Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëkohësisht dhe kryeministër i vendit, momentin më të vështirë e pati të dielën kur gazetarët e pyetën për intervistën e z.Ahmetaj dhe reagimin e tij. Me një fjali të përgjithshme që s’kishte lidhje me këtë, ai vazhdoi të përgjigjej për Asamblenë. Vetëm në fund të aktivitetit do të thoshte një fjali eliptike për të. Në raste të tjera, z. Rama ka dhënë gjykime për çdo gjë që nga mbarëvajtja e BE-së dhe politika e saj, por edhe zhvillimet e ndryshme në vend, shoqëruar me batutat e zakonshme. Këto të fundit shpesh i justifikohen, pasi është kreu i Ekzekutivit të vendit, pushtetit më të fuqishëm. Në një plan më global, Berisha, lideri tjetër i opozitës pa dokumentin përfundimtar, për çdo ditë i jep vetes të drejtë të arsyetojë për gjithçka dhe të japë verdikte nga maja e ballkonit për ndjekësit e vet; për të vazhduar me Z. Basha, kreun e PD-së Legale, që ndërmerr nisma ligjore, që ia arsyetojnë si të paarsyetuara kolegët e vet.
Po pse përfaqësuesit politikë mund të flasin për çdo gjë dhe nuk u kërkohet kurrë të kenë përgjegjësi? Kjo është një pyetje, e cila rëndom qëndron në mendjet e njerëzve, kur shikojnë modelet e zhvillimit ekonomik-social të vendit, por më shumë se kaq nismat, për të plotësuar programet por që zakonisht kanalizohen larg objektivave. Kryeministri Rama ka ditur të luajë me imazhin e një partie të fortë dhe të organizuar në çdo lloj mënyre si PS-ja, porse duke fashitur problematikat reale të njerëzve, që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit aktual ekonomik, ku peshën e mban ndërtimi. Referuar Eurostat-it, për vitin 2022, Ndërtimi ka qenë dhe vijon të jetë një motor i rëndësishëm i ecurisë së vendit. Të dhënat e Eurostat, që llogarisin shpenzimet nominale për ndërtimin, si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), apo asaj që prodhon ekonomia në një vit, në 2022, për Shqipërinë ishin sa 18.8% e PBB-së, nga 11.3% që përbën mesataren e Bashkimit Evropian. Dhe, realisht, ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike në tre vitet e fundit, duke ndikuar shpesh në gati 50% të saj. Të dy këta sektorë u nxitën nga bumi i lejeve të ndërtimit, që u dhanë në kryeqytet pas vitit 2017 dhe kulmoi në 2022, duke rënë për herë të parë në vitin 2023 (Monitor, 2024).
Turizmi, që prej qeverisë së shkuar Berisha, merrej më shumë me statistikat e ardhjes së të huajve në vend u pa dhe nga shifrat e 2023, në kohën e Rama-3 se nuk arriti të sjellë vlerë të shtuar në ekonomi, ku përveç ndikimit të thjeshtë sezonal, nuk duket se ka përpjekje reale për të ndërlidhur sektorët e tjerë, si industria e përpunimit të ushqimeve (Monitor, 2024).
Pa marrë parasysh këtu sesi kaloi buxheti i këtij viti dhe mungesa reale e diskutimit për të, ku ndërsa maxhoranca është e bindur prej shifrave të saj se është e duhura, opozita nuk tregoi në parlament një përballje reale, për t’i treguar publikut pikat e saj më të dobëta, por edhe problematikat e mëdha të zërave të saj, përveç anatemave në media.
