Rrëfimi i kësaj serie kujtimesh rreth vdekjes së Hysni Kapos, i shtruar në një spital parisien prej nga nuk u kthye më gjallë në Shqipëri, është bazuar në pohimet e dy dëshmitarëve: Nexhip Pajaj dhe Eqerem Sinani. Këto pohime janë gjithashtu të regjistruara dhe i posedoj në formë audio. Është fjala për një ngjarje mbi të cilën ka pasur dyshime të arsyeshme nëse ishte një vdekje natyrale, apo një vdekje e ndikuar nga faktorë të jashtëm. Këto dyshime kanë lindur qysh në momentet e fluturimit të Hysni Kapos për herë të dytë me avion special privat për në spitalin e Parisit, në vitin 1979.
Pas vdekjes së tij dhe sjelljes së arkivolit me trupin e Kapos në Tiranë, erdhi edhe një fletore e mbushur me dyshime mbi shkaqet e vdekjes së tij. Kjo fletore, e cila më pas u emërtua “Fletorja e Zezë”, i drejtohej Enver Hoxhës nga tre personat që i qëndruan më pranë Hysni Kapos.
Afro 36 faqe të “Fletores” mbanin në fund tre nënshkrime, atë të përgjegjësit të grupit të shoqërimit të tij, Nexhip Pajaj (Xhipja), atë të shoqëruesit të dytë Eqerem Sinani dhe atë të mjekut të tij, Dine Abazi.
Këta dy të fundit jetojnë dhe janë dëshmitarë okularë, ndërsa Xhipja i ndjerë ka vdekur vite më parë. Bashkëshortja e tij, Selimeja, ishte tezja ime (Nëna ime dhe Selimeja ishin motra).
“Fletoren e Zezë” e shkroi Xhipja, dhe unë e kam lexuar. Por sa u hodhën mbi të ishin mendime, gjykime, vlerësime të të treve, Nexhipit, Eqeremit dhe Dines.
Cila ishte përmbajtja e kësaj “Fletoreje të Zezë”, si u trajtua ajo, çfarë analiza u bënë rreth saj, çfarë masa u morën dhe ndaj kujt, do të theksohen në vend të mbylljes së këtij shkrimi.
****
Nga Idajet Beqiri
Ndër njerëzit që Hysni Kapo e kishte shumë të veçantë dhe e kishte marrë me vete në Paris, ishte nipi i tij, Andi Bushati, djali i Verës, vajzës së madhe të Hysniut. Ai ishte kënaqësia më e madhe që përjetonte Hysni Kapo ato ditë në spitalin e Parisit.
Me Andin më shumë merrej Eqerem Sinani. Ai e shëtiste dhe e mbante si uji i pakët. Afro 10 ditë para vdekjes, Hysni Kapo i thotë Eqeremit të çonte Andin për të vizituar Kullën Eifel. Eqeremi mori me vete një punonjës të Ambasadës sonë në Paris, Haxhi Tagën. Haxhiu ishte punonjës sigurimi dhe e njihte shumë mirë Parisin.
Haxhi Taga është krutan me origjinë, me prejardhje nga një familje shumë e mirë. Por botë më vete! Një njeri me shumë humor. E nganjëherë humorin e ka shumë të rëndë. E kishte “hedhur Perëndia” te Sali Berisha. Arsyet i di vetëm Haxhiu, por nuk linte gjë pa i punuar Saliut. Ishte bërë tmerri i tij, sidomos me disa veprime që i kalonin në ekstrem “shakatë” e tij me përmasa groteske, e deri të dënueshme. Për etikë ato nuk mund të thuhen, pasi vërtetë ishin shumë të rënda. Por terrenin e tyre e krijonte vetë Saliu me karakterin e tij deri pështirosës e servil, thjesht dhe vetëm që të bëhej “i besuar” për Hysni Kapon.
Kur Haxhiu mbërriti, Eqeremi i thotë se shefi i kishte kërkuar të shëtisnin Andin deri te Kulla Eifel. U nisën të tre. Andi ishte një fëmijë i bukur, Haxhiu djalë i ri, gjigand me trup, Eqeremi gjithashtu. Pranë Kullës Eifel, vunë re se dy vajza të reja shihnin vazhdimisht drejt tyre. Haxhiu, i cili e njihte shumë mirë frëngjishten, i thotë Eqeremit se këto vajza po flasin veç për ne. Janë të bindura që nuk jemi francezë. Vajzat pariziene i folën Haxhiut. Kërkuan të dinin për nacionalitetin e të treve. Haxhiu u tha se ishin shqiptarë. Fillimisht ato ngritën supet, por pas shpjegimeve të Haxhi Tagës morën vesh diçka.
