E regjistruar offshore në Nevis në ishujt Leeward, mëma e GFI, fitoi kontratë vetëm në Shqipëri, ndërsa nuk ia “varën” as shtetet afrikane. Raporti i financave se si e rriti GFI vlerën në bursë pas fitimit të kontratës në Shqipëri. Shitja e dyshimtë e aksioneve në shtator 2015 te Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP). Si GFI deklaroi humbje të larta në vitin e parë të aktivitetit, ndërsa Shoqata e Hidrokarbureve u ankua se kompania po e bënte markimin manualisht jo me pajisje të posaçme….
Kur kompania GFI International fitoi kontratën e koncesionit të markimit të karburanteve me qeverinë shqiptare në prill 2013, mëma e saj, Eurocontrol Tecnical Group, kishte një kapitalizim të ulët të tregut, ndërkohë që aksionet e kompanisë vlerësoheshin me rrezik të lartë. Vlera e aksioneve u rrit ndjeshëm pas fitimit të kontratës me qeverinë shqiptare, fillimisht nga 3 cent në 5 cent dhe më pas në 16 cent në mes të vitit 2015.
Një raport i financave i disa muajve më parë, kur po shqyrtohej mundësia për të prishur kontratën, hedh dritë mbi të dhënat e kompanisë mëmë të GFI në atë kohë, Eurocontrol Tecnical Group. Në kohën kur financat hartuan raportin, GFI Albania, zotërohej 70% nga Global Fluid International dhe 30% Petrolium Consulitng Sa. Global Fluid International zotërohet 100% nga Eurocontrol Tecnical Group Sa e cila është kompani e lisuar në bursën e Torontos. Eurocontrol Tecnical Group Sa është themeluar në Nevis në ishujt Leeward (parajsë fiskale). Adresa e kompanisë është P.O Box 556, Main Street Charlestown, Nevis me numër C.20985, përfaqësuar nga Z.Gad Goden ose Eli Zahavi.
Një studim i vitit 2013 nga nga Ubika research për kompaninë mëmë, gjeti se Kompania Eurocontrol kishte humbje 1 milionë dollarë në vitin 2012. Edhe në tremujorin e parë 2013 ka rezultuar me humbje 423 mijë USD. Humbjet u zvogëluan në tremujorin e dytë dhe në vazhdim për shkak të kontratës së nënshkruar me shtetin Shqiptar. Nga 1 milion dollarë humbje në vitin 2012, ato u reduktuan në 0,2 milion dollarë në fund të vitit 2013. Të ardhurat u rritën 3,8 milion dollarë në 2012 në 4,9 milionë dollarë në vitin 2013.
Raporti parashikonte që kontrata Shqiptare të implementohet totalisht dhe vlerësohet që të ardhurat e kompanisë do të arrijnë 8 milion USD. Kjo kontratë vlerësohej se ishte arritja më madhe dhe sinjifikative e kompanisë e cila do të sjellë fitime të konsiderueshme duke rritur çmimin në treg, dhe kompania nuk do të ketë nevojë të emetojë aksione të reja.
Biznesi i GFI është biznesi që ofron marzhin e fitimin më të lartë, dhe gjeneron flukse parash të larta (për gjithë kompaninë Eurocontrol). Ndërkohë, që aktualisht kontrata bazë e GFI është kontrata që ka me Shqipërinë.
Sipas NASDAQ, çmimi i aksionit në qershor të vitit 2013, kur u nënshkrua kontrata me Shqipërinë u rrit 67% duke kaluar nga 3 cent në 5 cent.
Me gjithë përpjekjet e kompanisë për të marrë kontrata me qeveri të tjera kryesisht me shtetet afrikane, ndërkohë që ka patur negociata edhe me Spanjen, kompania nuk raporton asnjë kontratë të re. Gjendja aktuale financiare e kompanisë nuk paraqitet shumë e mirë, kështu që kontrata më Shqipërinë është shumë e rëndësishmia për kompaninë, sipas materialit të financave .
