Një vendim voluminozë më shumë se 150 faqe, brenda të cilit jepen argumentet kundër prokurorisë dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Sipas apelit, përfundimisht fajtori i vërtetë për të gjitha veprat e kryera nga e ashtëquajtura “Hakmarrja për drejtësi” është organi i akuzës dhe oficerët e policisë të cilët nuk kanë respektuar Kodin e Procedurës penale. Mos njoftimi i mbrojtësve ligjor për t’u njohur më provat dhe për të qenë të pranishëm në momentin e Kontrolleve të personit ose të lokalit, verifikimet e ngutshme në vend, sekuestrimet, marrja e pikove dhe korrespondencës, marrja nga personi nën hetim i të dhënave të nevojshme për vazhdimin e hetimeve, në vendin e ngjarjes ose në veprat penale të dukshme, janë disa nga arsyet të cilët kanë bindur apelin e krimeve procedurat nuk janë zbatuar. Trupa gjyqësore ka argumentuar se mbrojtësi ligjor në bazë të nenit 302 të Kodit të Procedurës Penale, mbrojtësi i personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet ka të drejtë të asistojë, pa pasur të drejtën që të lajmërohet që më parë, në kontrollet dhe verifikimet e ngutshme në vend.
Pas më shumë se 20 vite në seanca gjyqësore, nga njëra gjykatë në tjetrën, ku herë është dhënë pafajësi dhe herë anëtarët e organizatës “Hakmarrja për Drëejtësi “ janë dënuar, gjithçka rikthehet në pikën zero. Apeli në fund të rrugës, teksa ka analizuar të gjitha vendimet e dhëna nga shkallët më të larta të gjyqësorit dhe ato të shkallës së parë, konkludon se fajin më në fund e ka procedura që nuk është zbatuar. Prokuroria dhe oficerët e policisë gjyqësore, sipas pesëshes së Gjykatës së Apelit kanë shkelur procedurën teksa në momentin e marrjes në pyetje, ballafaqimit mes të pandehurve dhe personave të dëmtuar, nuk është njoftuar mbrojtësi i caktuar kryesisht. Në arsyetimin e tij, kryesuesi i trupës gjyqësore shprehet se mosrespektimi i detyrimit të prokurorit për njoftimin për praninë e mbrojtësit në aktet e kryera gjatë hetimeve, kur është e detyrueshme pjesëmarrja, përbën shkak për pavlefshmëri absolute. Apeli i Krimeve të Rënda ka konkluduar se të gjitha procesverbalet e kontrolleve të banesave janë të pavlefshëm, për aq kohë sa ato janë kryer pa praninë e një mbrojtësi të caktua nga familja, apo kryesisht.
Kontrolli në banesën e të pandehurit
Pobrati Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vlerëson se procesverbali i kontrollit të banesës së shtetasit Luan Pobratit, datë 17.12.1996 për rastin e episodit të rrëmbimit të fëmijës E. Nushi është i pavlefshëm. Nga shqyrtimi i akteve të fashikullit të gjykimit, rezulton se Luan Pobrati ishte marrë i pandehur dhe ndodhej i arrestuar në kohën që i është kontrolluar banesa dhe i është sekuestruar makina e shkrimit në pronësi të tij. Në kërkesën e prokurorit Thoma Jano dhe vendimin e gjyqtarit Martin Dede për kontrollin e banesës së Luan Pobratit, shkruhet se: “Luan Pobrati është daja i Leart Shytit.. në banesën e të pandehurit Luan Pobrati mund të gjenden prova materiale të përdorura nga i pandehuri Leart Shyti”. Më tej gjykata shprehet se për këtë veprim nuk është njoftuar as i pandehuri dhe as mbrojtësi i tij nga prokuroria për kontrollin e banesës dhe nuk kanë qenë të pranishëm gjatë kontrollit. Si pasojë ky akt është shpallur përfundimisht i pavlefshëm. Dhe shkeljet e akuzës sipas gjykatës kanë vazhduar më tej gjatë hetimeve. Ajo argumenton se, mosrespektimi i njoftimit nga prokurori, për praninë e mbrojtësit në aktet e kryera gjatë hetimeve paraprake, kur nuk është e detyruar pjesëmarrja mund të përbëjë shkak për pavlefshmëri relative, e cila mund të ngrihet me kërkesë të të pandehurit gjatë hetimeve paraprake ose vetëm deri përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Konform kësaj dispozite Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda çmon se të gjitha aktet e marra në këtë procedim ndaj të pandehurve pa praninë e mbrojtësve të tyre janë absolutisht të pavlefshme dhe nuk mund të merren të mirëqenë këto shpjegime nga ana e kësaj gjykate për shkak se nga aktet e fazës së hetimeve paraprake të gjithë të pandehurit, nuk janë asistuar nga mbrojtës.
