Përgjatë rrugicave të ngushta në brigjet e lumit Ljubljanica, tingujt e vetëm që mund të dëgjoni janë përplasjet e takave në kalldrëm, zërat e njerëzve që ecin dhe cekjet e gotave në kafenetë në anë të rrugëve. Ka ndryshuar shumë nga 10 vite më parë, kur këto rrugë ishin të bllokuara nga trafiku. Atëherë kishte pak hapësirë të lirë për këmbësorët. Ata më të guximshmit, të cilët zgjidhnin të ecnin, duhet të shmangnin makinat apo autobuzët dhe të thithnin tymin që ata lëshonin.
Tashmë, jo vetëm këto rrugica anës lumit, por e gjithë qendra e Ljubjanës është në thelb zonë pa makina. Vetëm këmbësorët, biçikletat dhe autobusët lejohet të kalojnë në këtë zonë; Kavilir, një kompani taksish elektrike ofron për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe nënat me fëmijë shërbimin e transportit falas. Nëse jeton në qendër apo dëshiron të udhëtosh atje, duhet ta parkosh automjetin në një parking nëntokësor, pak më tej zonës pa makina, në largësi aq të shkurtër sa mund të shkohet duke ecur. Asnjëherë nuk ekzistoi frika se bizneset lokale të vendosura në këtë zonë do të rrezikoheshin prej këtij vendimi. Përkundrazi, biznesi dhe turizmi në qendrën historikë janë rritur ndjeshëm.
Nisma e suksesshme e Ljubljanës në luftën kundër trafikut është një prej aryseve kryesore se pse Komisioni Evropian e quajti qytetin Kryeqyteti i Gjelbër Evropian për vitin 2016. Ky titull përgjithësisht u është vendosur drejtuesve të debatit mbi qëndrueshmërinë urbane, apo qyteteve të zhvilluara si Kopenhageni, Stokholmi apo Hamburgu. Zgjedhja e kryeqytetit të vogël slloven tregon se edhe qytetet me përmasa dhe mundësi modeste mund të shërbejnë si një shembull i mirë. Por tregon gjithashtu se edhe qytetet e vogla mund të sjellin ndryshime të mëdha, brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Meritat për këtë, shkojnë tek Zoran Janković, Kryetari i Bashkisë së Ljubljanës nga viti 2006. Përpara se të zgjidhej dhe emërohej Kryetar Bashkie, Janković ishte Drejtor Ekzekutiv i Mercator, një kompanie të madhe shitje me pakicë, të njohur në Ballkan. Si Kryetar Bashkie, Janković hartoi një plan afatgjatë me qëllim përmirësimin e jetës në qytet, të njohur si Vision 2025. Ky plan përfshinte objektiva ambiciozë për zhvillimin e transportit të qëndrueshëm në qytet, ruajtjen e hapësirave të gjelbra, riciklimin dhe të tjera fusha, të cilat përcaktuan rrjedhën e shumë projekteve të infrastrukturës dhe politikave të së ardhmes.
“Në fillim, kur sapo isha emëruar, nuk dija asgjë mbi strukturën e qytetit,” tha Janković në një intervistë për Citiscope. “Ne e krijuam programin tonë ashtu siç ai krijohet në një kompani, duke përcaktuar një strategji dhe objektiva.”
Vendimi për moslejimin e makinave në qendër të qytetit ishte deri më sot, vendimi që ka patur më shumë impakt, por në të njëjtën kohë dhe vendimi më i kontestuar. Janković e zbatoi këtë vendim në vitin e tij të parë si Kryetar Bashkie. Në këtë mënyrë, deri në fushatën e tij të ardhshme elektorale, qytetarët e Ljubjanës do të kishin mundësinë të përfitonin nga benefitet e ajrit të pastër, rrugëve më të sigurta dhe hapësirave publike më pak të zhurmshme, krahas anëve negative. Ai është rizgjedhur tri herë që nga ajo kohë (me një prezantim të shkurtër në politikën kombëtare që e shndërroi atë në një figurë të diskutueshme në Slloveni).
