Edicionin e 67-të të Panairit të Librit në Frankfurt organizatorët e kanë cilësuar si më të “suksesshmin ndër vite”. Drejtori i këtij evenimenti, Jürgen Boos, ka thënë se 276 mijë njerëz e kanë vizituar panairin këtë vit, që është 2 për qind më shumë sesa në vitin 2014.
Organizatorët kanë thënë se pjesëmarrja është rritur për 4 për qind gjatë fundjavës, kur panairi kishte hapur dyert për publik, pas tri ditëve që i janë kushtuar ekskluzivisht gazetarëve dhe njerëzve të brendshëm të industrisë së botimeve, transmeton DË.
Evenimenti është mbyllur të dielën pasdite, kur është ndarë edhe “Çmimi i paqes”, të cilin e ka marrë shkrimtari dhe eksperti gjerman i çështjeve të islamit, Navid Kermani.
“Çmimi ka shkruar në duart e atij që ka dhënë kontribut për mirëkuptim midis religjioneve dhe krijimin e një shoqërie të hapur evropiane. Zëri i tij është i fuqishëm”, thuhet në arsyetimin e Shoqatës së Botuesve të Gjermanisë, e cila e ndan këtë çmim.
“Shkrimtarët, gazetarët dhe organizatat joqeveritare luftojnë për qëllime të njëjta dhe kjo shumësi zërash është fuqi në luftën kundër ndezjes së nacionalizmit dhe zbehjes së solidaritetit”, ka thënë laureati i këtij çmimi.