Ecuria e aksioneve në bursë të Eurocontrol, 2012-2014
Në 4 shtator të vitit 2015 “Global Fluids International S.A. (GFI)” ka transferuar pothuajse të gjitha kuotat që kishte te GFI Albania (fillimisht kishte 75%), duke mbajtur vetëm 0.7% (Përqindja në kapital ishte “75,00” u be “,07″) te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave. Si rrjedhojë përqindja në kapital e PCP nga “25,00” u be “99,93” (shiko kontratën në fund).
Transferimi i kuotave nga GFI ka ngjallur debate për faktin se koncesioni i markimit të karburanteve u miratua nga qeveria në vitin 2011 me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Nuk ka pasur asnjë lloj transparence lidhur me këtë lëvizje të aksioneve, nga një kompani e specializuar tek një e panjohur.
Sipas marrëveshjes së transferimit të fondeve mes Global Fluids International S.A. (GFI) dhe Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP) rezulton se GFI është detyruar të kalojë kuotat e saj te PCP, pasi PCP kishte kontribuar e vetme në zmadhimin e kapitalit të regjistruar të shoqërisë, duke dhënë fondet për të dy ortakët.
GFI kishte nënshkruar për këtë qëllim një marrëveshje huaje me PCP, sipas të cilës, në rast se huaja me një shumë principale prej 277 mijë euro dhe 477.75 mijë dollarë (rreth 435 mijë euro me kursin aktual) përdorur për të zmadhuar kapitalin e pjesës së GFI nuk shlyhet, atëhere PCP do të bëhet zotëruese e kapitalit respektiv të zmadhuar sipas kësaj shume. (në euro shuma totale është rreth 711 mijë)
Në bazë të termave të kësaj marrëveshjeje, GFI ka transferuar te PCP 99.912% të pjesës së kapitalit të shoqërisë të regjistruar prej saj.
Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), është një kompani e themeluar në Baar, Zug Zvicër, përfaqësuar rregullisht nga z. Francois Morax. Kompania nuk ka faqe interneti dhe nga një kërkim në google del vetëm adresa e zyrave të saj në Baar, Zvicër.
Biznes jo fitim prurës?! Kompania, të ardhura më pak se 1 milionë euro në 2014, humbje 1.3 milionë euro
Për 2014-n, viti i parë kur filloi aktivitetin e markimit në Shqipëri, GFI ka raportuar në bilanc të ardhura prej gati 1 milionë euro (140 milionë lekë), ndërsa humbjet ishin më të larta, rreth 1.3 milionë euro (183.6 milionë lekë). Humbjet kanë ardhur për shkak të shpenzimeve të mëdha operative, kryesisht blerjes së lëndës së parë për markimin e karburanteve.
Ndërkohë, Shoqata e Hidrokarbureve është ankuar te Ministria e Financave në nëntor 2015 se kompania nuk po plotëson asnjë nga detyrimet kontraktore, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncensionare është shkelur në të gjitha pikat. Në kontratë midis Ministrisë së Financave dhe GFI, shtojca 4, përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual ose automatik dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, njofton Shoqata, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gr për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.
Aktorët e tregut pohojnë se shpenzimet e mëdha të deklaruara nga kompania janë të pajustifikueshme, për shkak se markuesi nuk kushton më shumë se 2000 euro për ton, ndërkohë që GFI raporton në bilanc shpenzime të mëdha për blerjen e lëndës së parë.
Në dhjetor 2015, GFI Albania ndërpreu për një ditë procesin e markimit të karburanteve, duke bllokuar furnizimin me naftë në vend, pasi në bazë të një VKM të Këshillit të Ministrave të vitit 2013, autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari. Konflikti ka nisur, pasi kompania ka kërkuar markimin e naftës bruto, siç parashikohej dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013, një biznes ky që do I siguronte kompanisë dhe 10 milionë euro të ardhura në vit.
Konflikti u zgjidh shpejt, por ai tregoi se si një kontratë që në çdo hap ka qenë e dyshimtë arrin të cënojë interesat kombëtare të një vendi (furnizimin jetik me karburant). Monitor