Rudina Aliu është nënë e pesë fëmijëve. Për 25 vite ajo ka jetuar në Greqi dhe atje ka lindur dhe rritur të gjithë fëmijët e saj, katër prej të cilëve nuk njihen ligjërisht dhe nuk kanë shtetësi.
E vendosur në vendin fqinj pa dokumente ligjore ajo nuk ka mundur t’i regjistrojë dhe t’u japë shtetësi tre djemeve dhe një prej vajzave të saj.
“Isha pa dokumente në Greqi dhe nuk mund t’i regjistroja fëmijët. Dy i kam lindur në spital dhe tre në barrakë, pa mjek”,- rrëfen ajo, ndërsa pohon, se asnjë prej fëmijëve nuk ka shkuar në shkollë dhe nuk kanë pasur kurrë akses në shërbime shëndetësore apo sociale e madje as nuk janë vaksinuar.
Pikërisht vështirësitë dhe mungesa e mundësive për një jetë normale për shkak të mospasjes së shtetësisë për fëmijët e detyruar Rudinën të rikthehej sërish në vendlindje, me shpresën se tashmë, fëmijët e saj do të njiheshin nga ligji dhe do të kishin kombësi.
“Djali i madh është 24 vjeç. Në Greqi punonte me ne (mua dhe burrin) në bujqësi, kurse këtu mbledh bidona dhe hekura. Nuk mund të bëjë punë tjetër se nuk është i regjistruar”,- shpjegon 39-vjeçarja, e kthyer në Shqipëri në fund të vitit 2020.
Rudina nuk është një rast i veçuar i një prindi, fëmijët e të cilit nuk kanë shtetësi. Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i fëmijëve pa shtetësi dhe atyre që nuk janë të identifikuar për shkak të mosregjistrimit në regjistrat e gjendjes civile, megjithatë, menaxherja e programit të Shërbimit Ligjor Falas në Tiranë, Denada Selimi, e cila po ndjek ligjërisht edhe rastin në fjalë, pohon se raste të tilla janë me mijëra.
“Janë me mijëra fëmijët të cilët janë pa shtetësi dhe ligjërisht nuk janë të regjistruar askund”,- pohon ajo, ndërsa rradhit arsyet se pse në shumicën e rasteve këta fëmijë mbeten pa shtetësi. Sipas saj, numri më i madh i fëmijëve pa shtetësi janë fëmijë të lindur jashtë Shqipërisë dhe të kthyer më pas pa akte/dokumente të rregullta të lindjes.
Pa shtetësi për shkak të martesave fiktive
Një tjetër grup janë fëmijët të lindur në vend si rezultat i bashkëjetesës ose si rezultat i martesave fiktive (kur nëna vendos të martohet me një burrë vetëm për qëllime ekonomike dhe ndërkohë bashkëjeton me një burrë tjetër me të cilin lind fëmijë).
Ekspertja shpjegon se kjo dukuri e re është përhapur shumë dy vitet e fundit, sepse disa burra premtojnë të paguajnë një shumë për gratë në mënyrë që të marrin mbiemrin e saj në ndryshim. Sipas të dhënave nga TLAS dhe UNICEF, fatkeqësisht, gratë e komunitetit rom kryesisht kanë pranuar të bëjnë këto martesa ligjore dhe të komplikojnë shumë më tepër borxhet e tyre, në veçanti duke rritur numrin e fëmijëve në rrezik për të qenë pa shtetësi.
Në raste të tilla, kostot e procedurave ligjore për të përfunduar regjistrimin në regjistrin themelor janë më të shtrenjta sesa për fëmijët e lindur jashtë vendit. “Arsyeja konsiston që shpesh është e nevojshme përfundimi i një ose dy procedurave gjyqësore me ekspertizë të ADN-së, përveç shpenzimeve të tjera gjyqësore ose të avokatit.
Është me interes të vërehet se personat pa shtetësi nuk u përkasin vetëm grupeve të margjinalizuara apo komuniteteve të caktuar, siç mund të jetë ai rom. Sipas të dhënave nga TLAS në zyrën e tyre vijnë për ndihmë juridike edhe persona pa shtetësi të moshës 40 apo 50 vjeçare apo nëna të reja nga familje “të mazhorancës” (jo të pakicave, minoriteteve apo komuniteteve të veçanta të popullsisë), siç është rasti i një grua 28 vjeçare, e cila është pa shtetësi dhe për rrjedhojë, të panjohur ligjërisht dhe pa shtetësi janë edhe tre fëmijët e saj.