Analiza mbi dhunën dhe vetë inkriminimin e të pandehurve
Gjykata e Apelit për Krimet e Renda ashtu si Gjykata e Lartë, në lidhje me pretendimet e mbrojtjes se është ushtruar presion mbi të pandehurit, i gjen ato të bazuara. Ajo thotë në arsyetimin e saj se është tepër i dyshimtë fakti se, të gjithë të pandehurit, paskan zgjedhur të mbrohen vetë dhe pa mbrojtës të caktuar nga ana e organit procedues apo të zgjedhur nga të afërmit, nuk kanë kërkuar asnjëherë të drejtën për të pasur një mbrojtës të caktuar kryesisht, edhe në ato raste ku ata e kanë kërkuar, nuk rezulton që kjo e drejtë t’u jetë respektuar. Procesverbalet përkatëse në të shumtën e rasteve janë pa datë, duke hedhur dyshime lidhur me pjesëmarrësit në to dhe çastin e saktë të redaktimit të tyre; për më tepër, marrja në pyetje e tyre është realizuar në vende të ndryshme, fakt ky që nuk është shpjeguar nga ana e prokurorit as nga ana e gjykatës se krimeve të rënda të shkallës së parë, dhe nuk është përmendur as shkaku dhe as vendimi i organit për shoqërimin dhe dërgimin e të pandehurve në `vende të tjera’ nga ato ku ata ishin të vendosur pas arrestimit të tyre.
Gjithashtu, përshtypje të bën edhe fakti që, pas marrjes së cilësisë së personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, të nesërmen e kësaj dite, ata kanë marrë cilësinë e personit të pandehur, duke nënkuptuar njohjen me akuzat dhe materialin e akuzës, provat tepër voluminoze brenda një dite. Duke qenë se koha ka qenë shumë e shkurtër për t’u njohur me aktet si dhe mban parasysh edhe kohën e gjatë kur mbrojtësit janë vënë në dijeni të akteve të procedimit penal në 1998, etj. Gjykata e Apelit konkludon se aktet janë marr në shkelje të ligjit dhe janë absolutisht të pavlefshme, duke hedhur dyshime mbi mënyrën dhe lirinë e marrjes në pyetje dhe vullnetin e të pandehurve të pasqyruar në procesverbalet përkatëse. Sipas akteve të ndodhura në dosje rezulton se deklarimet e shtetasit Astrit Veshaj – që të pandehurit i janë mbajtur në kushte komode në Dajt; deklarimet e oficerit të forcave speciale Genc Fejzullai – në seancën e datës 13.11.2006 të cilat dëshmojnë se arrestime janë bërë në datën 06.10.1996 për shkak të një ngjarje të ndodhur pranë Muzeut Kombëtar, por pa përmendur emrat konkret të të ndaluarve/arrestuarve. Shpjegimet e Besnik Daci në seancën e datës 15.11.2006, ku deklarohet se janë bërë arrestime që më datë 06.10.1996, por pa përmendur emrat e të pandehurve, tregojnë qartë pavlefshmërinë absolute të tyre konform dispozitave të kodit të procedurës penale.
Dhuna sipas të pandehurve
Gjykata e Apelit për Krime të rënda argumenton se të pandehurit kanë pretenduar se kanë qenë në kushte të atilla presioni dhe dhune sa që nuk
kanë qenë në gjendje të kërkonin një mbrojtës. Në kushte të tilla është organi i prokurorisë që duhet të provojë se ka realizuar detyrimin e tij për zbatimin e drejtë të dispozitave. Pra në pak rreshta ne vendim thuhet se të pandehurve u është prekur e drejta e fjalës Për gjykatën edhe marrja në pyetja e oficerëve të policisë gjyqësore që anë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer veprimet procedurale, nuk mund të merren në konsideratë. Këta oficerë nuk kanë treguar të vërtetën në deklarimet e tyre, ndërsa janë shprehur se të pandehurit janë marrë në pyetje teksa kanë qenë në kushte komode dhe jo nën presion. Në vendim thuhet se: Gjykata e apelit për Krimet e Rënda konstaton se, në bazë të akteve të fashikullit: procesverbali i seancës gjyqësore, datë 22.06.2005- faqe 301 e vijues e dosjes gjyqësore nga pyetje e dëshmitarit Astrit Veshaj, oficer i Policisë gjyqësore, i cili ka marrë pjesë në shumë prej veprimeve hetimore të kryera për çështjen “Hakmarrja”, konfirmohet fakti se të gjykuarit, nuk kanë qenë në dhomat e paraburgimit të komisariatit Tiranë, por në Dajt, dhe sipas deklarimeve të këtij dëshmitari ata kanë qenë në kushte “komode”. Ndërkohë, asnjë shpjegim nuk është dhënë nga ky dëshmitar apo dëshmitarë të tjerë rreth arsyes dhe shkakut të transferimit të të pandehurve të mbajtur në masë paraburgimi. /shekulli