Nga AGRON GJEKMARKAJ
Prej disa javësh, zëra autori tarë të analizës dhe publicistikës politike po përpiqen të lajmërojnë opozitën për rrengjet që po i punon Kryeministri, për ta reduktuar atë në dekor të tijin. Nuk u bie fjalë në tokë. Ata kanë të drejtë. Por kjo nuk është një gjë e re. Të gjithë kryeministrat e këtij vendi e kanë provuar, kush më pak e kush më shumë, diversionin me opozitën dhe median. Berisha, Nano e Meta, tani në mënyrë më të strukturuar po e bën Rama, duke bërë thesar me eksperiencën e mëparshme. Ai kësaj tradite i ka shtuar shumëçka; lule, flutura, ngjyra të ndezura, pjalm e pistila. Ende na presin surpriza të shumta nga ky baba Kalo e pinoku i tij i thirrur “rilindje”. Ai po ruan karrigen e tij, siç i duket e arsyeshme. Ne e gjykojmë përditë etikisht pa ia kursyer epitetet që dalin nga konkluzionet tona. Pastaj, ai del në popull dhe gjykohet në instancë të epërme nga elektorati. Ndaj këtij të fundit përdoren gjithashtu mënyra të pafundme për t’ia tjetërsuar vullnetin. E pranojmë të gjithë, e thotë edhe opozita!
Më gjase po biem në një qurravitje kolektive. Çdo ditë ngashërehemi e qajmë më kokërr loti. E para opozita e pas saj te tjerët. Pak a shumë transmetohen këto mesazhe: mbrëmë Kryeministri na gjuajti me shpullë, ja shikoni faqen si është fryrë; sot në mëngjes na kapi për veshi, ja shikoni si është skuqur dhe zgjatur si i gomarëve të Rrogozhinës; në orën 10 na e këputi me shqelm bythëve, por s’i ulim dot pantallonat se na vjen turp! Aty nga dreka na gënjeu dhe na mori bukën e thekur nga goja, pasdite na e bëri me sy, njërin e ftoi për darkë që i mbettë në fyt, asaj ia bëri me sy për të mbyllur sytë së bashku në gjumë politik!
Nesër e njëjta retorikë denoncimi. Pa fund mund ta pasurojmë gjeografinë e akuzave për mënyrën si qeveris Rama, për atë sesi e ruan, rrit e mbarështon pushtetin, strategjitë e tij për të ardhmen, marrëdhëniet me opinionin, individët, vetë opozitën, e cila paralajmërohet bujarisht çdo ditë, por kjo nuk e ndryshon ekuacionin.
Opozitës nuk ia ka në themel fajin Kryeministri, me gjithë zellin e tij për ta defaktorizuar atë. Krahas paralajmërimeve, lajmërimeve, evidentimit të plagëve, qarjes së hallit, opozitës i duhet kërkuar ta ndërpresë vajin dhe të vetëmbrohet. Ajo ka nevojë për qytetarë në bedenat e saj, për shumë të tillë. Ata, një arsye e kanë, përtej joshjeve dhe shantazheve të pushtetit, që ende nuk i bashkohen opozitës. Ata i kërkojnë asaj ndryshim thelbësor. Ndihmë është të trokasësh në derën e saj e t’i thuash se Kryeministri po të bën këtë e atë. Më e madhe do të ishte ajo nëse zërat që preokupohen nga deriva totalitare e Ramës t’i kërkojnë me ngulm Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit të gjejnë krahë si kali i Pegasos, të fluturojnë, të bëjnë një mrekulli që njerëzia të mahnitet. E meqenëse këtë s’ka logjikë t’ua kërkojnë, mos të lodhen së insistuara e së përsërituri që PD dhe LSI, për aq kohë sa perceptohen si aset privat dhe jo si hapësirë publike, nuk joshin shumëkënd duke ua njohur historinë e deritanishme. Kritikat duket sikur e dobësojnë opozitën. Ky është perceptim vetëm në dukje që i shkon për shtat lidershipit, i cili e ka zët reflektimin që i zbeh sundimin. E vërteta teorikisht duhet ta ndihmojë atë.
