Papa Françesku është nën kujdesin e mjekëve dhe po pushon, sipas deklaratës së fundit nga Vatikani. Ai është i shtruar në spitalin Gemelli të Romës prej katër javësh.
Gjendja e tij është e qëndrueshme, pavarësisht disa krizave të frymëmarrjes. Mjekët thonë se pneumonia është sfiduese, sidomos për shkak të problemeve të mëparshme të Papës me frymëmarrjen, dhe shërimi mund të zgjasë disa javë.
Të premten, për herë të parë që nga shtrimi, Papa falënderoi besimtarët për lutjet e tyre përmes një mesazhi audio nga spitali.
Ndërkohë, Vatikani vazhdon festimet për vitin jubilar, i cili po tërheq pelegrinë nga e gjithë bota. Këtë fundjavë, pranë spitalit Gemelli do të mbahet një pelegrinazh për t’u lutur për shërimin e tij.