Opozita do të shkojë sot në tryezën e Komisionit të reformës në drejtësi me kritikat konkrete për draftin e eksperteve për këtë reformë.
Burime nga PD bëjnë me dije për Report TV se puna e ekspertëve nuk ka të bëjë me dërgimin në komision të një drafti por sipas të njëjtave burime, në tryezë opozita do të shpalosë kritikat që ka për draftin e maxhorancës.
Demokratët pretendojnë se janë të paktën 11 çështje nga propozimet e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që nuk janë përfshirë në draftin e ekspertëve. Ato kanë të bëjnë me formulën e emërimit të funksionarëve të drejtësisë nga kuvendi, mandatin e kryeprokurotit, rolin e presidentit në gjyqësor etj.
Po ashtu bëhet e ditur se PD do t’i përmbahet qëndrimit të saj, se drafti i vetëm që duhet diskutuar në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi duhet të jetë në bazë të rekomandimeve t e Komisionit të Venecias.
Ndërkaq të hënën në komisionin e reformës edhe LSI do të paraqesë paketë ne propozimeve, në të cilën përfshihen vërejtjet që u bënë në komision nga deputeti Spartak Braho. Zyrtarisht, LSI-ja pritet ta shpallë të hënën variantin e saj për ndryshimet kushtetuese, i cili është i ndryshëm me atë të grupit të Nivelit të Lartë të Ekspertëve, që mbështetet nga Partia Socialiste.
Para dy ditësh komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi nuk gjeti konsensus për dërgimin e një drafti të përbashkët në Venecia nga ku do të merret dhe opinioni final. Në këto kushte, u vendos që drafti i grupit të ekspertëve të PS t’i dërgohet Venecias bashkë me kritikat e PD dhe opinionet e LSI.
Më datën 21 janar pritet të mbërrijë në Tiranë një grup i ekspertëve të Venecias për konsultimet e fundit me palët politike në Shqipëri për këtë reformë.