Bashkia e Tiranes ka vijuar aksionin për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Me mbështetjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjise Elektrike, në zonën e liqenit të Kasharit janë mbjellë 60 pemë të reja.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se liqeni i Kasharit është destinacioni i duhur për të kaluar një fundjavë me familjen apo miqtë. Veliaj tha se pas konturimit të bregut të liqenit, në mandatin e dytë puna do të vijojë me investime të reja, për ta kthyer atë në një park me të gjitha standardet.
“Fillimisht markuam territorin, duke e rrethuar me gjelbërim, pastaj – siç vepruam në Farkë, – filluam me rrugët pedonale. Jam i bindur se mandatin e dytë do të jetë padyshim një nga parqet e reja, me korsitë dhe me të gjitha shërbimet e tjera, vërtet për t’u patur zili dhe për të rritur standardin”, tha Veliaj.
Per kreun e Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti ka shtuar tashmë hapësirat e gjelbra në Parkun e Tiranës, si dhe ato të Farkës, të Vaqarrit dhe të Kasharit.
“Kemi punuar në 4 parqe kryesore liqenore: Parku i Liqenit të Tiranës, Parku i Farkës, Parku i Vaqarrit, ku kemi bërë mbjellje masive, si dhe Parku i katërt i Kasharit. Duam që secila zonë të shërbejë si një valvul shkarkimi, e një Tirane që duam apo s’duam, me një milion banorë dhe 200 mijë makina ka nevojë të relaksohet, të merret me sport. Brenda mandatit tjetër, e gjithë zona e Njësisë 11, e Njësisë 7, e Njësisë Kashar, po këtu fus edhe jugun e Kombinatit, “Misto Mamen” dhe Yzberishtin, edhe Katundin e Ri, do të ketë një park që është më afër sesa Parku i Liqenit”, u shpreh Veliaj. Top Channel