Njëri sy te xhepi i konsumatorit dhe tjetri me vëmendjen te arkëtimet në buxhet. Ky duket synimi i ndryshimeve të reja në Paketën Fiskale që pritet të zyrtarizohet nga qeveria dhe që do të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2027.
Së pari, TVSH-ja standarde pëson një rritje prej 1 pikë përqindjeje, duke u rritur nga 20% në 21%.
Por për të mbrojtur familjet nga goditja e çmimeve, qeveria vendos një shkallë të reduktuar prej vetëm 6% TVSH për një listë të gjerë ushqimesh bazë të shportës: buka, mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat e perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet për foshnja. Aktualisht TVSH për këto ushqime është 20%
Sektori i akomodimit dhe hotelerisë me 5 yje apo agroturizmi kalojnë nga 6% TVSH në 10%.
Nga ana tjetër, bizneset do të përballen me rritjen e tatimfitimit në 17% nga 15% që është aktualisht. Rritje do të ketë edhe tatimi mbi dividendët që për momentin është 8% duke shkuar në 15% nga viti i ardhshëm.
Ndryshime të forta prekin biznesin edhe në pragun minimal për regjistrimin e detyrueshëm në skemën e TVSH-së, i cili ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, duke përfshirë rreth 17,500 tatimpagues të rinj.
Nga ana tjetër, bizneset lehtësohen pasi hiqet detyrimi i dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare, të cilat do të dërgohen vetëm në QKB.
Te të ardhurat nga punësimi, për pagat bruto mbi 200 mijë lekë, fasha e 23% zhvendoset mbi 300 mijë deri në 700 mijë lekë, ndërsa për të ardhurat bruto mbi 700 mijë lekë në muaj aplikohet për herë të parë një normë e re prej 32%. Korporatat do të përballen me një normë tatimi fitimi prej 17%.
Paketa ashpërson masat për mbledhjen e detyrimeve dhe zgjeron gjobat 10% edhe për pagesat cash tej kufijve ligjorë mes bizneseve dhe konsumatorëve.
Ndërkohë, nisin rritjet graduale të akcizës së duhanit dhe produkteve alternative deri në vitin 2033, ndërsa regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën e Energjisë Elektrike, ALPEX, shtyhet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.











