Më 12 Tetor do të mbahet seanca e posaçme plenare për projekt-rezulutën e PS-së për ngjarjen e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici shqiptar, Afrim Bunjaku dhe u plagosën 2 të tjerë.
Në Konferencën e Kryetarëve palët politikë janë përpjekur që të arrijnë një projekt rezolutë të përbashkët për Kosovën. Ndërkohë është pranuar propozimi i Gazment Bardhit që seanca e posaçme për Kosovën të mbahet të enjten më 12 tetor.
Më herët Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve ka kërkuar mbajtjen e një seance urgjente në Kuvend për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë. Por PS propozoi fillimisht që rezoluta dhe mocioni me debat të mbahet më 19 tetor, por më pas u ndryshua.
Në dokumentin e dorëzuar nga PS shprehet shqetësimi për situatën e krijuar pas sulmit ushtarak të një njësie terroristësh serbë. Rezoluta shpreh mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe paqen dhe sigurinë në rajon.
Mes të tjerash në rezolutë thuhet se Serbia duhet të heqë dorë nga veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Kosovës dhe të hapë një hetim serioz ndaj të gjithë organizatorëve.
Një draft-rezolutë në Kuvend ka dorëzuar edhe një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Opozita kërkon të dënohet akti terrorist në veri, të vlerësohet puna e policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi me KFOR, të mbështeten institucionet e Kosovës për të garantuar pluralizmin politik edhe në komunitetin serb, të konstatojë nevojën për hetim ndërkombëtar mbi sulmet si dhe dhe t’i kërkojë qeverisë Shqiptare bashkëpunim me autoritetet e Kosovës.
/a.r











