Nga Ben Andoni
Mllefi që shoqëron shumë gjëra në vendin tonë, zakonisht i përcillet të shkuarës. Sot, e kanë të lehtë që të dy palët në parlament të na kujtojnë se regjimi komunist ishte i ashpër dhe të dënonte pamëshirë. E, në fakt, statistikat e sotme për atë që ndodhi në Socializëm dhe në këtë të fundit për periudhën e monarkisë dhe para saj (që për një arsye jo të zakonshme nuk merren si duhet në shqyrtim), kanë prodhuar gjithnjë debate shterpë dhe shumë gjëra pa sens. Megjithatë persekutimi komunist mbetet i tillë kaq i ashpër dhe pa numrat, ashtu si goditjet që u bënë në kohën e Zogut janë, paçka relativizimit që bëhet nga individë të ndryshëm. Në ditët e fundit, të bënte habi që roli i Mujo Ulqinakut, më 7 Prill, ishte skajor dhe rastësor në mediat tona, pa i përmendur me emër, qoftë edhe pse paguajmë një strukturë si AMA që duhet ta bëjë këtë vrojtim dhe të sinjalizojë, madje edhe të penalizojë, mediat që i përqeshin simbolikat kombëtare. Akti i Ulqinakut është nga të paktët gjëra me vlerë simbolike që i kalon kohërat dhe i jep tis virtyti patriotik “Homo Albanicus”.
Nga një strukturë si AMA, e cila mbetet thjesht apatike, nuk mund të presësh asgjë. Dhe, megjithë raportimet për suksesin e tyre, jemi të ndërgjegjshëm nga ato që dëgjojmë, lexojmë e shikojmë në mediat tona. Realiteti mediatik është prova më e gjallë.
Në këtë përqeshje që i bëjmë të shkuarës ia vlen të kujtojmë dhe paradokset kombëtare, sesi vetë publiku i tallte më 1946 klerikët e dënuar në Shkodër dhe që komunistët i përcollën fatkeqët të rrethuar rrugëve pas dënimit, në mënyrë që t’i shihte e gjithë masa që nuk ngopej të sodiste të tilla procesione fatkeqe! Dhe, sa shumë raste të tillë ka. Si u sollëm vallë me Musine Kokalarin dhe si e braktisëm në harresë atë?! Sot, rendet kush e kush të ngrejë apoteozën për të. Nuk është se Zogu dhe sundimi i tij i shkurtër nuk ishte se u soll më mirë, dhe, pasi në shumë raste u mundua t’i kujtonte publikut egërsinë e vet. Dhe, ky paradoks në një vend me kaq pak banorë, me kaq shumë urrejtje, me kaq shumë përfolje të kujtohet këto ditë, kur ish Drejtori i Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj, dhe 4 anëtarë të KPP-së i vënë nën hetim nga SPAK në qershor 2024, dhe madje të pandehur në lidhje me një procedurë tenderuese, u lirua nga gjykimi. Dhe, më shumë se çdo gjë tjetër për procesin integrues të Shqipërisë, i cili tregohet në formë krejt lineare nga kryeministri dhe nxihet nga opozita, sikur të mos kuptojnë që procesi është tejet sfidues ndaj një vendi që në 36 vitet e fundit e kanë drejtuar bashkë. Pse kjo urrejtje dhe nxirrje për vendin? Ku shkoi vallë ai mllef, ai linçim gati i përditshëm në ekrane, kjo kënaqësi për të parë shqiptarët në burg? Si ka mundësi të përgojosh sot (2026) rolin e Mujos që pak para se të vdiste iku në shtëpi dhe i dorëzoi të shoqes të gjithë shenjat personale deri te ato intimet. I bindur në vdekjen e vet të pashmangshme, thjesht, me shpresën e mbajtjes gjallë të shpirtit të kombit. Pyetje pa fund, por që nuk e zgjidhin dot një fatalitet të madh që na ushqen për të urryer, për të sharë dhe për të ndërtuar institucione që e ndijnë këtë paradoks. Konica, e vuri re këtë qysh në vigjilje të kapërcyellit të shekullit XIX (1899): “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”. Është referim te “Albania” e tij një organ që tregoi shumë nga sëmundjet tona, por jo ilaçin që nuk gjendet dot edhe në shekullin XXI. (Javanews)