PD ka pesë vjet në opozitë, kohë jo e pak të për të rifituar vëmendjen e shoqërisë dhe shtuar konsensusin. Nuk ka ndodhur, përkundrazi, ai është mpakur e venitur. Kryeministrin ajo e mund vetëm duke i zvogëluar mbështetjen dhe bindur votuesit të ndjekin atë në vend të tij. Më kujtohet aty nga viti 2000, në Pallatin e Kongreseve, u bë një tubim i opozitës me intelektualët. Nismë e lëvdueshme, sidomos në ato kushte. Preç Zogaj pat mbajtur një fjalim, titulli i të cilit më ka mbetur në mendje, “Populli po pret opozitën”. Kjo ishte e vërtetë. Në zgjedhjet e vitit 2001, asaj iu vodhën 17 mandate, fakt që tregonte peshën e saj në rritje. Gjatë viteve 2001-2005, Sali Berisha ndryshonte çdo ditë. Ai bëri cirk imazhi e makijazhi. Pa e deklaruar, e rithemeloi e bashkoi partinë e tij, por mbi të gjitha e pasuroi me njerëz dhe ide, aq sa pas pritjes populli u kthye tek ajo. E risolli në pushtet.
Pastaj, në qeverisje, bashkë me sukseset,ia behu degradimi, i cili si ortek vazhdon ta rrotullojë këtë forcë politike. Nuk janë të paktë ata që duke kritikuar opozitën vuajnë dramën se po ndihmojnë një qeverisje të keqe që të mbijetojë, por, nga ana tjetër, Lulzim Basha vazhdon të mos jetë frymëzues. Ai me gjasë mjaftohet me sigurinë personale që i jep dominimi i PD-së aktuale. Aty s’ka mbetur askush që mund t’i thotë që je lakuriq. Ata i bëjnë hyzmet karrierës së tyre, paçka se vit pas viti u vihet në diskutim jo nga Luli, por nga ata që nuk i votojnë jashtë oborrit. Basha ka zgjedhur si i ka dashur zemra me vetëdije, duke dhënë maksimumin e tij politik e intelektual. PD ka fizionominë e Bashës. Por nuk u bë dot shumicë në zgjedhjet e një viti më parë. Nëse shtohen zërat së jashtmi, të cilat ia thonë këtë mbase ai fillon të vishet. Po kaq të dobishëm do të bëheshin ata për opozitën dhe vendin nëse privatisht e publikisht ia shpjegojnë me nge atij se elitat e ndryshojnë një komb, një shtet e një parti, jo shakllabanët, dyrdylët, dulqinjat, lëpirësit që kërkojnë lavdi e shohin veç dy pëllëmbë vend për të ulur të prapmen e tyre. Aman, thojani Lulzim Bashës ju, të cilëve ju dëgjon se i bëni nder më të madh se kur e stresoni me kurthet e Rames. Basha mbase ka frikë nga protagonistët, por pa ta s’ka sy për qabe. Nuk ndihmohet duke i përsëritur sa i keq, sa i poshtër…pu, pu, ç’përbindësh është Edi Rama e si po të punon qindin. Nuk duhet lënë pas dore as kjo kujtesë, por refreni së paku ndaj PD është ‘bëhu e besueshme, e vërtetë, e djathtë e përfaqësuese’.
Picaxhinjtë duhet të bëjnë pica, shkarpaxhinjtë shkarpa, bozaxhinjtë bozë. Çdokush zanatin që ka, siç thotë kënga “krush i madh i hollë i gjatë, rri në zanat që të la yt atë” se janë me dinjitozë për vete e të dobishëm për të tjerët. Një opozitë me e mirë dhe një lider konsekuent e kurajoz që e bëjnë të prekshme e të besueshme alternativën e ndryshimit janë diga më e madhe për dominimin e gjatë të Edi Ramës. Gogoli i Ramës tani për tani ndihmon Ramën dhe dekurojon ende me opozitarizmin. Duke i njohur kaq merita Ramës, po i ndërtojmë kësisoj mitin. Panorama