Të pije kafe në atë kohë me femra të huaja ishte kaluar herezisë. Panë njeri tjetrin në sy. Haxhiut nuk ja mbante. Eqeremi ishte më i imunizuar. Ai ishte në grupin e shoqërimit të Hysni Kapos. Ndaj, edhe si natyrë liberali dhe guximtari që ishte, i thotë Haxhiut se nuk kishte asgjë të keqe të pinin një kafe me këto vajza kaq të bukura. U ulën aty pranë Kullës Eifel. Eqeremi dhe Haxhiu flisnin dhe tregonin aftësitë e tyre para vajzave, ndërsa Andi i vogël qëndronte si vëzhgues i kujdesshëm.
Pasi u ndanë me vajzat dhe e realizuan vizitën në Kullën Ejfel, u kthyen në spital te Hysni Kapo. Haxhiu u kthye dhe shkoi në Ambasadë, ndërsa Eqeremi dhe Andi erdhën në spital. U futën të dy në dhomën e Hysniut. Brenda ishte Sali Berisha. Andi ju hodh gjyshit në qafë dhe filloi t’i thoshte kënaqësitë e shëtitjes. Por nuk i “shpëtoi” pa e thënë takimin me dy vajzat e bukura dhe qëndrimin me to në lokal. Eqeremit i iku fytyra, u skuq i tëri dhe e sqaroi Hysni Kapon se vajzat pëlqyen shumë Andin, filluan ta përkëdhelnin atë, dhe ata për edukatë u ulën për hatrin e Andit pak minuta me to në kafe.
Në këtë moment Hysni Kapo filloi të këshillonte Eqeremin që të bënte kujdes, sepse mund të provokoheshin nga kushdo dhe t’u krijohej telash i madh ngaqë jemi në vend të huaj dhe nuk i njohim njerëzit. Pikërisht në këtë moment e mori fjalën Sali Berisha, i cili deri në atë çast vetëm po dëgjonte.
“Keni shumë të drejtë shoku Hysni, – tha, – duhet bërë kujdes i madh sepse vërtetë jemi në terren të panjohur këtu…”
Ndenji një çast dhe vazhdoi: “E dini ç’më ka ndodhur mua këtu në Paris kur erdha një vit më parë për specializimin? Kisha dalë shëtitje vetëm. Thanas Gjikën, me të cilin isha për specializim, e lashë në dhomë. Nga pas më ndiqnin tre veta. Dy ishin francezë, ndërsa njëri ishte i huaj. Kudo që shkoja, ata nga pas. Kjo situatë zgjati ditë me radhë. Donin të më rekrutonin. Kam vuajtur shumë prej tyre, por arrita të shkëputesha dhe kurrë nuk kam dalë më vetëm nëpër Paris… “!
Hysni Kapo u pre në fytyrë:
“Vajte në Ambasadë ti, ta thoje këtë? E ke raportuar këtë?”
Saliu u përgjigj dy herë me “jo”!
Mora Andin dhe dolëm nga dhoma e tij, – tregon Eqeremi. Hysni Kapo dhe Sali Berisha kanë qëndruar të dy vetëm brenda derisa erdhi Liljana Kondi, infermiere e Hysniut dhe më thotë të kërkon shoku Hysni.
Eqeremi, i cili e njihte shumë mirë shefin e tij, tregon se Hysni Kapo ishte shumë i nervozuar, çka ishte e rrallë të shfaqej tek ai. Përgjithësisht tek ai mbizotëronte qetësia, ambienti i ngrohtë që krijonte me bashkëbiseduesin. Por pasi largoi nga dhoma Sali Berishën, ai ishte skuqur i tëri, dhe vazhdimisht, me shumë nervozizëm përsëriste të njëjtat fjalë: “Çfarë është ky… more…!”
– E dëgjove ti çfarë tha ai? – ju drejtua Hysni Kapo, Eqeremit. Po si e paskan kapur këtë, si ka qëndruar ky me persona të dyshimtë, qenka ulur nëpër kafe me ta, i paskan kërkuar ata rekrutimin si agjent kundër Shqipërisë, dhe ky as ambasadorit tonë këtu në Paris nuk i ka thënë gjë, as në organizatën e Partisë nuk e ka raportuar këtë, as Komitetit Qendror nuk i ka thënë gjë… Është normal ky more…! Sapo të mbërrijmë në Tiranë, kemi punë me të”, thotë Hysni Kapo. Dhe e porositi të bënin shumë kujdes me të dhe ta mbanin nën kontroll.
