Tanor Kadillarit që është ish-dhëndri është në policinë gjyqësore. Ai na është bërë gjithmonë pengesë në çështje.
Cila është thirrja juaj ndaj autoriteteve shqiptare?
Unë i drejtohem Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme që të ndërhyjnë për zbardhjen e ngjarjes. Nëse nuk e gjej drejtësinë këtu, do shkoj deri në Strasburg, ose në të kundërt unë jam i detyruar të bëj vetëgjyqësi. Dua të ndëshkohet vrasësi.