Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shpallë sot vendimin për gjyqtaren Fatmira Hajdari.
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës u përball të hënën në KPK me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me pronat, me ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
***
Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.
Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane, që përshkroi në detaje kundërshtimet mbi gjetjet në kriterin e pasurisë.
Dhe një të tretë vetë, duke i dhënë nota emocionale historisë së saj dhe duke shpjeguar po emocionalisht se problemet me pasurinë vinin kryesisht nga veprimet e të birit, por që sipas saj nuk kishte bërë shkelje të ligjit.
“Jam e pastër, nuk e kam shkelur ligjin”, tha Hajdari gjatë fjalës së saj në seancë dëgjimore.
Rivlerësimi për Hajdarin u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.
Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht.
Viza e revokuar
Edhe pse u përmend në fund sipas kronologjisë, dy vizat e revokuara nga Ambasada e SHBA në Tiranë ishin temë kryesore në mbrojtjen e Fatmira Hajdarit. Relatorja Çiftja tha se vizat nuk ishin deklaruar si të revokuara dhe se Hajdari kishte shënuar me “Jo” pjesën e formularit për pastërtinë e figurës në të cilin pyetej nëse i ishte refuzuar hyrja në ndonjë vend të BE apo Aleancës së Atlantikut.
Sipas relatores Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë fillimisht një raport pozitiv për Hajdarin, por pasi Komisioni kishte gjetur revokimin e vizave në pasaportën e Hajdarit, ky raport ishte ndryshuar.
Çiftja tha se Hajdari nuk kishte thënë të vërtetën në formular ndërsa në raportin e dytë DSIK doli në përfundimin se ajo kishte kryer “mosdeklarim, fshehje dhe kishte plotësuar me pavërtetësi formularin”.
Avokati Maks Haxhia që mori përsipër të mbronte këtë pjesë të barrës së provës, tha se qëndrimi i Komisionit dhe raporti i dytë i DSIK ishin gabim. Ai pretendoi se nuk kishte refuzim hyrje, por sipas tij një revokim të vizës deri në përfundimin e procesit të vetingut. Haxhai tha se këto ndryshonin nga njëri tjetri.
Haxhia dhe më pas Hajdari pretenduan një rrjedhë ngjarjesh që sipas tyre ua kishte bërë të pamundur të dinin më 26 janar 2017 (dita e dorëzimit të formularit) se viza u ishte revokuar. Hajdari tha se kishte marrë një telefonatë nga ambasada në të cilin i ishte kërkuar pasaporta dhe se më pas kur kishte marrë pasaportën konsulli i kishte thënë që kishte revokim të vizave dhe se kjo bëhej për shkak të “procesit të vetingut”.
Nga ana e saj relatorja vuri në dukje deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë për revokimin e vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”, thuhet në deklaratën e bërë më 26 janar, ditë kur edhe Hajdari thotë se ka dorëzuar formularin. Aty po ashtu thuhet se vendimi i revokimit ishte bërë para procesit të vetingut.
Hajdari tha se nuk e dinte për revokimin më 26 janar. “Atë ditë shkova të dorëzoj formularin. Kishte rradhë te liqeni (zyrat e DSIK-së)”, tha Hajdari ndërsa shtoi se vendimin për revokim e kishte mësuar disa ditë më vonë.
Më herët KPK dhe KPA e kanë konsideruar si shkelje shkarkues mosdeklarimin e revokimit të vizës, ndërsa kjo është interpretuar në të gjitha rastet si ndalim hyrje.
Shtëpia dhe pallati
Relatimi mbi pasurinë kryesore të familjes, një pallat 10 katësh në të cilin ata kishin 12 apartamente dhe 3 njësi shërbimi, ishte edhe strëmbullari rreth të cilës u vërtit pjesa më e madhe e relatimit. Çiftja vuri në dukje një sërë elementësh që ishin gjetur, përfshirë disa mosdeklarime, ndërtimin e paligjshëm, ndërtimin mbi pronë që nuk ishte e familjes dhe mungesën e burimeve e dokumentacionit justifikues.
Sipas Çiftjas pallati që ishte në zonën e njohur si “Vilat Gjermane” në kryeqytet ishte nisur të ndërtohej në vitin 2012 pa leje. Vetëm me shpenzimet e familjes – rreth 207 mijë euro, ai ishte ngritur pesë kate karabina. Më pas ishte bërë marrëveshje me një person të tretë i cili kishte marrë përsipër të ndërtonte 5 katete e tjera dhe përfundonte pallatin, i cili do të merrte ½ e tij.
