Aktivistë të Partisë Demokratike dhe shoqërisë civile janë përplasur sërish këtë të shtunë me policinë bashkiake, në Parkun e Liqenit, në lidhje me këndin e lojrave që është projektuar të ndërtohet atje.
Konfrontimi ka ardhur pasi protestuesit kanë prishur gardhin me tela për këndin e lojrave dhe kanë tentuar të ngrenë çadra brenda rrethimit, ku tashmë punimet kanë nisur raporton Tch.
Gjatë përleshjeve, manifestuesit kanë përdorur edhe shashka dhe situata ka degraduar, duke bërë që të ndërhyjnë forcat e rendit dhe njësitë “Shqiponjat”, të cilat kanë hequr çadrën e protestuesve.
Duke reaguar ndaj ngjarjes, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani e ka cilësuar të turpshme dhunën e policisë bashkiake.
“Policia bashkiake po kthehet në policinë e interesave të betonit. Projekti i bashkisë është pa leje mjedisore dhe sërish sot, këtu është ngritur një mur betoni”, ka thënë Bogdani.
Sipas tij, “këndi i lojrave është vetëm një “kalë Troje” për t’i hapur rrugë betonizimit”. “Nuk do të ndalemi së mbrojturi interesat e qytetarëve të Tiranës”, ka shtuar Bogdani.