Nga Marjo Brakaj
Paketat e cigareve në Shqipëri do të kushtojnë më shumë, gati sa në vendet e Bashkimit Europian. Nga rreth 300 lekë ato mesatare dhe 400 ato më të shtrenjta, duhani do të shtrenjtohet me mesatarisht 15 lekë çdo vit.
Kjo për shkak të akcizës së duhanit, një lloj takse që rritet çdo vit me kalendarin e ri të hartuar nga Ministria e Financave. Nga 7 mijë e 750 lekë për çdo 1 mijë fije cigare aktualisht, çmimi rritet në 8 mijë e 100 lekë në 2027. Në vitin 2033 çmimi bëhet 9 mijë e 150 lekë, plus 5 për qind të çmimit të shitjes me pakicë.
“Rritja e akcizës është një instrument që përdoret nga shtetet jo vetëm për të gjeneruar të ardhura në buxhet, por edhe për të ndikuar në konsumin e produkteve të duhanit. Megjithatë, efekti që do të ketë kjo politikë varet nga mënyra se si rritja e taksës reflektohet në çmimin përfundimtar dhe nga fuqia blerëse e konsumatorëve. Një tjetër element i rëndësishëm është kontrolli i tregut, për të shmangur përhapjen e produkteve të paligjshme”, Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të cilësisë së duhanit.

Deri në vitin 2033 dyfishohet edhe akciza për duhanet me nikotinë lëng. Nga 24 lekë për mililitër, çmimi do të arrijë në 48 lekë për mililitër.
Ndërkohë duhani me ngrohje nga 9 mijë e 450 lekë në 2027-n do të shkojë në plotë 13 mijë e 650 lekë për kilogramë në 2033-shin.
“Produktet alternative të duhanit dhe nikotinës po zënë një vend gjithnjë e më të madh në treg, por edhe ato duhet të trajtohen në kuadër të një politike të unifikuar fiskale. Diferencat në taksim mund të ndikojnë në zgjedhjet e konsumatorëve, duke i orientuar ata drejt një produkti apo një tjetri. Për këtë arsye, rëndësi ka që ndryshimet të shoqërohen me monitorim të vazhdueshëm të tregut dhe të konsumit”, tha Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të cilësisë së duhanit.
Kalendari i ri i akcizës rrit edhe çmimin e shishave dhe nargjileve të cilat nga 2 mijë e 213 lekë për kilogramë do të kushtojnë 2 mijë e 363 lekë në vitin 2033.

“Rritja e taksimit duhet të shoqërohet edhe me masa për kontrollin e cilësisë së produkteve që tregtohen. Kur çmimet rriten, duhet të monitorohet nëse në treg shfaqen produkte që nuk plotësojnë standardet apo që shmangin detyrimet fiskale. Kjo është e rëndësishme si për mbrojtjen e konsumatorit, ashtu edhe për konkurrencën e ndershme mes operatorëve që ushtrojnë aktivitetin në përputhje me ligjin”, tha Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të cilësisë së duhanit.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit u importuan gati 1 mijë e 700 ton cigare. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë importet e duhanit u zgjeruan me gati 200 tonë. /A2CNN/








