Ati i Shenjtë, Papa Françesku, emëroi sot si Nunc Apostolik në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, imzot Charles John Brown, kryeipeshkëv titullar i Akuileas, deri tani Nunc Apostolik në Irlandë. Emërimi i ri vjen pasi Nunci Apostolik i Vatikanit në Shqipëri, imzot Ramiro Moliner Ingles e ka përfunduar misionin e tij diplomatik me 1 shtator 2016.
Imzot Charles John Brown, lindi në Nju Jork, më 13 tetor 1959. Kreu studimet e mëposhme akademike: Histori, pranë Universitetit të Notre Dame, Indiana (SHBA); Teologji, Universiteti i Oksfordit (Angli); Studime Mesjetare, Universiteti i Torontos (Kanada); Teologji Sakramentale, Universiteti i Shën Anselmit, Romë.
U shugurua meshtar më 13 maj 1989, në katedralen e Shën Patrikut, në Nju Jork, për Kryedioqezën e Nju Jork-ut. Nga viti 1989, deri në vitin 1991 ishte zëvendës-famullitar pranë famullisë së San Brendan, në lagjen e Bronks-it, Nju Jork, nga viti 1989 deri më 1991. Më 6 maj 2000, Imzot Charles John Brown u emërua Kapelan i Shenjtërisë së Tij, ndërsa në shtator 2009, Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.
Nga viti 1994 është zyrtar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Një emërim i rëndësishëm, pas problemeve, lindur ndërmjet qeverisë së Dublinit e Selisë së Shenjtë lidhur me shpërdorimet seksuale të të miturve nga ana e klerit, që tronditi Kishën në Irlandë e edhe atë në Romë. Më 3 nëntorin e vitit 2011, qeveria e Dublinit dha njoftimin për mbylljen e ambasadës pranë Selisë së Shenjtë.
ma.me