Përqendrimi ushtarak i Moskës në Ukrainë nuk është më “vetëm” në lindje të vendit, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në një intervistë me median shtetërore ruse, ai la të kuptohej se strategjia e Moskës kishte ndryshuar pasi Perëndimi furnizoi Ukrainën me armë me rreze më të gjatë.
“Rusia tani do të duhet të shtyjë forcat ukrainase më tej nga vija e frontit për të garantuar sigurinë e saj”, shpjegoi ai.
“Ne nuk mund të lejojmë që pjesa e Ukrainës e kontrolluar nga [Presidenti ukrainas Volodymyr] Zelensky… të posedojë armë që do të përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë”, theksoi Lavrov në intervistën me Margarita Simonyan.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar më herët Rusinë se po përgatitet për aneksimin e pjesëve të Ukrainës.
Lavrov iu referua në mënyrë specifike sistemit të raketave me rreze më të gjatë Himars, të furnizuara vetëm kohët e fundit nga SHBA, me të cilin Ukraina ka pasur sukses.
“Gjeografia është ndryshe tani,” tha ai, duke përmendur rajonet jugore Kherson dhe Zaporizhzhia si objektivat e fundit të Rusisë. Forcat e Moskës tashmë kanë pushtuar pjesë të të dy rajoneve.
Kremlini pushtoi Ukrainën në shkurt, duke pretenduar se rusishtfolësit në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës kishin pësuar një gjenocid dhe duhej të çliroheshin.
Pesë muaj më vonë, Rusia ka pushtuar pjesë të lindjes dhe jugut të vendit, por ajo dështoi në qëllimin e saj fillestar për të kapur Kievin dhe që atëherë ka pretenduar se objektivi i saj kryesor ishte çlirimi i Donbasit.
/e.d











