Lufta në Lindjen e Mesme ka sjellë ndikim edhe në ekonominë shqiptare brenda një kohe shumë të shkurtër.
Gazetarja Mirilda Tili, e ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus paralajmëroi se ndikimi nuk do të mbetet vetëm te karburantet, por do të shtrihet në të gjithë zinxhirin ekonomik. Sipas saj, rritja e çmimeve në sektorin e hidrokarbureve do të reflektohet menjëherë në produkte bazë si buka, por edhe në shërbime të tjera.
Një ndër shqetësimet kryesore që përmendi gazetarja, lidhet me mundësinë e rritjes së kostos së ujit.
Tili shtoi se rritja e çmimeve është e pashmangshme në këto kushte dhe masat duhet të shkojnë përtej ndërhyrjeve të pjesshme, duke kërkuar një menaxhim më të mirë të situatës për të zbutur ndikimin tek qytetarët.
Pjesë nga biseda:
Tili: Në fakt, unë nuk do ta shihja kaq thjeshtë, sikur është vetëm çështje e një sektori dhe mbetet aty. Kjo rritja e çmimit në sektorin e hidrokarbureve do të thotë rritje e çmimit të bukës.
Borakaj: Efekti i parë është aty.
Tili: Po ashtu, të mos çuditemi nëse na rritet kostoja e ujit pas një jave. Megjithëse çmimi i ujit është i rregulluar, çdo gjë tjetër si transporti do të ketë rritje dhe do t’i rriten kostot kompanisë së ujit.
Teliti: Çdo produkt i cili transportohet në rrugët shqiptare do të ketë rritje kostoje.
Tili: Pra, nuk është kaq e lehtë as për ujin e rubinetit.
Teliti: Duke qenë edhe i zgjedhur bashkiak, kam një kryetar bashkie që na ka thënë se uji i rubinetit është i pijshëm, por unë vazhdoj të mos e pij, e kupton?
Tili: Gjithë diskutimi është që rritja e çmimit të karburanteve sjell automatikisht një rritje çmimesh në zinxhir. Dhe kur ne flasim për zgjidhje, nuk mund të flasim vetëm për të zhbërë oligopolin. Patjetër që oligopolet duhet të zhbëhen, por nga ana tjetër duhet edhe një mirëmenaxhim.