Zëri intelektual i politikës sonë jo vetëm është i mekur, por në shumë momente duket se është shumë demagogjik. Rama duke treguar me shifrat e buxhetit stadin e Shqipërisë 2024 dhe opozita, duke na treguar nga ana tjetër se ky buxhet ishte aq i dobët, por rrallë herë duke përdorur elementët intelektualë të zhvillimit, përmes specialistëve të saj. Argumentimet e tyre për korrupsionin duken si inerci e atij mentaliteti që Berisha bëri me rikthimin e tij si kryeministër, duke ia lënë korrupsionin qeverisë së partisë së tij!! Ashtu, si Rama, në çdo moment projeksionet e dështimeve i lidh vetëm e vetëm me ministrat e tij, që di t’i kujtojë sesi i ka katapultuar, por asnjëherë pa e justifikuar përzgjedhjen e tyre.
Në atë që e shqetëson publikun është fakti se: pse politikanët kur përpiqen të artikulojnë në forma intelektuale nuk kanë parasysh impaktin e fjalëve por edhe veprimeve të tyre?! Pse përpjekja për t’u treguar intelektualisht të interesuar nuk e justifikon vërtet gjendjen e Shqipërisë dhe mbi të gjitha projeksionet e saj të së ardhmes? Pse nuk dëgjohet më shumë zëri i ministrave respektivë të Financave, të Ekonomisë, Mbrojtjes e Çështjeve Sociale apo të tjerave nuk ka peshë dhe është aq cinik qoftë edhe me Deputetët e PS-së? Pse nuk shkohet në rrënjë të problemeve dhe pse nuk po munden të jepen zgjidhje për zbrazjen e vendit.
Esteti i njohur Umberto Eco në një artikull të tij për intelektualët do të shprehej se: “intelektualët nuk mund të kenë mendim për gjithçka dhe se, po t’u marrë flakë shtëpia, do të bënin mirë të merrnin në telefon specialistin përkatës, zjarrfikësen dhe, jo të përpiqen ta fikin vetë zjarrin”. Shkrimtari Antonio Tabucchi u përfshi në debat duke i kujtuar se natyrisht do ta thërrasë zjarrfikësen, por do t’i ruante të drejtën vetes për të kërkuar se kush e vuri zjarrin, një punë kjo që nuk e bëjnë dot vetëm zjarrfikësit.
Ky debat ka pak të ngjarë të ndodhë tek ne, pasi asnjë nga politikanët dhe forumet që kanë ngritur nuk e justifikon dot se pse modeli i sotëm nuk ka arritur të rrisë mirëqenien dhe, shifra e fundit e FMN-së për varfërinë, tregonte se kjo është rritur në 25% në 2022, nga 22% vitin e mëparshëm.
Maxhoranca jonë që synon e ngutet të marrë mandatin e katërt nuk lajmëron dot jo më as zjarrfikësin (metaforë, për të gjetur problematikat reale të vendit) por as arrin të kërkojë rrënjët e saj, që çdo qeveri kontribuon duke i futur thellë e më thellë. Opozita nga ana tjetër (paçka palëve të ndara) vazhdon të zhytet në një batak, që po ia hap vetes për çdo ditë mbuluar me diskurset false intelektuale, por pa dhënë një projeksion të Shqipërisë së të ardhmes, ose asaj që ata mendojnë se mund të ndryshojnë. Shumë prej tyre syresh, që sot po na tregojnë ndryshimin dhe aftësinë e tyre (kuptohet sa të vinë në pushtet), në fakt, po e rrisin pasigurinë dhe mendimin e pandryshimit, fakt që i bën shqiptarët të largohen e largohen pandalim. “Shërbimin më të keq e ofrojnë sot ata që thonë ‘gjithçka në çast’. Një vend nuk ndryshon nga një ditë në tjetrën, demokracia nuk ndërtohet me urata dhe maksimalizma”, shkruante dikur shkrimtarja Nadine Gordimer, në një kohë kur vendi i saj Afrika e Jugut po bënte ndryshimet e mëdha, që shënuan evolucionin e saj. Por, Shqipëria i ka të tulatur forumet e saj, kurse ata që artikulojnë intelektualisht janë në mëdyshjen e metaforës së Eco-s për zjarrfikësin. (Homo Albanicus)