• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, August 4, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Paqe mediokre

by Ilir Yzeiri
02/06/2017 18:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ilir Yzeiri

Miku im francez Gilles de Raper që erdhi në Tiranë për të promovuar një numër special për studimet etnologjike franceze kushtuar etnologjisë shqiptare, më tregonte se kishte lexuar novelën “Fshati im e pi rakinë” të Mitrush Kutelit, përkthyer shumë bukur nga Klara Buda në frëngjisht dhe kishte mbetur i mahnitur. E lexova dy herë, më tha ai, edhe në shqip dhe vërtet jam mrekulluar. Ai di shqip po aq mirë sa ne. Dhe unë, i gjendur bosh, pa asnjë lloj emocioni, i mbytur në atmosferën pa ngjyrë e pa shije që ka Tirana këto ditë, m’u duk se gjeta një fije shpresë për të dalë nga bataku i monotonisë dhe sapo u ndava prej tij, me vrap mbërrita në shtëpi gjeta vëllimin e vjetër “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, që ai e botoi në vitin 1943, ku është botuar kjo novelë dhe nisa ta lexoj përsëri. Është e vetmja që mund të lexohet në këtë kohë dhe është e vetmja që e tregon shumë bukur natyrën tonë prej njerëzish gjysmë të dehur e gjysmë të marrë. Në atë novelë, Kuteli, në mënyrë mjeshtërore, ka parodizuar me ironi e me humor të ëmbël natyrën e shpenguar, jetën si në ajër e pa peshë të një qyteti në kodër ose të fshatit siç e quan ai, të cilët kanë krijuar mitet dhe heronjtë e tyre që nuk janë ndeshur më kundërshtarët me dyfek, po me shishen e rakisë. Fshati është gjithë kohës në ajër dhe bota e vizatuar ashtu nën avujt e rakisë që ka përfshirë të gjithë njerëz e kafshë, fëmijë e gra, të gjallë e të vdekur është më gazmore, më e bukur se bota e njerëzve realë e të zymtë, të pandikuar nga avujt e rakisë. Por kjo është një histori tjetër.

Nëse do të mundohesh të tregosh apo të analizosh se çfarë ndodh këto kohë në Shqipëri, pra çfarë fushatë elektorale po bëhet këtu, për çfarë flasin drjtuesit e partive elektorale, çfarë premtojnë dhe çfarë nuk duan, gjëja e parë që të bie në sy është se të gjithë kërkojnë vetëm një gjë- të jenë të parët. Pra gjithë lufta e tyre ka vetëm një qëllim – kush do të dalë i pari. Kush do ta sfidojë tjetrin. Të krijohet përshtypja se pas marrëveshjes Rama – Basha në Shqipëri nuk ka më luftë politike, po një paqe të neveritshme e bajate. Ashtu si në novelën e Kutelit, fshati është në ankth për të treguar se si do ta mundë fshatin tjetër në punë të rakisë, pra cili ka pijetarin më me famë dhe më të madh dhe shqiptarët po shohin tani një garë me sarahosha politikë që nuk kanë asnjë program tjetër dhe asnjë ambicie, po vetëm një motiv: kush do të dalë i pari dhe kush do ta mundë tjetrin.

Edi Rama duket se është më i lumturi nga kjo paqe dhe, në ekstazë e sipër, të gjitha takimet elektorale i ka kthyer në monologë estradash dhe ndër batutat më të spikatura është sidomos ajo kur u thotë atyre që e dëgjojnë se nëse nuk e votojnë PS-në do të detyrohen të shohin pastaj policin që ha fara. Pastaj historitë me mediat e katundit dhe batutat e tjera nuk tregojnë vetëm një rënie stili, por na rrëfejnë se Shqipëria jonë nuk ka ndryshuar shumë nga ai fshati i Kutelit që kishte kult garën me rakinë.

