Nga Ben Andoni
Është një pyetje që të vjen shpesh ndërmend, sidomos kur ndryshojnë qeveritë por më së shumti ndodh në kohën e ndryshimit të regjimeve: Pse intelektualët i dorëzohen ose më mirë të themi dashurohen kaq shpejt me regjimet autoritare?! Lexuesi, dëgjuesi dhe shikuesit i fiksohen të gjitha kur sjell ndërmend ose këqyr personalitete të njohura që rreken sakaq të përqafojnë autoritarizmin dhe dikur deri fashizmin…duke bërë lloj-lloj justifikimesh. Sot këtë e shikon me angazhimin e artistëve dhe protagonizmin justifikues të shumë personazheve, që në fund të dhurojnë shprehjen e zakonshme të “pafajësisë intelektuale”: Ja që ndodhi, nuk e dinim, por duhet, duket sikur thonë. Të paktën vetëm kështu mund të prodhojmë të mirat që i duhen publikut!!!
Po ndërsa një njeri i thjeshtë e bën i detyruar ose thjesht i nënshtruar prej manipulimit dhe luzmës së fjalive retorike që e breshnojnë, një gjë e tillë nuk bën sens kur vjen puna për intelektualët. Vallë, pse nuk u nënshtrua Migjeni dhe të flirtonte edhe ai, po Mjeda pse u mbyll në Kukël, pse Xhagjika i recitoi trupës së tij gjykuese që do e penalizonte me vdekje: “Atdheu im është lakuriq”, po Branko Merxhani pse u harrua që në të gjallë, ashtu i varfër?! Këto askush nuk i thotë dot, por edhe po të arrijë t’i arsyetojë nuk do di të japë përgjigje pse titanët e letërsisë, poezisë, filozofisë botërore të tillët si T.S.Eliot, Martin Heidegger, William Butler Yeats, Ezra Pound, Louis-Ferdinand Céline që bënë flirte të turpshme, por nga ana tjetër duke arsyetuar me shumë intelektualitet të mirat e rregjimeve totalitare dhe arsyeja që vinte prej tij.
Në një argument të botuar tek Humanities, Barbara Will, shkon edhe më tej duke na sjellë rastin e Gertrude Stein, një mbështetëse e regjimit të Vishisë. Shkrimtarja amerikane me origjinë hebreje, mike e Pikasos, por edhe një lloj mecenate e Cézanne, Picasso dhe Matisse, si edhe muza e Heminguejt, shtuar me lidhjen e saj me Alice B. Toklas, që Will thotë se do i takonte më shumë botës sonë liberale sesa asaj të 1912, e bën të çuditshëm mbështetjen e saj për një regjim pro-fashist, si ai i Francës ku ajo kontribuonte sipas mënyrës së saj. Dhe, që nuk ndalet këtu, sepse askush nuk e kupton edhe homazhin e saj në fund të jetës për Hitlerin…E kur… në vitin 1945!! Anipse edhe këtu studiuesit kanë filluar të ndërhyjnë dhe duket se i gjejnë një lloj justifikimi ngazëllimit prej pragmatizmit të përfitimit. Asokohe, Stein, po i jepej mundësia për të bashkëpunuar me gjeneralin Petain, në mënyrë që t’i përkthente fjalimet. Që do të thoshte më shumë liri për të dhe kuptohet përfitime në kohë lufte. Por pse vallë një shkrimtare e letërsisë eksperimentale bën këtë flirt. A i shërben artit të vet?! Dhe, pse u ndodh intelektualëve kjo?! Kritikët japin arsyet e tyre. Një përgjigje e gjejmë sërish tek kritiku Frederic Jameson, na përcjell si gjithnjë Will, i cili duke u munduar të flasë për modernistin fashist Wyndham Lewis, e kritikon ashpër “‘ pafajësinë “sistematike të intelektualëve, si ai, që ky lloj flirti u jep një kalim të këndshëm të kohës, punën e të cilëve ne realisht e admirojmë, pavarësisht nga konteksti në të cilin është shkruar apo qëllimi i tij përfundimtar. Dhe, shton: “Duket se është koha që ta heqim atë pafajësi dhe të prodhojmë një portret më gjithëpërfshirës, kompleks dhe realist të paraardhësve tanë modernistë dhe punës së tyre”, përfundon ai.
