Partizani pësoi humbjen e parë në këtë kampionat, i mundur 1-0 nga Skënderbeu në Korçë. Kapiteni Alban Hoxha thotë se skuadrës së tij i është ngrënë haku në Korçë.
“E vërtetë që ka polemika sa i përket gjykimit të ndeshjes, por unë jam kapiteni dhe nuk më takon të flas për arbitrin. Ju do i shihni vetë të gjitha. E nisëm lojën pak të trembur, megjithatë treguam që jemi pretendent për kampion. Pashë një Skënderbe që u tremb përballë nesh teksa synonin vetëm të largonin topin nga këmba. Kjo konfirmon se ne jemi pretendentë”, thotë portieri i të kuqve.
“Kishte pak nervozizëm, sidomos në fillim të ndeshjes. Por kjo stimulohet edhe nga vetë ndeshja, luanin dy skuadrat e para. Ekipi ndihet sikur i është ngrënë haku. Këtë gjë dëgjova të thuhej nga çunat në dhomat e zhveshjes. Sa i përket episodit të përplasjes me Salihin, është e qartë që ishte e paqëllimshme. Isha në kërcim dhe nuk pamë njërit tjetrin. I kërkova menjëherë ndjesë”, sqaron Alban Hoxha.