Problemi i parë sipas relatores ishte zgjerimi i padeklaruar i tokës në pronësi të familjes. Nga relatimi rezultoi se kjo kishte pasur në fillim një truall rreth 549 metra bashkë me një shtëpi të blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 1993, por që më pas ishte shtuar me 145 metra përmes një vendimi gjykate dhe 150 m2 të tjera përmes legalizimit. Sipërfaqja në total rreth 900 metra ishte përdorur nga i biri i gjyqtares për të nisur ndërtimin e pallatit.
Burime për këtë pasuri ishin pjesërisht (139 mijë euro) nga kontrata e shitjes së aktivitetit lokal në Qytetin Studenti për 168 mijë euro dhe 10 milion lekë nga një ndërtues – dhënë në mirëbesim në formë kleringu (beton) dhe më pas marrëveshja me ndërtuesin për mbarimin e investimit.
KPK vuri në dyshim qoftë të ardhurat nga shitja e lokalit, qoftë marrëveshjen për 10 milion lekë me ndërtuesin, për të cilin Komisioni tha se nuk kishte kontratë dhe as dokumente. Po ashtu u tha se ky i fundit nuk kishte deklaruar asnjë shitje ndaj djalit të Hajdarit dhe se nuk i kishte deklaruar këto para në bilance.
Pas mbrojtjes teknike nga avokatja që përmendi fletë-hyrje për betonin që ishin gjetur dhe faktin se ndërtuesi kishte marrë në shkëmbim një apartament në fund të ndërtimit dhe argumentimin pse të ardhurat nga lokali duhej të konsideroheshin të ligjshme, vetë Hajdari mbrojti veprimin si diçka që ishte nxitur nga koha, nga legjislacioni për ndërtimet pa leje dhe nga të afërm që i kishin sugjeruar ndërtimin.
Ajo pretendoi se i biri në përpjekje për ta ndihmuar i kishte hapur pa dashje telashe, ndërsa tha se gjithçka diskutohej vërtitej rreth tij. Hajdari tha se djali i kishte premtuar se nuk po bënte “asgjë të paligjshme”.
Por gjykatësja pranoi në fjalën e saj se nuk e kishte deklaruar ndërtimin pa leje dhe shumat e lidhura me të, pasi ky i fundit mund të prishej si ndërtim i paligjshëm.
“Ne nuk e dinim nëse do të arrihej të ndërtohej dhe morëm parasysh rrezikun se mund të prishej”, tha Hajdari.
Ajo pretendoi se edhe ortakët në këtë biznes ishin futur me këto pritshmëri dhe se shpenzimet nëse ndërtimi prishej do u mbeteshin palëve.
Zënies së pronës shtetërore nga ky ndërtim Hajdari iu referua si një e drejtë që kishte lindur prej posedimit për një kohë të gjatë. Duke e lidhur këtë posedim me një rrethim të hershëm të bërë për sigurinë e saj dhe të familjes, ajo tha se kishte pasur gjithmonë bindjen se “prona ishte e imja”.
E pyetur nga komisionerja Firdes Shuli nëse kishte pasur ndonjë akt për posedimin të çfarëdo forme, Hajdari iu referua sërish rrethimit të bërë për të siguruar familjen dhe ndryshimit të relievit në zonë pas ndërhyrjes për rrugë dhe bindjes së tyre se ishin në tokë private. Ajo tha se vetëm kur ishte bërë azhornimi kishin kuptuar se 150 metra ishin tokë shtetërore.
Hajdari pretendoi se nuk kishte bërë “asnjë shkelje”, ndërsa tha se “Falë Zotit gjeta faturat e betonit”. Ajo pretendoi se ndërtuesit që ndihmuan të birin e kishin bërë këtë në emër të kujtimit për babain.
Ndihma financiare për familjen nga të afërm apo dashamirës të deputetit të vrarë në shtator 1998 u përmend edhe nga Haxhia për të justifikuar pasuritë e vëna. Vetë Hajdari tha se posedimi i një apartamenti të blerë me “një kredi VIP-ash” në vitet 2000 ishte bërë si “kortezi” nga kryeministri socialist i kohës. Ky i fundit sipas saj kishte shkuar për ngushëllime dhe kishte parë se shtëpia prej druri në të cilën jetonte familja – e identifikuar nga KPK si vilë, kishte probleme.
Hajdari tha se ajo kishte probleme instalimi të energjisë dhe ishte rrezikuar të digjej. Gjyqtarja tregoi se me premtimin për kredi 2.5 milion lekë nga kryeministri socialist ishte marrë kunati. Kredia në letra ishte përdorur për të blerë një apartament të cilin kunati ia kishte dhuruar asaj, por defakto ishte shfrytëzuar për rinovimin e shtëpisë.
