Ditën e djeshme shqiptaro-amerikani Martin Shkreli pushtoi faqet e para të mediave shqiptare dhe botërore duke u kthyer në personin më të urryer pas vendimit që mori për të rritur çmimin e një ilaçi kundër SIDA-së.
Por sipas një dokumenti të botuar sot nga Daily Mail, Shkreli është paditur nga rivali i tij, pasi ka arritur të hakojë llogaritë e tij në rrjetet sociale dhe t’i kërcënojë gruan dhe djalin.
“Bashkëshorti juaj më ka vjedhur 1.6 milionë dollarë dhe dua që të mi ktheni. Do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme që paratë të më kthehen sërish,” i shkroi Shkreli bashkëshortes së ish-punonjësit të kompanisë “Retrophin”, Timothy Pierotti, në një letër të dërguar në janar të 2013-ës.
Sot, vetëm disa orë pasi u zbulua çështja gjyqësore, Shkreli njoftoi se do të ulë çmimin e ilaçit, por nuk zbuloi saktësisht se sa do të jetë ky reduktim.
Martin Shkreli është shefi i kompanisë farmaceutike “Turing Pharmaceuticals”, teksa u përball me një urrejtje nga publiku pasi monopolizoi ilaçin për kurimin e SIDA-së dhe kancerit, duke ia ngritur çmimin brenda natës nga 13 dollarë në 750 dollarë, një rritje prej gati 5.500%.