Në anën tjetër PD-ja ka shkaktuar një gaz edhe më të madh. Në pjesën më të madhe, të gjithë u morën me heqjen nga lista të disa figuarave me peshë nga gara për deputet, por askush nuk vuri re një fakt skandaloz. PD-ja e paraqiti listën e deputetëvë në KQZ me mangësi të dënueshme penalisht. Kjo ngjarje hedh dritë mbi një anë tjetër të shoqërisë sonë. Zyra e Lulëzim Bashës, në një farë kuptimi, është zyra e kryeministrit të ardhshëm, pra aty mendohet se shteti duhet të paraqitet me formën e tij më efikase. Nga ato zyra, qoftë edhe formalisht, nuk duhet të dalë asnjë produkt kompromentues, sepse fushata fillon që aty, me modelin që paraqit kjo forcë politike që nesër do të drejtojë shtetin shqiptar. Mirëpo, si mund të besojnë shqiptarët se kjo forcë politike është serioze kur ajo nuk ka vetëdijen e duhur për formën e shtetit dhe seriozitetin e tij. Mendoni se si mund t’i bëjë nesër punët kjo forcë politike kur ajo punën më të shenjtë dhe më serioze që ka një forcë politike, përzgjedhjen e kandidatëve, përgatitjen e dokumentacionit përkatës e bën si të ishte një kompani mashtruese trafikantësh. Mendoni si mund t’i organizojë nesër tenderat kjo qeveri që mund të vijë nga PD-ja dhe mendoni se çfarë mund të bëhet me të mirat publike të këtij vendi. Shoqëritë njerëzore moderne dallojnë nga ato barbaret sepse të parat e kanë formalizuar jetën dhe veprimtarinë shoqërore dhe të dytat nuk e njohin formën e shtetit, por njohin vetëm forcën.
Dhe në fund si për ta vulosur ngjashmërinë e katundit tonë të madh me fshatin e Kutelit, fushata që ka nisur ka edhe një pamje groteske. Ilir Meta shfaqet në një video duke kërcyer me Baftjarin. Ky personazh pak i lehtë që pranon të vihet në lojë për shkak të një vonese mendore dhe që kënaq humorin e Ilir Metës të kujton atë stilin primitiv dhe dualizmin – i kamur, i varfër. Sipas turbofolkut shqiptar, beu, zengjini, i kamuri, banditi ka nevojë për zbavitje dhe për t’u treguar të tjerëve se ai është në këmbë të Zotit në tokë dhe ta ndryshon fatin si me dorë. Por ai ka nevojë për zbavitje dhe kultura e zengjinëve tanë janë çingijet, dajret dhe njerëzit e leshtë që hedhin valle para beut që fërkon barkun dhe fshin lyrën që i rrjedh buzëve të trasha.

Në Shqipëri nuk diskutohet për programe apo pë ride. Nëse bota po tronditet nga prishja e Marrëveshjes së Parisit për klimën, të ne nuk ka asnjë problem. Ka Diell Perëndia sa të duash dhe erë lumi e mali sa të mbytet mileti. Nëse bota diskuton për emigrantët, terrorizmin, për ekonominë dhe ndryshimet që po pëson planeti, për ne këto janë llogje Kavaje. Ne luftojmë që të mos kthejmë më policin që ha fara në semafor, ne shtyjmë përpara këtë botë të vjetër me Tritan Shehun eri dhe në sfond kemi këngën e Baftjarit. Të gjithë kanë shpallur se duan të qeverisin të vetëm, sepse në shqiptarët, në thelb, jemi popull egoist dhe nuk dimë të bashkohemi për të qeverisur. Qeverisja për ne është garë si në fshatin e Kutelit për të zënë vendin e parë si pijetar. Qeverisja për ne nuk është shërbim, por ndeshje gjelash apo luftë cubash. Ndaj edhe nuk flet kush për programe, por të gjithë dëgjojnë se cili do të jetë më i fortë dhe cili do ta mundë tjetrin. Ne të gjithë jemi në shkallët e një ringu dhe duke ngrënë fara argëtohemi me gjelat që zihen e hidhen përpjetë. Jashtë është vërtet paqe, por një paqe mediokre e pështirë.

Next Post
PD akuzon kreun e bashkisë Pukë: Dhunoi e bastisi biznesin e kreut të grupseksionit të PD

PD akuzon kreun e bashkisë Pukë: Dhunoi e bastisi biznesin e kreut të grupseksionit të PD

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tifozët e Spartak Moskës kundër afrimit të Dakut, slogane fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës

Tifozët e Spartak Moskës kundër afrimit të Dakut, slogane fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës

August 3, 2026
Përhapja e zjarreve në fshatin Opar të Maliqit, përfshihen nga flakët dy banesa

Përhapja e zjarreve në fshatin Opar të Maliqit, përfshihen nga flakët dy banesa

August 3, 2026
Zelensky shkarkon ambasadoren ukrainase në SHBA

Zelensky shkarkon ambasadoren ukrainase në SHBA

August 3, 2026
Gruaja që donte trenin në Sazan

Më vjen turp, për ty, Albin

August 3, 2026
William dhe Kate çifti më i dashur! Mbreti Charles fiton popullaritet, Meghan jo e preferuar

William dhe Kate çifti më i dashur! Mbreti Charles fiton popullaritet, Meghan jo e preferuar

August 3, 2026
FOTO/ Zjarri në Golem, gjashtë persona përfundojnë në spital pas asfiksisë nga tymi

FOTO/ Zjarri në Golem, gjashtë persona përfundojnë në spital pas asfiksisë nga tymi

August 3, 2026
Inovacioni teknologjik nxit pikat e reja të konsumit

Bordi i Paqes: Forcat izraelite do të tërhiqen nga lindja e Gazës pasi të çarmatoset Hamasi

August 3, 2026
“Hakerat tentuan të hyjnë në e-mailin e Dumanit”, SPAK zbardh detajet: Sistemi i IT-së nuk u prek, janë marrë disa informacione…

“Shtëpitë u blenë me paratë e drogës”, familja Çela denoncon për shpifje në Itali ish-kreun e SPAK

August 3, 2026
Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?

Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?

August 3, 2026
Lamallari firmos masat/ Gjoba ndaj 3 noterëve dhe 2 ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme

Protesta, ministri Lamallari zbulon: Kam shpallur të tjerë “non-grata”, janë kërcënim për vendin

August 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com