Apartamenti në fjalë ishte shitur për më pak para se sa ishte i deklaruar si vlerë në letra dhe paratë e tij ishin përdorur për të blerë një dyqan në rrugën e Elbasanit. Transaksionet e ngatërruara sipas KPK-së nuk ishin deklaruar plotësisht. Vetë Hajdari dhe mbrojtësit e saj pranuan se 10 mijë USD të deklaruara si dhurim ishin në fakt para prej qirasë së lokalit, pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Lokali dhe bilancet
Një prej burimeve të deklaruara për ndërtimin e pallatit ishte sipas KPK dhe një kontratë për shitjen e një aktiviteti biznesi rreth 168 mijë euro nga i biri. KPK tha se bëhej fjalë për një lokal të marrë me qira nga ministria e Ekonomisë në vitin 2009, por të deklaruar si të ndërtuar me një kredi të marrë në vitin 2007.
KPK vuri në dyshim që kredia ishte përdorur për lokalin, ndërsa tha se mungonin preventivët për ndërhyrjen dhe se kishte disa mosdeklarime. Po ashtu u vu në dyshim kontrata për shitjen e aktivitetit. Sipas komisionit pasi kishte marrë me qira në vitin 2009 mjedisin 300 metra djali i gjyqtares kishte hapur një lokal. Mjedisi ku ndodhej lokali i ishte kthyer në vitin 2012 pronarëve. Ndërsa një palë e tretë ishte ofruar për blerjen. Në kontratën trepalëshe sipas KPK shitet ndër të tjera biznesi dhe punimet në të dhe fitimi i munguar prej kontratës së qirasë që Hajdari kishte me ministrinë.
KPK tha se lokali në vitet që ishte poseduar nga djali i gjyqtares nuk kishte gjeneruar fitime, duke vënë në dyshim çmimin e shitjes.
Avokatja e gjyqtares pretendoi nga ana e saj se në kontratë ishin vetëm kostot e rindërtimit dhe togfjalëshi “fitimi i munguar” ishte një mbetje prej një kontrate të mëparshme për të cilën palët nuk kishin rënë dakord dhe ku çmimi kishte qenë 200 mijë euro.
Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i cili ndërhyri vetëm një herë në fund të seancës ndaj Hajdarit, vuri në dukje pikërisht problemet me lokalin. Në një parashtrim të gjatë Jacobs, ironizoi se kishte lexuar dosjen e Hajdarit të dielën pasdite duke anuluar planet e tjera, ndërsa tha se mes shumë elementësh e kishte lexuar atë në një kënd të ndryshëm nga ekspertët duke shtruar pyetjen “Pse”.
Jacobs tha se një lokal në Qytetin Studenti i marrë me qira nga djali i Hajdarit, Kiri në vitin 2009, i kushtonte familjes vetëm në kosto qiraje dhe këstesh kredie 3.5 milion lekë, ndërsa kishte deklaruar një xhiro nga 2 deri në 3 milion lekë që nuk mjaftonte as për të mbuluar këto shpenzime. Ai tha se nga këto llogari biznesi ishte i dështuar. Ironikisht, Jacobs tha se nuk e dinte pse dhe si “një dështim ekonomik i tillë u shit për 168 mijë euro”.
Jacobs po ashtu vuri në dyshim edhe një kredi të marrë nga Hajdari dhe i biri për të vënë në punë lokalin. Ai tha se kredia 19 milion lekë ishte marrë në vitin 2007, ndërsa kontrata e qirasë me Ministrinë e Ekonomisë ishte nënshkruar në vitin 2009. “Unë nuk besoj te sferat magjike”, tha Jacobs, duke ironizuar se Hajdari nuk kishte pasur si ta dinte se çdo bëhej pas dy vjetësh.
Mbrojtësja e Hajdarit argumentoi se lokali në fakt ishte marrë në përdorim që prej vitit 2007 nga ish-drejtori i Qytetit Studenti, por se kontrata me ministrinë ishte nënshkruar dy vjet më vonë pasi gjendja e tij kishte qenë shumë e keqe dhe se nuk mund të jepej me qira pa u bërë ndërhyrja.
Hajdari vetë pretendoi se gjithë kredia e marrë ishte shpenzuar për të vënë në punë lokalin që ajo tha se ishte ende në punë dhe se mund të verifikohej. Ajo tha se i biri kishte bërë të gjitha ndërhyrjet dhe se ata si familje kishin humbur nga biznesi, pasi pak kohë pas kontratës se qirasë ministria ia kishte kthyer godinën pronarëve të ligjshëm dhe se marrëveshja me këta kishte qenë e detyruar vetëm për të marrë shpenzimin e kryer në lokal.
