Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme dy restorante në qytetin e Librazhdit, të cilat ndodhen në breg të lumit Shkumbin.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë të dy objektet, të vendosura në afërsi të njëri-tjetrit.
Menjëherë në vendngjarje ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës, i cili është përballur me një situatë të vështirë për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, është bërë e mundur fikja e zjarrit tek njëri prej restoranteve, ndërsa operacioni vijon për shuarjen e flakëve tek objekti tjetër.
Deri në këto momente, nuk ka informacion të konfirmuar për shkaqet e rënies së zjarrit, dëmet materiale apo nëse ka persona të lënduar.
Pritet që në vijim të dalin detaje të tjera mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje.











