Nga Ilir Yzeiri
Manifestimi i djeshëm para dyerve të zyrave të Kuvendit të Shqipërisë, të cilat janë mbivendosur në ambientet e dikurshme të ish- KQPPSH-së, ishte një fotografi e trishtuar e gjendjes ku ndodhet opozita shqiptare, e cila, me ata 100 a 150 shpirtër që manifestonin aty paqësisht, u tregoi të gjithëve se një pjesë e madhe e shqiptarëve është e papërfaqësuar politikisht dhe se, në gjendjen aktuale të konfiguracionit politik, populli i madh opozitar ndjehet i fyer. Qysh nga dita kur SPAK mori të pandehur Jamarbër Malltezin, Berisha u përpoq të tregonte se ai dhe familja e tij, kishin imunitet popullor dhe bëri thirrje, herë të hapura e herë të kamufluara, që opozita ta shfrytëzonte këtë rast për të nisur portestat e fuqishme që do të rrëzonin qeverinë. Mirëpo, një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por mbështetësit e Berishës u pakësuan.
Atë natë që dhëndrri i tij u ndalua në Rinas dhe u përcoll në qeli, ai lajmëroi një konferencë urgjente shtypi. Të gjithë menduan se në solidaritet për gjëmën që i kishte rënë familjes Berisha, të paktën populli i Tiranës do të mbushte ambientet e SHQUP-it, por nuk ndodhi ashtu. As 100 shpirtër nuk u mblodhën atë natë. Pas kësaj ai nisi monologjet me përmbajtje agresive e luftënxitësë në Kuvend dhe nja shtatë a tetë deputetë filluan të luajnë një komedi të mërzitshme në ambientet e Parlamentit duke përmbysur karriget e duke hedhur tymuese. Nisi një tur takimesh nëpër disa qytete, por sallat mbeteshin bosh. Populli opozitar nuk pranoi që të bënte kauzë politike problemin e familjes Berisha me drejtësinë. U duk se shtrëngimi i masës së sigurisë nga SPAK dhe shqiptimi i fjalës « arrestim » ndaj Berishës, do të zgjonte emocione të tjera te populli opozitar, por nuk ndodhi kështu. Indiferenca ishte më e thellë dhe manifestimi i djeshëm ishte prova më e qartë që tregoi se interesat e opozitës shqiptare janë krejt të tjera nga problemet që ka Berisha dhe familja e tij me drejtësinë shqiptare.
Ajo që po ndodh me opozitën e vendit tonë, në një pamje më të gjerë është edhe fotografia e antropologjisë politike të shqiptarëve. Për fat të keq ne na mungon figura dhe modeli i politikanit modern, patriot dhe që të përfaqësojë tiparet më të mira të konstitucionit tonë psikik, historik e social dhe që të ketë si devizë interesat e Shqipërisë. Narrativa jonë mbi heronjtë nuk na ndihmon që të mësojmë se cili duhet të jetë modeli i atij që duhet të na përfaqësojë sot. Nëse do të mbajmë në vështrim karakteristikat më të mira të shqiptarit, ato virtyte që shenjojnë tiparet që të frymëzojnë dhe në të cilat secili nga ne sheh e gjen vetveten, e kemi të vështirë sepse ne sot kemi ndërtuar psikologjinë e demistifikimit të heronjve tanë dhe kemi vënë në pikëpyetje gjithçka. Kulti i epokës sonë apo modeli i shqiptarit të sotëm është paraja dhe heroi që mposht tjetrin dhe triumfon me të gjitha mjetet e mundshme mbi të. Ky shkatërrim i stofit social e historik nuk është vetëm problem shqiptar. Mirëpo te ne duket më qartë dhe na shenjon më fort nga që jemi një vend që nuk kemi institucione të vjetra dhe të konsoliduara. Ndaj në jetën dhe në ballafaqimin politik shqiptar nuk ka rregulla, por vetëm kaos. Ndaj ka humbur sensi moral dhe dinjiteti personal.
