Nga Gëzim Kabashi
In memoriam
Age lind. Bojaxhiu – Guttadauro
(1944 – 2021)
Me 15 nëntor 2021 rreth mesnatës ndërroi jetë, kaloi në amshim, apo siç thoshte Shën Nëna Tereze “u kthye në Shtëpinë e Atit”, Age lind. Bojaxhiu, bija e Lazër dhe Maria Bojaxhiut, mbesa e vetme e Nënës Tereze qe mbante dhe emrin e saj.
Atë e kam njohur qysh nga viti 1979, marrja e Shpërblimit Nobel për Paqe dhe kam pasur një bashkëpunim dhe miqësi të jashtëzakonshme dhe frytdhënëse.
Nëpërmjet saj në këtë interviste mund ta njohim më për së afërmi tashmë të ndjerën Age Bojaxhiu, si dhe lindhjen, përjetimet, vlerësimin e saj mbi Nënën Tereze.
Je edhe vlerësimi i Massimiliano Guttadauro, biri i Age Boajxhiut, ndër të tjera më shkruan mbrëmë kështu: “Nëna ime kishte bukurinë dhe tërheqjen e familjes Bojaxhiu, një tërheqje – simpati që e akumulonte si Gonxhja dhe Lazri. Ishte një grua që iu ka kushtuar në tërësi familjes, por pa i lënë anësh edhe shumë interesime kulturore, si kinema, letërsia… Ishte poliglote, si babai i saj dhe si Nëna Tereze. Një grua me aftësi të mëdha për dashuri. Gjithmonë e vendosur, por edhe e vërtetë.”
Intervista me Age Bojaxhiu – Guttadauro, mbesa e Nënës Tereze
Don Lush Gjergji: Ti e ke njohur Nënën Tereze si të afërmen tënde, si hallën tënde. Përshtypjet tua, sepse ti je e vetmja anëtare e gjallë e familjes së ngushtë të saj? Takimi yt i parë me të, atë çka të tregonte babai yt i madh, Lazri, për familjen Bojaxhiu, për këtë dramë që kishin përjetuar, por që Zoti e ka shpërblyer pa masë?
• Si hallë unë e kam njohur personalisht vonë, atëherë kur ajo tashmë ishte e famshme dhe e njohur gati në mbarë botën, kur për të shkruanin shumë gazeta, flisnin shumë qendra radio-televizive, bile përmendej aty-këtu edhe nëpër kisha… Kështu në mua rritej dëshira, kureshtja, por edhe nevoja ta njihja për së afërmi, më tërhiqte, fytyra e saj, sepse si më thoshte babai im, Lazri, “gjaku nuk është ujë…”. dhe vërtet ashtu është…
Jam takuar me Nënën Tereze për herë të parë personalisht në janar të vitit 1967, sepse papa Montini – Pali VI e kishte ftuar për të hapur një shtëpi në Romë. Përshtypja ime ishte e papërshkrueshme dhe e paharrueshme, një gëzim i cili më kaplonte në tërësinë e qenies time… Gëzimi kishte shumë arsye: sepse babai im dhe Nëna Tereze ishin vërtet të lumtur, shiheshin pas më se 30 viteve… Mendoni pak çka kanë përjetuar këto dy persona, zemra e vëllait dhe e motrës! Ishte një takim vërtet unik!
Gjatë këtyre viteve as nuk ishin dëgjuar në telefon, sepse ajo ishte në Indi, e babai im pas Luftës së Dytë botërore në Itali… Nëna Tereze dhe babai im e kishin një gëzim tejet të madh. Përqafoheshin si dikur në fëmijëri…
E shikonin njëri-tjetrin dhe nuk u beson më as syve, as veshëve, as kohës dhe hapësirës, dhe pa fjalë, me lot, me përqafime aq të përmallshme, e pyetnin njëri-tjetrin për vitet e kaluara…
Tema boshte e këtij takimi ishte “Nëna Loke”, Drane Bojaxhiu, dhe Agëja, halla ime, të cilat unë kurrë nuk i kam takuar dhe njohur personalisht! Mendoni çfarë apsurdi!?
Ata të dytë më shikonin mua, pastaj njëri-tjetrin, pastaj diku në hapësirë, ndoshta edhe drejt Shqipërisë, Tiranës, ku ishte zemra e thyer e dy femrave tashmë të robëruara, të sistemit i cili nuk lejonte kurrfarë komunikimi familjar, njerëzor…
Nga goja dhe zemra e tyre ngrihej vetëm një klithje: O Zot, oj Nëna Loke!!!