“Në fillim këto vendime janë të vështira për t’u marrë pasi asnjëherë nuk mund të arrihet 100% dakordësi mbi të”, tha Janković. “Por pas tetë vitesh, nëse do të pyesja banorët e Ljubljanës me anë të një referendum, nëse do të dëshironin një qendër të hapur ndaj makinave, jam i sigurt se 90 përqind e tyre do të dëshironin sërish që qendra të ishte e mbyllur ndaj makinave.”
Laboratori pa makina
Janković ka fatin të drejtojë një qytet me një jetë kulturore të gjallë, të bekuar me një trashëgimi arkitekturore të pasur dhe pyje indigjene që përbëjnë rreth gjysmën e hapësirës së qytetit. Sllovenia ishte shteti i parë që fitoi pavarësinë nga ish Republika Jugosllave në vitin 1991 dhe po ashtu shteti i parë i Ballkanit që u bë anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2004. Falë universitetit lokal, Ljubjana është një qytet të rinjsh, ku 43,000 nga 287,000 rezidentët e tij janë studentë. Qyteti është kthyer në një kryqëzim idesh dhe praktikash nga fqinjët si Italia, Austria dhe Hungaria.
Titulli Kryeqyteti i Gjelbër i jep Ljubljanës një mjet të mirë marketingu për të tërhequr turistët dhe për të nxitur krenarinë e qytetarëve të saj. Eventet dhe aktivitetet lokale janë planifikuar për të gjithë vitin 2016, sipas një teme të ndryshme për secilin muaj. Për shembull, Janari është muaji i menaxhimit të mençur të plehrave. Por ky çmim ka ndihmuar dhe në marrëdhëniet me qytetet e tjera. “Përpara se të bëheshim Kryeqyteti i Gjelbër Evropian, ishte e pamundur për mua të takoja kryetarin e Parisit apo të Berlinit”, tha Janković. “Pas këtij çmimi, na u hapën të gjitha dyert.”
Janković ka shumë për të ndarë me ta. Gjatë muajve të fundit, qytetet Evropiane si Brukseli, Madridi dhe Oslo kanë njoftuar mbi planet e tyre për të mbyllur një pjesë të qendrës së qytetit për makinat. Ljubljana ofron një laborator – të duhen vetëm 15 minuta për të ecur nga njëra anë e zonës pa makina në tjetrën – që analizon dhe ofron të dhëna mbi efektivitetin e këtyre politikave. Për shembull, qyteti ndërtoi parkingun e nëndheshëm pranë qendrës dhe po planifikon të ndërtojë më shumë. Qyteti po krijon gjithashtu një sistem “parko dhe ngit makinën”, i cili u ofron banorëve të periferisë mundësinë të parkojnë makinat e tyre; kosto e parkingut përfshin edhe çmimin e një bilete kthimi në qendër.
Qyteti ka ndërmarrë gjithashtu masa për promovimin e përdorimit të biçikletave. Ljubjana ofronte ndaj një biciklete që në vitin 2011 – kartën e njëjtë që përdoret për të marrë një biçikletë, funksionon po ashtu për të paguar abonetë, parkingun apo tarifat e librarive. Qyteti u jep mundësi të gjithëve të ngasin biçikletat në zonat e këmbësorëve, në rast se ata i ngasin avash. Kjo është një praktikë jo shumë e njohur në Evropë, ku biçikletat ngiten vetëm në zonën e mirëpërcaktuar për to. Kjo politikë e ka nxitur edhe më shumë përdorimin e biçikletave edhe pse u kontestua nga disa pronarë të disa bareve të protestuan kundër këtij vendimi, nga frika se biçikletat do të përplaseshin e tavolinat e bareve të tyre.
