Nga Lorenc Vangjeli
Fiks një javë më parë Shqipëria ishte nën pushtetin e frikshëm të tërmetit. Ballafaqimi me atë forcë të verbër të natyrës është gjithmonë edhe një shans i mirë që vetë njeriu të ballafaqohet me marrëzinë e tij të verbër. Dhe të bëjë llogari me mendjelehtësinë e zakonshme njerëzore që është “e programuar” ta harrojë të ligën sapo të kalojë përtej saj. Një javë më pas, për fat të mirë u demitizua dhe frika irracionale e skeptikëve që vinin bast se një tërmet i fortë do të rrafshonte Tiranën dhe gjithë ndërtimet e reja në vend. Fatmirësisht, sprova gjenerale dëshmoi se ndërtimet e vjetra dhe të reja, private dhe publike, shtëpi e shkolla, dyqane dhe diga, rrugë, ura dhe porte, mundën të mbijetonin për t’u dhënë një mundësi mbijetese vetë shqiptarëve. Gjetkë, madje edhe në Perëndim, në Itali për shembull jo shumë kohë më parë, nuk kanë qenë me kaq fat.
Një javë më pas, kur ankthi u davarit dhe e liga po shkon drejt harresës – frika qesharake kolektive për tërmetin që paralajmërohej se do të binte – mund të shihet në një dritë tjetër dhe raporti mes asaj që ndodh realisht dhe çfarë quhet realitet sipas asaj që rikthehet tek qytetari me syzet e medias apo të rrjeteve sociale. Aksioma cinike e medias që lajmi i mirë nuk është lajm, në të vërtetë e privon publikun nga një mori e pafundme mrekullish të vogla që ndodhin ditë mbas dite me këdo dhe për këdo. Dhe jep një perceptim tërësisht të gabuar të realitetit. Në një shfletim të shpejtë të asaj që ndodh në Shqipëri, por dhe kudo nëpër botë duket sikur kudo ka vetëm luftë, se aty ku nuk ka luftë, ajo mund të shpërthejë në çdo çast, se ka vetëm tension e terrorizëm, armë e ushtri, zjarr e zi, ballafaqime force dhe uri ekstreme, krime të llahtarshme e aksidente të frikshme. Parë me sytë e medias, duket se jeta e shqiptarit është programuar të jetë një segment fare i shkurtër që nis nga materniteti e mbërrin në funeral. Se ata vetëm vrasin e vriten, prodhojnë, shpërndajnë dhe importojnë e eksportojnë drogë dhe se gjithë jeta e tyre shënjohet nën makthin e krimit, drogës dhe korrupsionit.
Me sytë e medias duket sikur e vetmja punë që bëjnë edhe netëve në shtretërit e tyre shqiptarët, është të gjejnë se kush duhet të jetë qerramarësi i zyrës në katin e dytë të Këshillit të Ministrave, se ka të drejtë Rama apo e drejta është me Lulin e Monën, se Komisioni i Venecias e ka gdhirë gjithë muajin nga meraku për Ilirin dhe se Merkeli, Macroni dhe Trumpi pak më pak se dy të parët, ngrysin çdo natë me merakun për shqiptarët.
Po sipas medias dhe fesë së re që po tenton të sundojë botën, ortoekologjia, “ekologjistët ortodoksë” të Greta Thunbergut, duket se gjithë planetit po i meret fryma nga një këmishë force që e shtrëngon për tmerr. Dhe se ngrohja globale e ndryshimet klimaterike janë apokalipsi në prag të derës.
Përballë gjithë kësaj tabloje të zymtë që vizaton media, e qara e parë e një fëmije, diplomimi i një të riu, shpikja e një kure të re mjekësore apo edhe paqja e heshtur e një pensionisti që ikën i lumtur nga kjo botë, nuk është lajm. Zhurma e lajmit të keq, natyra përjetësisht ankuese njerëzore, cektësia ulëritëse dhe shkëlqimi fals i Instagramit apo Facebook-ut, i refuzojnë gjithë mrekullitë e vogla të së përditshmes njerëzore dhe ato nuk ndjehen kurrë.
Në harkun e një jave, tërmetët që shkundën Tiranën dhe Stambollin, në të dy rastet, paniku, frika dhe vetë terrori, ishin mbretërit që diktuan sjelljen e shqiptarëve dhe turqve në të njëjtën kohë. Dhe pothuaj askush nuk u kujtua të thotë një fjalë mirënjohjeje për atë armatë mjekësh që vazhduan kujdesin për pacientët, për atë ushtri me policë, zjarrfikës e punonjës lokalë që tentuan të japin ndihmë. Për ato pafundësi rastesh solidariteti mes të panjohurish për të tejkaluar ankthin e përbashkët.
Natyrisht edhe ata patën frikë. Për veten dhe familjet e tyre. Por në shumicë dërmuese kryen punën e tyre. Për të kuptuar ndoshta më pas frikën e tyre dhe për të hyrë sërish në hije dhe anonimitet, në një botë që nën pushtetin e medias dhe të komunikimit publik, njeh si lajm vetëm lajmin e keq. Dhe gjen si personazhe, vetëm të ligjtë e kësaj bote. Natyrisht edhe politikanët dhe të famshmit e saj që e dëshmojnë ndryshe nga sa është mrekullinë e vërtetë të jetës. Fatmirësisht Shqipëria nuk është e vetme në këtë marrëzi globale dhe në këtë lajm të rremë global. Në këtë anë të ligë të saj, integrimi shqiptar është i plotë si për të vërtetuar edhe njëherë, peshën e menjëhershme dhe pushtetin e të ligës.