Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar lidhur me padinë e depozituar nga Ministria e Ekonomisë ndaj 3 ish-ministrave të qeverisë Berisha, lidhur me çështjen e privatizimit të OSSH. Basha tha se nëpërmjet kësaj padie synohet t’i hidhet hi syve të shqiptarëve për atë që e cilësoi si “vjedhja e shekullit”, duke i’u referuar çështjes ÇEZ.
“Kokoshi 200 milionë dhe zengjini i tij shpresojnë më kot se duke hedhur tym do të arrijnë të mbulojnë gjurmët dhe transfertat e tyre bankare off shore. Tepër vonë. Janë kapur me presh në duar. Do të paguajnë deri në kacidhen e fundit paratë që ju vodhën shqiptarëve. Qerrja e transparencës ndërkombëtare ka filluar të lëvizë. Nuk kanë për ta shantazhuar dot, nuk kanë për ta blerë dot, nuk kanë për ta ndalur dot me ligj të posaçëm siç ndalën përkohësisht drejtësinë shqiptare. Ora po troket mbrapsht për Edi Ramën me 40 hajdutë. Qeveria e pati shansin për hetim të drejtë për këtë çështje, por nuk e bënë sepse e vërteta do të nxirrte në dritën e diellit vjedhjen e shekullit”, -tha Basha.