Hajdari tha se vijonte të paguante interesat e kredisë. Në mënyrë kontraverse megjithatë mbrojtja pretendoi se biznesi ishte i lakmuar dhe i vlefshëm. Në përpjekje për të kundërargumentuar atë që tha Jacobs mbi biznesin e dështuar, Haxhia tha se ai nisej nga “realiteti belg” dhe nuk merrte parasysh informalitetin e ekonomisë shqiptare.
Pasuritë e padeklaruara
Relatorja Etleda Çiftja vuri në dukje gjatë leximit të raportit të saj një mori rastesh në të cilat Hajdari nuk kishte deklaruar pasuritë në deklaratat vjetore, ndërsa theksoi se dy pasuri nuk ishin deklaruar asnjëherë.
Çiftaj tha se pasuria e parë e padeklaruar ishte një ullishte 950 metra në Durrës blerë në vitin 2002 për 800 mijë lekë dhe që zotërohej nga Hajdari në ½ e saj. Sipas hetimit Hajdari ka shitur më vonë pjesën e saj për 1.5 milion lekë e cila po ashtu nuk është deklaruar.
Hajdari u mbrojt duke thënë se e kishte harruar ullishten dhe pretendoi se nuk kishte pasur arsye të fshihte pasurinë. Ajo tha se toka ishte blerë me qëllim ndërtimi, por pastaj ishte hequr dorë pasi procedurat për leje dhe ndryshim i cilësimit të truallit ishin shumë të gjata.
Si i padeklaruar u cilësua dhe një apartament në rrugën Ali Visha i blerë nga djali i gjyqtares. Apartamenti 128 m2 ishte blerë sipas kontratës për 60 mijë euro, nga të cilat 20 mijë ishin paguar në dorë dhe 40 mijë ishin marrë kredi.
Më pas rezultonte që shitësit ose një ndërmjetës kishte kthyer në llogari të Hajdarit shumën prej 40 mijë euorsh, në dy këste, me të cilën ishte paguar kredia brenda vitit 2007.
Hajdari pretendoi se shumat ishin kthyer pasi djali kishte hequr dorë nga apartamenti. Ajo tha se ai kishte menduar fillimisht të jetonte vetëm për shkak të rrethanave familjare, por më pas kishte ndërruar mendje dhe kontrata për apartamentin ishte anuluar. Ajo tha se 20 mijë euro nuk ishin paguar asnjëherë dhe se ishin shënuar si të paguara në kontratë nga shitësi, për të mundësuar lëvrimin e kredisë prej 40 mijë eurosh.
Por sipas KPK nuk kishte asnjë provë për revokimin e kontratës dhe nuk kishte as një deklarim mbi këtë pasuri, për asnjë prej transaksioneve. Hajdari tha se për shkak se mbyllja ishte brenda vitit, nuk ishte bërë deklarimi.
Ngjashmërisht dhurimi i aksioneve të një kompanie për të birin nga “dashamirës të të atit” nuk ishte deklaruar. Kuotat me vlerë 1 milion lekë ishin dhuruar dhe djali i Hajdarit kishte qenë për një farë kohe ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë.
Hajdari pretendoi se i biri nuk ia kishte treguar këtë transaksion, ndërsa tha se kompania nuk kishte xhiruar asnjëherë fitime.
Në fund relatorja lexoi se nga analiza financiare rezultonin 11 vite me bilanc negativ. Specifikisht ajo lexoi se ishin identifikuar 52 milion lekë minus në bilancet vjetore, duke përfshirë hua të pajustifikuara dhe një sërë veprimesh të tjera. Relatoja nuk i vuri në të njëjtën listë shpenzimet e bëra për lokalin në vitin 2009 edhe pse tha se ky ishte po ashtu një vit me bilanc negativ, ndërsa përmendi në këtë bilanc edhe 10 milion lekë që supozohej se ishin marrë në formë kleringu nga një prej ndërtuesve në pallatin 12-katësh.
Relatorja megjithatë tha se bilanci ishte i hapur për ndryshime pas oponecës së Hajdarit.
Kjo e fundit pretendoi se ishin llogaritur shpenzime shumë të larta për shkollimin e fëmijëve që ajo tha se ishte bërë në shkolla publike në Francë dhe SHBA. Hajdari, që u fut të tregonte edhe detaje të jetës dhe udhëtimeve të saj, pretendoi po ashtu se mjaft prej tyre ishin paguar nga të afërm apo nga puna.
Ajo pretendoi pasjen e më shumë të ardhurave se sa ishin marrë në konsideratë nga KPK dhe ndihmën e dhënë nga të afërm dhe miq të bashkëshortit që kishin ndihmuar familjen në vijim pas vrasjes së tij.
/BIRN/