***
Marrëdhëniet e Eqeremit me Saliun ishin shumë normale. Saliu, kur donte të hante diku, të pinte ndonjë “Coka Cola”, e cila ishte pija e tij më e preferuar, apo të kryente ndonjë punë tjetër personale, i kërkonte Eqeremit që ta shoqëronte. Eqeremi ishte natyrë e çiltër dhe besonte shumë. Ndërsa Xhipja e kishte parë “hëna jashtë” Saliun dhe jo vetëm që nuk e afronte dhe nuk i jepte asnjë muhabet, por përkundrazi, e mbante gjithmonë larg Hysni Kapos.
Eqeremi ishte kurioz tashmë të shikonte se si ishte bërë Saliu pas “dushit me ujë të ftohtë” që i kishte dhënë Hysniu. I tregoi Xhipes gjithçka që kishte ndodhur. Madje i tha se “dekonspirimin” e kishte bërë Andi i vogël, i cili i kallëzoi te Hysniu për kafen që kishin pirë me dy bukuroshet franceze, si dhe për ndërhyrjen dhe bisedën skandaloze të Berishës me Hysni Kapon. Të dy ishin të bindur që kjo ishte një punë “me zarar”, dhe fjalët e Hysniut “sapo të kthehemi në Tiranë, kemi punë me të”, së paku nga përvoja, i përkthenin me atë që, minimumi Saliu do të përjashtohej nga Partia.
Vonë, në mbrëmje, në korridorin e spitalit, Eqeremi takohet me Sali Berishën. Për çudi vërejti se ai nuk shfaqte asnjë shenjë sado të vogël shqetësimi për sa i kishte ndodhur me Hysni Kapon. I foli Eqeremit krejt normal dhe madje, jo vetëm që nuk e hapi fare muhabetin rreth incidentit të ndodhur, por ishte edhe i gëzuar.
Kjo e çuditi vërtet shumë Nexhipin dhe Eqeremin. Ata ishin punonjës të vjetër Sigurimi, tepër të vëmendshëm ndaj çdo lloj gjesti, veprimi, mimike fytyre, fjale apo lëvizje. Dhe arritën të dy në një konkluzion të përbashkët, të cilin ia bënë prezent edhe shefit të tyre, Servet Backa, i cili ishte gjithashtu në Paris në grupin e shoqërimit të Hysni Kapos.
Nga mënyra se si ndërhyri dhe zhvilloi bisedën Sali Berisha, ata kuptuan se ai i “tatoi pulsin” Hysni Kapos, donte të blinte prej tij nëse ai dhe Partia dinin gjë për faktin se ai ishte rekrutuar prej një viti tashmë. Berisha e dinte shumë mirë se çfarë problemesh mbulonte në Byronë Politike Hysni Kapo. Ai e dinte që Sigurimi i Shtetit varej drejtpërdrejt prej tij dhe se ai ishte ura e vetme lidhëse e gjithë veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit, me Enver Hoxhën.
Nëse strukturat e Sigurimit të Shtetit do të kishin informacion për të qenurit e Sali Berishës agjent i ndonjë agjenture të huaj, Hysni Kapo do të ishte i pari që do të vihej në dijeni prej Ministrit të Brendshëm. Nga reagimi nervoz i Hysni Kapos, Berisha u bind që ai dhe Partia nuk kishin asnjë dijeni se kur dhe si ai ishte rekrutuar.
Ndërsa të qenurit e Berishës i qetë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, lidhet me faktin se ai dinte, atë që dinte edhe Sadik Premte, i cili paralajmëroi me shkrimin në revistë vdekjen e Hysniut në këtë spital të Parisit. Ai e dinte mirë çfarë do të ndodhte 7 ditë më vonë me Hysni Kapon, ndaj ishte i bindur që asnjë ndëshkim nuk do të kishte për të në Tiranë.
DITA
Hajde perralla hajde
Keto shkrime (derdellitje) jane perralla fantastike per tua lexuar perpara se te flene te gjithe atyre femijeve qe do lindin pas vitit 2020 si dhe te gjithe femijeve qe kane lindur para viteve 1950
Mire qe ata qe i thone jane tashme te lajthitur nga trute por ju qe i botoni a thu vertete i besoni ?
U shofte nga faqja e dheut kjo fare e keqe komuniste