Gjatë vitit 2021 TLAS mbështetet nga UNICEF për të ofruar ndihmë juridike për më shumë se 200 fëmijë dhe familjet e tyre të identifikuara në rrezik pa shtetësi nga 6 rrethe kryesore të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, si dhe për të paktën 45 fëmijë dhe kujdestarët e tyre të riatdhesuar nga zonat e prekura nga lufta.
Ndërkohë është për t’u përmendur si pozitiv ndryshimi ligjor që ka ndodhur me ligjin për regjistrimin e fëmijëve.
Legjislacioni shqiptar para dhjetorit 2018 parashikonte regjistrimin e fëmijës si një detyrim prindëror dhe vetëm në rastet e fëmijëve të braktisur ishte detyrimi i institucioneve shtetërore të përfshiheshin në këtë proces. Si pasojë, neglizhenca e prindërve ose vështirësitë e tyre për të realizuar procedurat e regjistrimit mbetën të parregulluara si një detyrim i qartë i qeverisë.
Fatmirësisht ligji, në dhjetor 2018 pësoi disa ndryshime dhe në të parashikohet që regjistrimi i lindjes së një fëmije është një e drejtë themelore e fëmijës ndërkohë që “kur prindërit nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre ose detyrimin ligjor për regjistrimin e lindjes së fëmijës, punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve ka detyrimin ligjor të fillojë procedurat për regjistrimin e lindjes së fëmijës.”
Në këtë mënyrë u krijua Regjistri i Përkohshëm Kombëtar, i cili nuk ishte siguruar ligjërisht deri në miratimin e Ligjit.
“Krijimi i një regjistri të përkohshëm në funksion të kontrollit më të plotë të regjistrimit të lindjes, përbën risinë më të rëndësishme për angazhimin publik për regjistrimin e lindjes në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve prindërore për të deklaruar lindjen e fëmijës.”, pohojnë përfaqësues të TLAS dhe UNICEF.
“Tashmë, punonjësi i zyrës së gjendjes civile në Njësinë Administrative ka detyrimin të regjistrojë çdo rast pa shtetësi në regjistrin e përkohshëm: për të gjithë fëmijët e lindur për të cilët ai / ajo ka marrë njoftimin dhe ndërsa personat që kanë të drejtën dhe detyrimin e deklarimit nuk janë paraqitur para punonjësit të zyrës së satusit civil për të regjistruar aktin e lindjes;
për të gjithë fëmijët e lindur, për të cilët punonjësi i zyrës së satusit civil, pasi është njoftuar për kërkesën e deklaruesit, konstaton se ai / ajo nuk mund të mbajë një akt lindjeje, sepse dokumenti “Ndihma e lindjes” ose raporti mjekësor përmbajnë pasaktësi ose kanë seksione të paplotësuara; për të gjitha rastet kur deklaruesi nuk posedon një dokument që vërteton lindjen; për rastet kur akti i lindjes i mbajtur jashtë vendit ka pasaktësi ose është i paplotë në ndarjet e tij”,- pohon menaxherja e TLAS, Selimi.
Regjistri i Përkohshëm vlen gjithashtu për të përmbushur të drejtat e fëmijëve të paregjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në lidhje me përmbushjen e të drejtave për arsimim, trajtim shëndetësor ose përfitimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, ose ndonjë aspekt tjetër për të cilin ka interes legjitim.
Nëse lindja e një fëmije nuk regjistrohet brenda 60 ditëve nga data e lindjes, punonjësi i zyrës së gjendjes civile njofton njësinë e mbrojtjes së fëmijës në njësinë e qeverisjes vendore, që merr masa konkrete për vlerësimin e situatës dhe regjistrimin e lindjes nga zyra e gjendjes civile.
Zëvendësimi i prindit si deklarues duhet të realizohet nga punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve duke marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe në të njëjtën kohë shoqërohet nga e drejta e fëmijës për të njohur prindërit (përmes regjistrimit).
Situata ligjore (siç u përmend më lart) e fëmijëve në rrezik për të qenë pa shtetësi në Shqipëri është përmirësuar. Por nevoja e shërbimeve të ndihmës juridike është akoma tipike për grupet më të rrezikuara dhe të margjinalizuara.
Bazuar në praktikën e TLAS, përmes trajtimit të çështjeve të pashtetësisë nga i gjithë territori, rezulton se rreth më shumë se 400 raste të reja pa shtetësi duhet të trajtohen me ndihmë të plotë juridike gjatë vitit 2021, krahasuar me 481 të trajtuar gjatë vitit 2020./Si
/m.j