Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur mirënjohës OBI-it dhe shteteve anëtare, për aprovimin e rezolutës, që bën thirrje për njohje të Kosovës. Pacolli po ashtu ka theksuar se presim njohje edhe nga 19 shtetet tjera anëtare.
Siç njofton MPJ, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur dhe përshëndetur aprovimin me unanimitet të plotë të Rezolutës për Kosovën nga 57 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik – OBI-it, në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.
“Mirënjohës OBI-it dhe shteteve anëtare për miratimin me unanimitet të Rezolutës, duke thirrur mbi shtetet e saj anëtare, që ta njohin Kosovën dhe mbështesin anëtarësimin e saj në Organizata Ndërkombëtare. Kosova do të vazhdojë angazhimin e saj me OBI-in dhe do të rris edhe më tej lidhjet”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli, pas aprovimit të kësaj Rezolute.
“Tashmë 38 shtete anëtare të OBI-it e njohin Republikën e Kosovës. Ne, presim që edhe 19 shtetet anëtare të kësaj Organizate, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim ta bëjnë këtë së shpejti. Rezoluta bën thirrje pikërisht për këtë dhe presim lëvizje të reja në këtë drejtim”, është shprehur numri dy i Qeverisë, Pacolli.
Gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, në Abu Dhabi, ministri i jashtëm kosovar, Pacolli, ka takuar shumicën e homologëve të tij nga 57 shtetet anëtare, që morën pjesë në këtë takim dhe që vijnë nga katër kontinente të ndryshme të botës.
/a.rada