Në një vit, Kompania e Shpërndarjes së Energjisë ka arritur që të fitojë 54 milion euro nga importi i energjisë. Pjesa më e madhe e këtyre parave kanë ardhur për shkak të reduktimit të humbjeve në rrjet, të cilat kanë arritur afër nivelit 30%.
Drejtori i Tregtimit të Energjisë, Elton Sevrani, thotë se edheçmimet në këtë periudhë kanë qënë më të lira, fakt ky që do të sjellë edhe efekt në tarifat për konsumatorin fundor. “38 milionë euro si rrjedhojë e uljes fizike të humbjes në rrjetin e shpërndarjes, 7,2 milionë euro janë si pasojë e marrëveshjes KESHOSHEE e zbatuar këtë vit, e ratifikuar edhe me vendimet e EREs, e cila ka sjellë një zbutje të përgjithshme të efekteve financiare në të gjithë sistemin elektroenergjitik dhe 9,3 milionë euro është nga sigurimi i energjisë elektrike nga tregu i parregulluar me çmime më të ulta se sa e njëjta periudhë e vitit të shkuar”- tha Sevrani.
Ndërkaq, kompania OSHEE është duke pritur direktivat e reja nga ministria Energjisë për t’u bërë importuesja e vetme e sistemit energjetik në Shqipëri. Kështu, KESH nuk do të blejë më energji për të plotësuar nevojat e vendit, gjë e cila pritet të përmirësojë bilancet financiare të saj.
“Në momentet kur KESH nuk do të ketë mundësi teknike të prodhimit për plotësimin e kërkesës, e gjithë blerja në tregun e parregulluar do të realizohet nga operatori i sistemit të shpërndarjes, brenda strukturave që ne kemi dhe kjo besoj do të garantojë një çmim gjithmonë e më të mirë sepse blerja do të bëhet më e kontrolluar në lidhje me sasitë që do të mund të kërkohen”- vijoi Sevrani.
Edhe pse të treja kompanitë OST, KESH dhe OSHEE duhet të kishin përgatitur ofertat e reja për çmimin e energjisë që i marrin njëratjetrës, rregullat që priten të dalin kanë bërë që të mos kenë gati asnjë kërkesë, siç është tradita çdo fund viti pranë EREs. Megjithatë burime pranë kompanisë së shpërndarjes thonë se nuk do të ketë kërkesë për rritje të tarifave për konsumatorin fundor këtë vit.
Vizion Plus