Sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të lartë të pagave në ekonominë shqiptare gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026. Sipas raportit më të fundit ekonomik të Komisionit Evropian për vendet kandidate, pagat në ndërtim u rritën me 22,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, më shumë se dyfishi i rritjes mesatare prej 9,8% në nivel kombëtar.
Rritja e fortë e pagave në këtë sektor vjen në një periudhë kur tregu shqiptar i punës vijon të përballet me kufizime në ofertën e fuqisë punëtore. Komisioni Evropian evidenton se tkurrja e popullsisë në moshë pune po kufizon disponibilitetin e punonjësve, ndërsa bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë drejt punësimit të shtetasve të huaj.
Diferenca mbetet e konsiderueshme edhe ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Pagat në sektorin privat u rritën me 11,6%, ndërsa në administratën dhe institucionet publike rritja ishte 7,6%.

Pavarësisht rritjes së pagave, treguesit e punësimit paraqesin një situatë të përzier. Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15–64 vjeç zbriti në 9,3% në tremujorin e dytë, me një ulje prej 0,1 pikësh përqindjeje si në krahasim tremujor, ashtu edhe vjetor.
Ndërkohë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti në 76,3%, duke u rritur vetëm 0,1 pikë përqindjeje nga tremujori i mëparshëm dhe duke mbetur e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.
Komisioni Evropian vëren gjithashtu se pjesëmarrja e grave në tregun e punës zbriti në 69,9%, ndërsa hendeku gjinor në pjesëmarrje mbeti rreth 13 pikë përqindjeje.
Zhvillimet tregojnë se, krahas rritjes së pagave, sigurimi i fuqisë punëtore mbetet një çështje e rëndësishme për ekonominë shqiptare. Raporti evidenton vështirësitë që burojnë nga tkurrja e popullsisë në moshë pune, ndërsa rritja e pagave në ndërtim është dukshëm më e shpejtë se mesatarja e ekonomisë./ekofin.al/