Përshtypja ime e parë ishte kjo: një përjetim i jashtëzakonshëm.
Pastaj me kalimin e viteve jemi njohur më për së afërmi nëpërmjet letrave, bisedave telefonike… Gati për çdo vit shiheshim në Romë, sepse ajo vinte gjatë muajit maj për kushtet rregulltare të motrave të saja.
Pas vdekjes së babait tim shkoja unë rregullisht për ta parë në Romë. Marrëdhënia jonë ishte një dashuri e madhe shpirtërore. Ajo nuk ishte si ndonjë hallë klasike… Ishte udhëheqësja ime shpirtërore, me jepte qetësi dhe siguri në jetë…
Don Lush Gjergji: Pas vdekjes së babait Lazër në janar të vitit 1981, pastaj të Nënës Tereze më 5 shator 1997, çfarë kuptimi kishin për ty këto dy vdekje, ose më mirë të themi këto dy “kalime në amshim?”.
Si i ke përjetuar ti?
Pas vdekjes së babait tim kam përjetuar një vetmi dhe zbrazëti të madhe, sepse ishim ai, nëna ime dhe unë, nuk kishim më asnjë anëtarë tjetër të familjes… Ishte dhembje e madhe…
Vdekjen e Nënës Tereze e kam përjetuar thellë… Nëna ime Maria ka vdekur në vitin 1993 pas vuajtjeve të shumta…
Kurdo që Nëna Tereze ishte e sëmurë, unë shkoja në Indi për ta parë, për t’u shoqëruar me të në spital, në klinikë, në kuvend. Për mua ishte hiri i Zotit që të rrija së bashku me të për një kohë të gjatë. Luteshim së bashku, bisedonim…, sepse kur ishte mirë me shëndet, nuk kishte kohë për këtë.
Ajo e pranonte vuajtjen me fe, kurrë nuk ankohej, ishte gjithnjë e dëgjueshme. Pati shumë dhembje, vuajtje, sëmundje, por të gjitha i pranonte dhe ishte shumë e disiplinuar me mjekë, me personelin, e përvuajtur, e dëgjueshme, e përsosur…
Kur afrohej fundi, nuk mund ta harroj kurrë takimin tonë të fundit, diku katër apo pesë muaj para vdekjes, më tha se ndoshta nuk do të shiheshim më…
Unë i premtova se do të shiheshim në maj në Romë, por nuk shkova, sepse isha e sëmurë dhe me temperaturë.
Në këtë takim Shkuan bijtë e mi, Domeniku dhe Maksimiliani. Herën e fundit që jemi parë më tha kështu: “Tashmë do të mbetesh vetëm ti, sepse vetëm ne dyja jemi nga familja jonë Bojaxhiu. Pas vdekjes time do të mbetesh vetëm ti, s’ka më askush nga familja jonë…”.
Sytë e saj ishin të përlotur, por edhe plot me shpresë, edhe më tepër me siguri për amshim, jetën e pasosur. Më fliste për kalimin në amshim, apo si i pëlqente asaj të shprehej, “për kthimin në Shtëpinë e Atit”, si për ndonjë kalim prej dhomës në dhomë, me aq shumë bindje dhe fe, sa që unë mbetesha e habitur…Më thoshte që së shpejti do të jetë te Zoti me babën Kolë, Nënën Loke, me motrën Age, me babën tim…, me shumë familjarë që unë nuk i njohja fare…
Nëpër sytë dhe zemrën e saj unë, të them kështu, e kam “parë vetë Zotin”, i kam “parë dhe përjetuar” të parët tanë, ata që tashmë e gëzojnë parajsën, amshimin… Për këtë dhe për shumëçka tjetë, unë nga zemra e falënderoj Hallën time të madhe dhe të pavdekshme, Nënën Tereze!
Don Lush Gjergji: Si është për Ty t’i lutesh hallës tënde, të Lumes Nënës Tereze?_
• Për mua ajo është shenjtëreshë, uroj që së shpejti të shpallet Shenjte. I lutem asaj si edhe shenjtërve të tjerë, si p. sh. Shën Rozalisë së Palermos…, si shumë shenjtërve apo shenjtëreshave tjera, por kuptohet me një ndjenë të veçantë. I them asaj kështu: E lumja Nëna Tereze, ti më di, të njeh, ti më do, prandaj, edhe më ndihmo!
