• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, September 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Opozita peng e Berishës”- Rexhaj: Rama kërkon të instalojë mekanizmin e ‘llogaridhënies qytetare’, fokusi te komunikimi me njerëzit!

by A. Q
10/09/2026 08:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Partia Socialiste ka nisur takimet intensivë me qytetarët, në kuadër të “Pranisë Besnike”, me anë të së cilës do të mbahen shënim të gjitha shqetësimet dhe problematikat me të cilat ato përballen çdo ditë.

Këtë qasje të Partisë Socialiste dhe të qeverisë e komentoi dhe analisti Albatros Rexhaj, i cili tha se Rama e ka kuptuar se politika bëhet me njerëzit dhe aty ku janë njerëzit. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të instalojë “llogaridhënien qytetare”, si një vlerë dhe qasje evropiane.

“Kryeministri Edi Rama e ka kuptuar se politika bëhet me njerëzit, aty ku janë njerëzit. Diferencën e bën komunikimi me njerëzit dhe kryeministri e ka kuptuar këtë, Po krijon diçka të re. Pjesa më e rëndësishme është komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit.  Ai do të instalojë ‘llogaridhënien qytetare’. Kjo është një vlerë evropiane. Ai do ta dërgojë Shqipërinë në Europë. Nuk dërgohet Shqipëria në Evropë vetëm me foto apo me reels-a”, tha ai për “ABC News”.

Ai pohoi se qytetarët duan të dinë se si funksionojë hallkat e institucioneve dhe të mbajnë përgjegjës të gjithë ata persona, të cilët nuk i adresojnë siç duhet shqetësimet e tyre.

“Duhet instaluar llogaridhënia në të gjitha hallkat dhe që qytetarët duhet ta dinë se kush është përgjegjës për një dështim. Unë mendoj se Edi Rama në fund do t’ia dalë”, tha ai.

Analisti u ndal edhe te kampi opozitar. Sipas tij, Partia Demokratike është nën hijen e Sali Berishës dhe mbahet peng prej tij. Sa i takon protestës në bulevard, Rexhaj tha se shtresa e mesme është larguar tashmë nga tubimi.

“Opozita ka hallet e veta. Ajo është peng i Sali Berishës, për sa kohë sa do jetë Berisha, aty nuk do ketë një rikrijim. Gjithçka është nën hijen e Sali Berishës. Shtresa e mesme është tërhequr nga sheshi”, tha ai.

Intervista e plotë televizive:

Pyetje: Kryeministri Rama mblodhi sot drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për të raportuar mbi ecurinë e deritanishme të nismës “Prania Besnike”. Pse mendoni se kryeministri po e vendos fokusin kaq shumë te prania në terren pikërisht në këtë moment?

Albatros Rexhaj: Sepse kryeministri e ka kuptuar që, në fund, politika bëhet me njerëzit, aty ku janë njerëzit. Duhet të kthehemi disa vite mbrapa. Disa nga ata që na ndjekin e mbajnë mend: ishte një trend i qeverisjes që gjithçka të ishte në rrjetet sociale. Post, share, “rrini gati” e të tjera. E gjithë qeverisja kaloi në një farë komunikimi virtual me publikun. Në atë kohë ishte trendi, rrjetet sociale sapo kishin shpërthyer, dhe mendohej se kështu do të vazhdonte. Por kohët ndryshojnë, njerëzit ndryshojnë, dhe në fund diferencën e bën kontakti me njerëzit.

Kryeministri e ka kuptuar këtë. Tani nuk po e kthen procesin në pikën zero, siç do të thoshin disa. Po krijon thjesht diçka të re, që do të shkojë në mënyrë komplementare me komunikimin në rrjetet sociale, i cili në kohërat tona është i domosdoshëm. E pamë edhe videon që bëri. Por pjesa më e rëndësishme është komunikimi i drejtpërdrejtë me njerëzit.

Arsyeja pse Rama po i thërret kaq shpesh dhe po flet kaq shpesh — dhe këtu po flas si njeri që e merr shumë afër zemrës këtë fenomen — është se kryeministri e ka një sfidë: a do të zgjasë kjo dalje në terren tre ditë, dhe ditën e katërt vazhdojmë si përpara? Ajo që ai po do të tregojë është se nuk janë tre ditë. Ka një gjë në mend: “mos më dilni aty vetëm për t’u bërë se punoni”.