…
E gjithë kjo hyrje do të ishte asgjë pa shembujt shqiptarë dhe njerëzit që shërbyen, pavarësisht veprës dhe angazhimeve të tyre. Më i spikaturi ishte përfaqësuesi fashist i Kulturës shqiptare Ernest Koliqi, një figurë e madhe e kulturës por edhe e përpjekjeve për të përhapur arsimin në trevat shqiptare. Një punë që ai do e bëjë dhe në ekzilin e detyruar, pasi u largua me pushtuesit. Deri në vitin 1943, ish-presidenti shqiptar i komunistëve Nishani do shkruante në organet fashiste (!!!), pa përmendur një figurë të madhe e të qashtër të klerit si patër Anton Harapi. Për të mos kujtuar muajt e fundit të Fishtës, kur ankohej për komunitetin e tij fetar para trupave pushtuese. Edhe më e ngatërruar tema për Mit’hat Frashërin që ha një diskutim të madh, jo thjesht për kontributin por për përshtatjen e tij politike në kohë të ndryshme dhe zhvendosjes drejt një nacionalizmi bashkëpunëtor. Pse u duhej vallë mbrojtja e regjimeve dhe mbështetja e tyre, individëve? Mu atë që do të thuhej kohë më vonë edhe për Fan Nolin pas Luftës së Dytë Botërore apo shkrimtarin tonë të njohur, Ismail Kadare figurën më të madhe të letërsisë sonë. Këtë askush nuk e thotë dot me gojë plot sepse një grup i tërë skifterësh presin të të mbulojnë me baltë e akuza, para se të arsyetojnë rolin e intelektualit, si edhe të barazojnë gjithçka, vetëm e thjesht për të mos dhënë atë përgjigjen direkte: U intereson të përfitojnë në çdo gjë…
Pse jo pak intelektualë flirtojnë kaq këndshëm dhe kaq bukur me regjimet në të gjithë kohërat? Në ish-Jugosllavi përmendet nga shkrimtarët sllavë të kohës sonë sesi ndihmohej rritja e popullaritetit të Ivo Andrić deri me ryshfetin e thjeshtë (Slivë pa fund) nga regjimi i asaj kohe titist që do të çonte bashkë me konjukturat deri në çmimet e mëdha. Dhe, askush nuk e përmend dot sesi kur gjermanët pushtuan Beogradin, Andrić shkruante i qetë në shtëpinë e tij pak metra larg Hotel “Moskva”, “Ura mbi Drina”, librin që do t’i jepte çmimin Nobel!!!
Njësoj si artistët, në kohën tonë kemi publicistët që po flirtojnë në emër të kinse idealeve ose më thjesht mundësisë për të bërë pakt me këdo, ose më thjesht për të pasur një kinse jetë më të mirë dhe mundësisë për të jetuar me fshehjet pas artit të vërtetë të fjalës, imazhit dhe formave të tjera të shprehjes. E përgjigjja e fundit: Në çdo kohë justifikimi mbetet i njëjtë, por loja e vjetër: sa më i angazhuar dhe t’i bësh like prepotencës dhe autoritarizmit të pushtetit, aq më mirë i bën krijimtarisë…Edhe pa dinjitet. Kuptohet. Po kush do t’ia dijë për të?! Nuk është koha e Tomas Man, Samuel Beckett, James Joyce, Thomas Mann dhe Robert Musil. E bukur kjo “pafajësia” intelektuale!!! (Homo Albanicus)