• Pas shenjtërimit të Nënës Tereze më 4 shtator 2016, ajo ndër të tjera më tha kështu: “Don Lush, tash e kemi Shenjtëreshën tonë, Shën Terezen që na përcjell nga qielli. Jeta im, besoj edhe e jotja, tash ka arritur kulmin e gëzimit. Për mua Halla është Shenjtëreshë, për Ty personi që e ke përcjell dhe ke shkruar vite të tëra, është Shenjtëreshë. Le të lutet për ne!”
Don Lush Gjergji: Çka të ka mbetur Ty si përvojë, si mbresë dhe kujtim nga e madhja Nëna Tereze, Nëna e botës së vuajtjes, e të varfërve ndër më të varfër, ajo që e njihte dhe e dashuronte Jezu Krishtin në çdo njeri? Çka ka mbetur si testament i përvojës tënde me te?
• Lidhja ime me të ishte e veçantë. Pikësëpari më ka mbetur në shpirt feja e madhe e saj. Unë jam martuar me burrin tim që 42 vjet… Nënën Tereze e kam pasur dhe e kam si pikë orientuese në jetën time. Unë e ndiej dhe e përjetoj se ajo është afër meje, me jep guxim, vullnet për jetë dhe për veprimtari…Unë nuk e bëj të madhe këtë duke thënë se jam mbesa e Nënës Tereze, për ta pasur ndonjë nderim të veçantë…
Po, ndihem se jam e privilegjuar nga ky fakt, nga vetë Zoti, që e pata hallën time, nuk po them si mësuese, por si pikë orientimi për jetën dhe për veprimtaritë e mia..
Don Lush Gjergji: E ke thënë në fillim se Nëna Tereze e pati këtë dhembje të tmerrshme që për së gjalli të ndahej prej Nënës Drane dhe motrës Age, si dhe për shumë viti nuk dinte asgjë as për vëllanë Lazrin, babën tënd. Këtë nuk ia tregonte gati askujt. Për shpërblimin Nobel në Oslo ishim së bashku një familje shqiptare, Nëna Tereze, Lazri, Ti, Imzot Nikë Prela, unë… Për mua ishte diçka e jashtëzakonshme, heshtja e saj, vuajtja personale, familjare, kishtare, kombëtare… Ajo thoshte se e Premtja e Madhe nuk është mbarimi i Jezu Krishtit, por vetëm nisja e asaj që do të jetë ngjallja, Pashkët. Ti si e përkujton këtë gjendje?
• Këtë gjendje e ka përjetuar mbi të gjitha Nëna Tereze dhe babai im. Unë disi e kam përjetuar këtë anash, sepse kurrë nuk e kam njohur gjyshen time Dranen, as hallën time Agen. Aty-këtu kemi shkruar ndonjë letër, e kjo është diçka tjetër. Pastaj në Shqipëri duhej deshifruar atë çka shkruhej, lexohej. Ne dërgonim paketa me shumëçka, barna, gjëra ushqimore, veshmbathje, dhe ato i ndanim në dy pjesë, një për ushtrinë dhe policinë doganore, tjetrën për gjyshen dhe hallën…
Për Nënën Tereze ishte dhembje e madhe e cila duhet ta bënte një zgjidhje tejet të rëndë. Autoritetet e Shqipërisë thoshin kështu: Po, ne Ju lejojmë që të hyni në Shqipëri, mirëpo më nuk mund të ktheheni, duhet të mbetni këtu!
(Për herë të parë kam dëgjuar për këtë ngjarje dhe kombinim “djallëzor” dhe nuk di sa mund të jetë e vërtetë. E di se Nëna Tereze, si dhe shumë autoritete të asaj periudhe, si Sekretari i OKB-së U TANTI, kryetari i Francës De GOLLI, i SHBA-ve Xhon Keneedy, e shumë të tjerë kishin ndërhyrë pranë Qeverisë së Shqipërisë për t’ia lejuar Nënës Tereze hyrjen në Shqipëri, por pa sukses, vr. ime).
