Rruga drejt Uashingtonit për dialogun Prishtinë – Beograd, për Presidentin serb Aleksandër Vuçiç mesa duket kalon nga Moska. Të parin takim që bëri dy ditë pas zgjedhjeve që i dhanë partisë së tij një tjetër shumicë të konsoliduar parlamentare, Vuçiç e bëri në Moskë me homologun Vladimir Putin.
Siç njofton edhe vetë në një postim në Instagram, nga shefi i Kremlinit ka marrë këshilla të vyera dhe mbështetje për këtë çështje. Vuçiç shkruan se Putini i kishte dhënë mendimin e tij në një mënyrë të mençuar, para së gjithash duke respektuar pikëpamjet e Serbisë. Po ashtu Presidenti serb thotë se i është mirënjohës Putinit për opinionet lidhur me këtë çështje.
Vuçiç ishte i ftuar në Paradën e Fitores me rastin e 75-vjetorit të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pas ftohjes së marrëdhënieve me Perëndimin vitet e fundit, në të tilla ngjarje Putin ka ftuar vetëm liderët e vendeve ish-sovjektike dhe të shumë pak vendeve të kontinentit që ruajnë akoma relata miqësore me Moskën.
Edhe pse është vend kandidat për antarësim në BE, Serbia ka intensifikuar bashkëpunimin me Rusinë vitet e fundit, veçanërisht atë ushtarak duke refuzuar antarësimin në NATO. Beogradi nuk e ka mohuar që është gati të heqë dorë edhe nga BE-ja për të mos e humbur Kosovën.
/a.r