Secili nga ne ka një të vërtetë të tijën dhe ne të gjithë nuk bindemi që të besojmë në një të vërtetë që qëndorn mbi ne. Kjo dramë vihet re sidomos te opozita, sepse demokracia shqiptare rrezikohet nga vetasgjësimi i opozitës. Me qenë se nuk kemi institucione të forta juridike e kushtetuese, atëherë do t’i referohem kodit të nderit dhe të burrërisë shqiptare, pra kulturës sonë të odave të maleve, por edhe asaj kulture që në përgjithësi ne e rrëfejmë dhe që mbështetet te kulti i nderit dhe i dinjitetit vetjak. Në këtë rast do të duhet të mendonim se Sali Berisha, pikërisht në emër të këtij kodi, do të duhej të tërhiqej nga drejtimi i opozitës dhe të sakrifikonte egon e tij për të mirën e popullit opozitar. Me dinjitetin e njeriut që i ka marrë këtij vendi gjithë nderet e ofiqet, ai, qysh në momentin që ndaj tij u shqiptua qëndrimi amerikan që e shpallte « non grata », duhej të tërhiqej dhe të mos shfaqej në publik fare dhe betejën me drejtësinë apo me ata që e kishin shpallur « non grata » ta bënte pa u ndier, në heshtje dhe t’i linte kohën dhe mundësinë opozitës shqiptare që të organizohej për ta mundur pozitën. Që ta bënte këtë, Sali Berisha duhej të mbështetej vetëm mbi një kod, në atë të pashkruarin që është dinjiteti vetjak dhe krenaria, por edhe sakrifica e fuqia për t’u tërhequr nga privilegjet dhe për t’u treguar të gjithëve se ti nuk je një aksident në historinë shqiptare, por një politikan i vërtetë.
Kjo nuk ndodhi. Por nuk ndodhi as tjetra. As Lulëzim Basha nuk u tërhoq nga PD-ja. Edhe ai kishte një shans për të treguar se politika nuk është vetëm kompromis apo e drejtë, por është edhe moral. Në momentin që aelatët strategjikë e vunë përballë përgjegjësisë që të përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar, ai vetë duhet të kishte dhënë dorëheqjen për shkak se në atë pozicion dhe gjithë ato ofiqe e të mira i realizoi pasi Sali Berisha e zgjodhi dhe e emëroi si pasardhës të tijin dhe ai vetë nuk u bë kurrë një lider. Misioni i tij mbaroi pikërisht atëherë kur përfundoi edhe karriera politike e Berishës. Nëse e vështron kështu, ateherë bindesh se PD-ja, partia politike që lindi si shpresë për shqiptarët, për fat të keq, nuk arriti të ndërtojë një moral të ri në politikën shqiptare. Ajo trashëgoi gjithë amalgamën e pistë të sjelljes në politikë ku morali, dinjiteti dhe nderi jo vetëm që nuk përfillen, por e kundërta e tyre është normë. Ndaj, sot kjo forcë politike shfaqet në mënyrën e saj më të errët. Sali Berisha ka mbetur me 100 besnikë dhe ish-burokratë të qeverisë së PD-së që janë si të klonuar prej frymës së tij. Lulëzim Basha i strukur diku në Bllok arrin të shfaqet vetëm në takime me gjimnazistë.
Popullit opozitar askush nuk ia tregon me fakte se çfarë ndodh me buxhetin e këtij vendi, me natyrën dhe zonat e mbrojtura. Askush nuk e vret mendjen se përse arsimi shqiptar po fundoset dhe testet e PISA-s na nxjerrin keq e më keq. Përse vendi po kthehet në një tallava kulturore. Teksti që reciton Sali Berisha si prokuror alternativ nuk është përmbajtja e halleve që ka populli opozitar, por është klithma e një njeriu që, ashtu siç iu ngjit lëvizjes studentore në vitet’90 dhe e deformoi frymën e saj, ashtu edhe sot i ka zënë frymën opozitës shqiptare dhe nuk e lë të shfaqet e të përfaqësohet denjësisht. Unë u mora me kodin e nderit sepse ligji apo Kushtetuta nuk u sendërtuan në këtë vend nga PD-ja qysh kur ajo mori pushtetin. Ndaj edhe aksioni i djeshëm opozitar, por edhe të tjerët që ka paralajmëruar Berisha do të jenë si ato parakalimet në Bulevard në ditët e Karnavaleve ku në vend të klounëve e maskave do të parakalojnë burokratët e foltores me Tritan Shehun në ballë.