Në hierarkinë e Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm mund të konsiderohet numri dy, pas kryetarit të Parlamentit. Në draftin e parë, kompetenca e seleksionimit të kandidatëve për KLGJ-në dhe KLP-në i ishin lënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, strukturë e re që do të bënte verifikimin dhe listimin e kandidatëve në bazën e meritave, apo përjashtimin e tyre kur nuk përmbushin kriteret ligjore. Kjo kompetencë tashmë i ka kaluar Kuvendit, duke i dhënë kompetenca shumë të rëndësishme Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas neneve 147 të Kushtetutës së re, thuhet se Sekretari i Përgjithshëm, në rastet kur ka vende të lira në KLGJ dhe KLP, shpall njoftimin për vendet e lira. Po ashtu, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave bën verifikimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj, raporton Panorama.
Kandidatët që plotësojnë kushtet, do të përfshihen në një listë të veçantë, ndërkohë që në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë. Por duke qenë se Sekretari i Përgjithshëm ka marrë shumë kompetenca, në Kushtetutë është lënë një “valvul”, e cila mund të anulojë vendimet për heqjen e kandidatëve. Kjo kompetencë i është lënë nënkomisionit të ri që krijohet, i cili me votë konsensuale mund të rikthejë në garë një kandidat. “Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidateve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni i përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve.
Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short”, thuhet në nenin 147 të Kushtetutës. Lista e kandidatëve do të hidhet në votim në Parlament dhe kërkon 2/3 e votave ose 94 të tilla. Në rast se dështon në dy raunde, në raundin e tretë ajo quhet e miratuar. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të angazhohet dhe me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit në përzgjedhjen e anëtarëve të parë të KLGJ dhe KLP.