Policia e Dibrës ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar një konflikt të rëndë në familjen e shtetasit Elez Mera. Pas një informacioni të marrë se në fshatin Lishan i Poshtëm po ndodhte një konflikt në familje, nga strukturat e policisë së Dibrës, është organizuar menjëherë puna ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë ndërhyrë duke parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, ku kanë konstatuar se shtetasi Elez Mera, po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes shtetases D.M, 58 vjeçe dhe djalit të tij K.M, 29 vjeç, duke i kanosur në mënyrë serioze për jetën nëpërmjet një arme gjahu.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut tip TEKE, me dy fishek, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente. Në fund të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit E.Mera, dhe materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale të “Dhunës në familje” të parashikuar nga neni 130/2 të Kodit Penal dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.