Marko Peterlin, drejtor i Institutit për Politikat Hapësinore thotë se këto veprimtari kanë ndihmuar në rënien e ndjeshme të trafikut. Por Peterlin thotë se qyteti nuk ka investuar aq sa duhet në transportin publik. Kjo do të ndryshojë më vonë gjatë këtij viti, kur 30 autobusë të rinj që ndotin më pak ambientin do të vihen në përdorim, duke rritur shërbimin dhe drejt periferisë. Qyteti po punon me Bashkitë fqinje për një plan transporti publik që synon të arrijë një transport të balancuar deri në vitin 2020. Kjo do të thotë se një e treta e udhëtimeve do të kryhen me anë të mjeteve private, një e treta nëpërmjet transportit publik dhe një e treta tjetër nga mjete pa motorr.
Kjo balancë është materializuar në rindërtimin e bulevardit më të rëndësishëm të Ljubjanës, Rruga Slovenska. Pjesa që lidh unazën me qendrën historike është e mbyllur për trafikun e automjeteve, me përjashtim të autobusëve dhe taksive elektrike. Ky segment përdoret kryesisht nga biçikletat dhe këmbësorët.
Veprim i përbashkët qytetar
Transformimi i Ljubljanës nuk kufizohet në transport. Qyteti riciklon pothuaj dy të tretat e mbetjeve dhe është kryeqyteti i parë i Bashkimit Evropian me një strategji “zero mbeturina”. Mekanizmi më i ri në qendrën e qytetit konsiston në një sistem pikash mbledhje që depoziton mbetjet nëntokë, derisa mund të mblidhen (Pikat e depozitave duken si koshe të zakonshëm mbeturinash). Mbeturinat organike shkojnë në pika të ndryshme, të përdorshme vetëm nga rezidentë të asaj zone, ata përdorin një kartë elektronike me një mikroçip për të hapur këto kazane të veçantë dhe mund të depozitojnë një sasi të caktuar në javë. Ky monitorim ka si qëllim uljen e mbetjeve organike.
Hapësirat e gjelbërta të qytetit po marrin një kuptim të ri falë ndihmës të grupeve qytetare dhe organizatave specifike. Park Tabor, pavarësisht vendndodhjes në qendër të qytetit, ka qëndruar i braktisur për një kohë të gjatë. Vetëm disa vjet më parë, organizata “Instituti i Bunkerit” nxiti një fushatë të përgjithshme për të rivitalizuar parkun me anë të festivaleve kulturorë dhe përdorimit specifik për kopshtari. Një grup me urbaniste të reja (grupi Prostoroz) vazhdoi iniciativën duke intervistuar qytetarë për ide të reja rreth rilindjes së parkut. Gjithashtu, tregjet e hapura u përdorën për të tërhequr vemendjen e qytetit për të përdorur këtë hapësirë.
“U surprizuam nga numri i madh i njerëzve, të cilët vinin nga pjesë të ndryshme të qytetit për t’iu bashkuar aktiviteteve në Parkun Tabor,” thotë Alenka Korenjak, një nga themeluesit e Prostoroz. “Suksesi i këtyre iniciativave tregon se rigjenerimi urban nuk ka nevojë për investime milionare.”
“Iniciativa të tilla janë ende të rralla, dhe politikat e qytetit nuk është se mbeshtesin projekte të tilla,” thotë Urska Jurman. “Sidoqoftë kultura e pjesëmarrjes dhe e iniciativave qytetare po zhvillohet me shpejtësi.”
Një tjetër shembull pozitiv në këtë fushë është e ashtuquajtura “Biblioteka e Sendeve”. Kjo iniciativë u nis nga Prostoroz në një ish-kafe, në pronësi të qytetit. Në këtë vend qytetarët mund të dhurojnë ose të marrin me qera sende jo shumë të përdorshme, si pajisje sportive apo vegla. Për një qytet që kujton qytetarët e tij të “ulin konsumin, të ripërdorin dhe të riciklojnë”, kjo është mënyra më e mirë për të nxitur dy të parat e thënies.
“Çdo qytet mund të përmirësojë cilësinë e jetesës për një kohë të shkurtër, nëse kryebashkiaku rrethohet me një ekip të mirë,” thotë Jankovic. “Projektet duhet të tejkalojnë buxhetin. Sepse disa nga këto projekte mund të mos realizohen gjatë administrimit tënd. Por të tjerët munden.”
Nga CityLab