Nga Ardi Stefa
Unë besoj se Salianji dëshiron të krijojë një parti.
Është një supozim logjik. Nuk bën foltore e as takon demokratët që pastaj të zihet, shahet, ofendohet e intimidohet nga oborri i SHQUP-it. Sidomos kur e di shumë mirë se fjalimi për “demokratizim” dhe “reformim” të Partisë Demokratike është një monolog i dënuar me dështim.
Sepse Salianji e di mirë, edhe pse po flet si anëtar i Partisë Demokratike dhe kërkon demokratizimin apo reformimin e saj, që asnjë gjë e tillë nuk do të ndodhë. Partia Demokratike as do të demokratizohet, as do të reformohet. As Berisha që e ka parti personale nuk do të tërhiqet që partia të bëhet më e hapur, më e fortë, më e bashkuar apo fituese.
Berisha nuk ka parti për të reformuar; ka pronë për të administruar. Dhe pronari nuk tërhiqet për ta bërë pronën më të hapur, më të fortë apo më fituese. Pronari tërhiqet vetëm kur i merret çelësi.
Meqenëse përjashtoj mundësinë që Salianji të jetë duke u përgatitur për të hyrë në botën e modelingut, patinazhit artistik apo atë të spektaklit mendoj se partia e re është e vetmja mundësi e tij, si mjet presioni, si levë,si shantazh politik i butë me shpresën naïve që t’i imponohet deri- diku Berishës e Berisha për të shmangur përçarjen mund t’i japë Salianjit ndonjë post të lartë në PD, p.sh: Sekretar i Përgjithshëm në vend të Flamurit.
Prandaj them se Salianji ndoshta kërkon të krijijë një parti. Se në këto 35 vite të gjithë ata që tentuan t’ia marrin partinë Berishës dështuan. Përfunduan jashtë saj. Disa politikisht. Disa moralisht. Disa historikisht. Disa fizikisht.
Por po qe se do të qepësh një kostum të ri, nuk shkon te kasapi, por te rrobaqepësi.
Politika është një proces i thjeshtë që zakonisht kërkon një subjekt dhe një audiencë. Dhe Salianji po përpiqet të shfaqet si dikush tjetër por edhe si vazhdim i vetvetes së tij. Dhe Salianji sot po përpiqet të jetë njëkohësisht tjetër dhe i njëjti. Opozitar ndaj PD-së, por produkt i saj. Rebel ndaj Berishës, por i rritur në oborrin dhe enturazhin e tij. Nuk e di nëse do t’ia dalë mbanë, por nuk është një detyrë e lehtë.
Sigurisht, ka një distancë shumë të gjatë midis: “Dua të krijoj një parti” dhe “Partisë që krijova.”. Shanset janë që edhe po krijoi një parti të re Salianji të dështojë. Shumë histori politike në Shqipëri mbarojnë pa u shkruar kurrë.
Ky mund të jetë fundi i historisë. Se fillimin nuk e dimë ende.
Deri atëherë?
Së pari, disa njerëz duhet të formojnë një koalicion politik me Salianjin. Dhe më pas kanë nevojë për mbështetës dhe votues që të votojnë për të. Nuk është gjë e vogël.
Deri tani e dimë që e gjithë përpjekja është e drejtuar kundër PD-së së vjetër. Jo PD-së së vitit 1992, e cila ishte edhe më e madhe, as PD-së së vitit 2021, e cila realisht ishte fituese, por PD-së së viteve 2023 dhe 2025, e cila është rrudhur e tkurrur aq shumë. Salianji i drejtohet një hapësire politike, e cila i ngjan një vendi të bombarduar e të pashpresë.
Sidoqoftë, hapësirës opozitare i mungojnë personalitetet kryesore që mund ta bashkojnë atë dhe ta bëjnë konkurruese. Megjithatë, nuk është aspak e sigurt nëse Salianji dhe Alimehmeti mund ta mbushin këtë boshllëk.
Së dyti, Salianji duhet të gjejë aleatë. Por edhe aleatët e mundshëm nuk po shtyhen nga dera, që të bëjnë ndonjë marrëveshje me të. Nëse janë njerëz si Lapaj, Shehaj, Qorri & Co nuk i shoh të kenë ndonjë mbështetje të madhe në elektorat dhe janë aq meskinë sa të mos prodhojnë dot politikë e të bashkohen në një front të gjerë opozitar. Nuk prodhojnë frymë. Dhe mbi të gjitha nuk prodhojnë besim reciprok. Janë shumë të vegjël për t’u bashkuar dhe shumë xhelozë për të ndërtuar diçka më të madhe se vetja.
Edhe nëse argumenti yt më bindës dhe realist është se pa ndonjë iniciativë kjo hapësirë po çohet në humnerë. “Bashkohuni që të mund të shpëtojmë” është një thirrje logjike.
Për sa kohë që ata duan të shpëtohen, sigurisht. Dhe për sa kohë që ata mund të bashkohen pa i nxjerrë sytë njëri-tjetrit.
Së treti, nevojitet një argument politik. Pse duhet të votojmë për ju? “Që Rama të ikë!” është një argument i arsyeshëm, por i pamjaftueshëm.
Pse duhet të votojmë për ju? “Që Rama të ikë” është një arsye e kuptueshme, por jo e mjaftueshme. Rama nuk largohet me dëshirë, as me mallkime; largohet me alternativë. Dhe alternativa nuk është thjesht antiRama, por antimodel. Deri tani të gjitha përpjekjet anti model, me gjithë skandalet e qeverisë kanë dështuar.
Së katërti, historia 35 vjeçare e pluralizmit në Shqipëri ka treguar se cilido ka të drejtë të dëgjojë zërin e detyrës dhe të formojë një parti, sindikatë ose grup alpinistësh. Por e drejta për të guxuar nuk është garanci për sukses.
Dhe askush nuk mund të paragjykojë rezultatin e dëshirës së tyre.
Në fund ngelet rezultati. Edhe kësaj here kam shumë frikë se kjo tentativë nuk është bërë pa “bekimin” e Berishës. Dhe nëse është kështu, atëherë nuk kemi të bëjmë me reformë, por me riciklim. Jo me çarje të sistemit, por me ventilim të kontrolluar.
Historia është plot me idealistë që menduan se po e shpëtonin vendin.
Por nëse bëj një paralelizëm me një ngjarje nga Historia, edhe sikur Salianji ta ketë seriozisht me reformimin e partisë, i rikujtoj rastin e Zhan D’Ark, e cila fliste me Zotin e dëgjonte zëra që e thërrisnin për të shpëtuar Francën, por në fund përfundoi në turrën e druve duke u djegur e gjallë.
Siç kanë përfunduar të gjithë ata që donin të “trondisnin” establishmentin shqiptar dhe nuk e kishin seriozisht…
Historia nuk i fal gjysmërebelët, gjasmerebelët.











