BE-ja ndahet sërish për çështjen e Ukrainës. Hungaria, e mbështetur nga Sllovakia e Robert Fico-s, ka vendosur veton ndaj huasë prej 90 miliardë euro për Kievin. Çështja ka shkaktuar një përplasje të fortë brenda Këshillit Evropian.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk e ka fshehur njëfarë mirëkuptimi ndaj Viktor Orban-it, i cili në prill do të përballet me zgjedhjet kombëtare.
Ndihmat për Zelensky-n shtyhen përsëri dhe gjithçka do të shtyhet të paktën për një muaj, pas zgjedhjeve në Budapest. Kryeministri hungarez e ka mbrojtur vendimin e tij, pavarësisht se në dhjetorin e kaluar ishte arritur një marrëveshje. Ai beson se pozicioni i tij është ligjërisht “i qëndrueshëm”.
Por, për presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, kjo është “e papranueshme”. Siç citon La Repubblica. Të gjithë e kanë kritikuar Orban-in për mungesë të “bashkëpunimit besnik”.
Gjithçka lidhet me fushatën elektorale dhe me riparimin e tubacionit Druzhba. Për shkak të bombardimeve ruse, infrastruktura që sjell naftën e Moskës në Hungari është ndërprerë.
Qeveria hungareze kërkon riparimin e saj para çdo marrëveshjeje. Në negociata po hyn edhe fondi Safe, i cili për momentin është i bllokuar për Budapestin.
“Jemi gati të mbështesim Ukrainën, kur të kemi sërish naftën tonë”, tha Orban.
Gjatë samitit, Meloni ka theksuar se lideri i Budapestit po shkel marrëveshjen e dhjetorit, duke pranuar megjithatë, sipas versionit të publikuar nga Politico, se kur “rrezikon të humbasësh një zgjedhje, është normale që gjërat të ndryshojnë, mund të ndodhë e njëjta gjë për secilin prej nesh”. Më pas kjo frazë u mohua nga Pallati Chigi.
Presidenti ukrainas Zelensky ka kujtuar se 90 miliardët janë jetikë. Dhe pavarësisht njoftimit të Kievit për rifillimin e negociatave me Rusinë, nga Kremlini ka ardhur pezullimi. Bisedimet e paqes mes SHBA-ve, Rusisë dhe Ukrainës, janë pezulluar për shkak të luftës me Iranin.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se i dërguari presidencial rus “Kirill Dmitriev do të vazhdojë të punojë” mbi investimet dhe bashkëpunimin ekonomik, por “bisedimet trilaterale janë në pauzë”.