Dhembja e madhe dhe e vërtetë e Nënës Tereze ishte kjo : ajo duhet të zgjidhte mes të varfërve, të braktisurve, të mjerëve dhe të gërbulurve, apo Nënën dhe Motrën në Shqipëri.
Kjo ishte një zgjidhje tejet e vështirë dhe shumë e dhimbshme…
Këtë vuajtje ajo ia ka ofruar Jezu Krishtit për Kishën dhe popullin në Shqipëri dhe kudo në botë, për botën e të mjerëve…
Don Lush Gjergji: Nëna Tereze e kishte sigurinë e fesë, kishte një qetësi, si të fliste me telefon me Atin qiellor. Përpos shenjtërisë së saj, mirësisë, gatishmërisë për flijim dhe dhurim, ajo kishte aftësi të mëdha organizative….
• Ajo e ka vulosur frymën e saj në “Misionaret e Dashurisë” dhe kështu është dëshmuar madhëria e saj në vazhdimësi. Fatbardhësisht vepra e saj vazhdon edhe më tutje në mbarë botën…
Don Lush Gjergji: Për herë të parë flet para një publiku që të njeh fare mirë si emër, si mbesa e Nënës Tereze. Diçka çka dëshiron t’u thuhet njerëzve tanë si mbesa e Nënës Tereze?
• Jam gjysmë shqiptare e gjysmë italiane, sepse nëna ime Maria e lind. Sanguini-Bojaxhiu ishte italiane. Mirëpo në brendi, në shpirt ndihem gjithmonë shqiptare, sepse është një pjesë e imja që askush nuk mund të ma merr. Më vjen keq kur dëgjoj për ndonjë sjellje apo veprim jo të mirë të shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, në Kosovë, kudo…
Don Lush Gjergji: A do të thuash diçka tjetër?
• Jo unë nuk jam ndonjë mendimtare e madhe. Jam një person normal dhe kam pasur hirin e Zotit që të jam mbesa e një halle kaq speciale. Shpresoj që vepra e saj do të vazhdojë gjatë shekujve. Ajo thoshte gjithmonë kështu: Nëse Zoti do, vepra ime do të vazhdojë!
Don Lush Gjergji: Të falënderoj përzemërsisht për këtë bisedë, intervistë. Nëpërmjet teje më duket se i kemi takuar rishtas Nënën Tereze, Imzot Nikë Prelën, bacën Lazër si dhe mbarë familjen e madhe dhe të bekuar Bojaxhiu. Edhe një pyetje: Si i ke përjetuar filmat dokumentar, artisti, botimet, fiction mbi Nënën Tereze?
• Është vështirë të paraqitet jeta shpirtërore, brendia, thellësia e jetës dhe e veprës së saj. Nëna Tereze e dinte se çka donte dhe e zbatonte gjithmonë vullnetin e Zotit, planet e saja. Ajo kishte guxim të thoshte dhe të ishte vetvetja…
Nga përvoja dhe shërbimi misionar në Indi kishte kuptuar se Zoti është Dashuri, prandaj misioni i saj, por edhe yni, motrave është ky: t’u dhurojnë të gjithëve Dashuri – Zotin. Të gjitha për Zotin dhe për Njeriun, pa dallime…
Ah, gati harrova: Të falënderoj për këto gjashtë vëllime të mrekullueshme kushtuar Nënës Tereze në tri kutia, me plotë fotografi, shkrime, përshkrime… Vërtet nëpërmjet tyre Ti ma “solle” sot në Palermo Nënën Tereze, babën tim, Lazrin, nënën time, Marinë, pastaj edhe personat që unë nuk i njoha kurrë personalisht, si “Nënën Loke”, Drane Bojaxhiun, hallën time Age Bojaxhiun, e shumë të tjerë! Tash jam në “shoqëri” të mirë, me këta njerëz të dashur, me Zotin, me burrin tim Giuseppe, apo “Beppe” si e quante Nëna Tereze, me bijtë e mi, me Ty! (Bashkëshorti i saj ka vdekur disa vite më vonë, vr. ime)
Nga zemra të falënderoj për këtë takim, sepse e kemi prekur “damarin e zemrës”, jemi shmallur dhe freskuar… Po e përfundojmë takimin tonë me thënien e Nënës Tereze: Zoti na bekoftë!
Palermo, 18. 09. 2008
Don Lush GJERGJI
Prishtinë, 17 nëntor 2021 Radio Maria – Kosovë