Kur në vitin 2018, në prag të zgjedhjeve, shkova të vizitoja Agnes Heller në shtëpinë e saj në Budapest, filozofja e “nevojave radikale” ishte e tërbuar.
Ajo më tha: “Viktor Orbán ka shfuqizuar lirinë e shtypit, abuzon me fondet europiane për të pasuruar familjarët dhe miqtë, ndërsa shkollat dhe shëndetësia publike janë në gjendje të dëshpëruar. Dhe pastaj do të kontrollojë edhe kulturën: e dini që në librin e vetëm të Historisë që përdoret në gjimnaze, ka një kapitull që i dedikohet atij? Këtë nuk e kishte bërë as Janos Kadar, në kohën e regjimit komunist. Orbán është tashmë një tiran.”
Heller ndërroi jetë në vitin 2019, në moshën 89-vjeç. Tirania e Orbán-it i mbijetoi asaj, duke u bërë edhe më e shfrenuar dhe pa skrupuj, përtej oksimoronit (figurë letrare ku bashkohen dy fjalë ose ide që duken të kundërta, për të krijuar një kuptim të veçantë ose paradoksal) të “demokracisë joliberale”. Por po të ishte ende gjallë, do të gëzohej për rezultatet e një votimi që i dha fund anomalive hungareze në zemër të Europës.
Në gjashtëmbëdhjetë vite, Viktor Orbán e ka shndërruar Hungarinë në një vend ku mediat janë nën censurë, të drejtat e opozitës shkelen, gjyqësori i përgjigjet qeverisë, pakicat etnike persekutohen, ndërsa komuniteti LGBTQ është de facto i përndjekur.
Një ndryshim që Europa e ka parë për vite me radhë e plogësht dhe e shpërqendruar, ndonjëherë duke e qortuar, shpesh duke e ledhatuar, falë asaj politike sigurimi që për Orbán ishte anëtarësia në PPE, Partia Popullore Europiane, nga e cila doli vetëm në vitin 2021 për të shmangur përjashtimin, dhe mbrojtjes së veçantë të Angela Merkel, e cila vazhdonte të shihte tek ai ende të riun liberal rebel që kishte udhëhequr sulmin final ndaj komunizmit.
Sepse Viktor Orbán nuk ka lindur tiran. Përkundrazi, tiranët e socializmit real i luftoi në revolucionin e vitit 1989, kur u bë figurë shpëtimtare e lëvizjes demokratike. Aq karizmatik dhe i shkëlqyer, sa filantropi hebreo-amerikan me origjinë hungareze George Soros vendosi të financonte partinë e tij të sapolindur, Fidesz, dhe t’i paguante një bursë në Oksford për një kërkim mbi shoqëritë civile të Lindjes. Me kalimin e viteve, Soros do të pendohej.
I kthyer në atdhe dhe i zhytur në politikë, Orbán u zgjodh kryeministër në vitin 1998 në krye të një koalicioni liberal-demokrat. Ishin vitet kur Hungaria hyri në NATO dhe kryeministri kërkoi anëtarësimin në Bashkimin Europian, që ndodhi në vitin 2004. Por në vitin 2002 u mund nga një ish-komunist, Ferenc Gyurcsány, i transformuar në socialist demokrat.
I mundur sërish në vitin 2006, Orbán betohet se nuk do të humbasë më: “Na mjafton të fitojmë një herë, pastaj do të dimë çfarë të bëjmë,” tha në një fjalim me dyer të mbyllura që mediat hungareze, atëherë pa censurë, e zbuluan. Duhej të priste vitin 2010, kur socialistët u përfshinë nga skandalet dhe recesioni, duke i dhuruar një sukses të jashtëzakonshëm dhe shumicën prej dy të tretash në Országház, parlamentin e Budapestit, që i lejonte të ndryshonte Kushtetutën.
Metamorfoza ishte totale. Nga një tribunë liberale, u rikrijua si kampion i një beteje civilizimi: Zot, atdhe dhe familje kundër “Aleancës së shenjtë të burokratëve të Brukselit, mediave progresiste dhe kapitalit ndërkombëtar”. E bëri për bindje apo për oportunizëm, siç sugjeronte New York Times, duke zënë hapësirën bosh në të djathtë të peizazhit politik hungarez? Sido që të ketë qenë, Viktor Orbán rishkroi zonat elektorale në favor të Fidesz, mbushi Gjykatën Kushtetuese me besnikë, krijoi një organ qendror për mediat të kontrolluar nga qeveria, hoqi qindra profesorë nga mësimdhënia universitare, ndryshoi drejtorët e teatrove me njerëz të tij.
Për më tepër, në “kleptokracinë” de facto ku qeveria kontrollon të gjithë ekonominë, Orbán ka përdorur (dhe përdor) fondet europiane (50 miliardë euro mes 2004 dhe 2024) për të financuar, siç thoshte Agnes Heller, të afërm dhe miqtë e miqve.
Momentin e tij të vërtetë të lavdisë e pati në vitin 2015, me ardhjen e mijëra refugjatëve sirianë, që nga Greqia kërkonin të shkonin në Gjermani duke kaluar nga Maqedonia, Serbia, Hungaria dhe Austria.
Orbán fillimisht i bllokoi, pastaj i la të kalonin kur kancelarja Merkel shpalli se nuk do të mbyllte kufijtë gjermanë. Më pas i mbylli kufijtë me tela me gjemba. Por mbi të gjitha ndezi histerinë popullore, duke e përshkruar valën migratore si një komplot të urryer, të orkestruar nga “një armik ndryshe nga ne, jo i drejtpërdrejtë por i pjerrët, jo i ndershëm por i përçmuar, jo kombëtar por ndërkombëtar, që nuk beson tek puna, por spekulon me paratë”.
Një përqendrim stereotipesh të antisemitizmit më të ndyrë, i konfirmuar nga zgjedhja e ish-mentorit të tij, Soros, si “kokë turku”, i akuzuar si kreu i një komploti sistemik kundër Hungarisë.
Që nga ai moment, Viktor Orbán u bë ylli polar, Fidel Castro i sovranizmit europian dhe botëror.
Qëndrimet e tij ndaj migrantëve (muret, dëbimet dhe politikat e ashpra) u bënë të zakonshme. Lufta në Ukrainë e tregoi si filorus dhe shërbëtor të Putin-it, ai që sovjetikët i dëboi nga Budapesti në vitin 1989.
Trump e bëri profetin e tij. Tani ka mbërritur në fund të rrugës. Por frika e vërtetë, siç paralajmëronte Marco Pannella për fashizmin, është se “orbanizmi”, i mundur si pushtet, ende dominon si kulturë.