Se tani disa nga drejtuesit e Partisë Socialiste, dhe ky nuk është trend vetëm i PS-së, është i gjithë spektrit politik, mendojnë se bëjnë namin: hajde të shkojmë atje, të rrimë pak, të bëjmë një post, një foto, një video, një reel të shkurtër, e pastaj kaluam. Kryeministri, kam përshtypjen, po do të krijojë një mekanizëm përmes të cilit ajo që po quhet komunikim të jetë e vërtetë: t’i dëgjosh njerëzit, dhe më pas të japësh llogari. Në një intervistë më herët kam thënë se ai po do të instalojë llogaridhënien qytetare. Ideja nuk është vetëm “të dëgjova, mirë, tani shko”. Ideja është që dikush të mbajë përgjegjësi.

Pyetje: Pra kjo është edhe rezultati që kryeministri pret nga kjo nismë.

Rexhaj: Ai kërkon vendosjen e llogaridhënies qytetare. Llogaridhënia qytetare është vlerë evropiane. Ky ka thënë se do ta çojë Shqipërinë në Evropë. Shqipëria nuk çohet në Evropë me fotografi të bukura e me reels, ku del atje dhe bën një video, përshëndet këtë, përshëndet atë. Llogaridhënia qytetare është vlera evropiane, dhe kryeministri e ka shumë seriozisht kur thotë se duhet ta fusë Shqipërinë në Evropë. Por tani e ka kuptuar që e ka një problem.

Shqipëria mund të shkojë në Evropë, sepse ai po e udhëheq rrugën. Evropa mund ta fusë Shqipërinë. Por duhet edhe shqiptarët t’i bësh evropianë. Dhe për t’i bërë shqiptarët evropianë, procesi është i komplikuar. Duhet të bëhen evropianë edhe këta njerëz që realisht e kanë pushtetin. Dhe këta njerëz e kanë pushtetin sepse Edi Rama i mbledh votat. Edi Rama del dhe i mbledh votat nën siglën e PS-së, njerëzit ia japin besimin Edi Ramës. Tani edhe këta njerëz duhet të bëhen evropianë, dhe nuk mund të bëhen evropianë nëse nuk instalohet llogaridhënia qytetare. Është ai qarku: votues, qytetar, vendimmarrës. Ku ai thotë: do ta shohim feedback-un, a po del diçka nga kjo punë?

Pyetje: Si mendoni se do ta masë kryeministri suksesin e kësaj nisme?

Rexhaj: Unë mendoj se kryeministri, nëse është thinjur deri tani nga shumë gjëra, tani, duke dashur ta masë këtë punë, do të thinjet edhe më tepër. Sepse po e them: ti do ta çosh Shqipërinë në Evropë, Edi Rama, dhe unë ta besoj këtë. Por duhet t’i bësh edhe shqiptarët evropianë, dhe këtu do të ketë problem. Problemin më të madh do ta ketë me njerëzit e vet, sepse njerëzit e vet janë mësuar me mënyrën e të bërit të gjërave siç bëhen në Shqipëri.

Kjo është pika ku më vjen për të qeshur ndonjëherë, kur shoh videot e Jorida Tabakut ose të disa të tjerëve nga opozita, ose edhe të aktivistëve të ndryshëm. Ata sillen sikur, po ta ndërrosh shefin, po ta heqim Edi Ramën e të vëmë ty, ndërron diçka në këtë vend. Jo, s’ndërron kurrgjë, se shqiptarët janë po të njëjtit dhe vazhdohet me të njëjtën mendësi. Sistemi nuk ndryshon nëse ndryshohet udhëheqësi. Sistemi ndryshohet nëse i futemi nga themeli, nga rrënjët. Dhe Edi Rama këtë po përpiqet të bëjë.

Ky është leximi im. Por nuk është vetëm lexim. Mund të them se kam edhe informacion nga brenda procesit, së paku nga konsultimet. Bëjmë pyetje dhe ndonjëherë marrim përgjigje se ky është qëllimi, e ka seriozisht, nuk do të zgjasë tre ditë.

Ministrat e tij, drejtorët, drejtuesit, se këtu ka një gjë që dua ta them. Është një fshat diku në Shqipërinë e mesme, Bashkia Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Korçë, ose atje larg, në Ersekë. Nëse nuk është fushatë, kush merret të shkojë atje? Të vijë drejtuesi i qarkut, të marrë kryetarin e partisë ose kryetarin e bashkisë dhe të shkojë të vizitojë një fshat? Vetëm kur vijnë zgjedhjet shkojnë. Këto gjëra duhet të ndryshojnë. Se edhe katunarët janë shqiptarë.

Pyetje: Këtu në këtë vend nuk shikohet kështu.

Rexhaj: “Katunarët nuk janë shqiptarë”, kështu thonë këta. Edhe katunarët janë shqiptarë. Edhe katunarët janë qytetarë të këtij vendi. Është shumë e bukur ajo: “qytetarët e fshatit Leskovik”. Është shumë e bukur si gjë. Por duhet t’i trajtosh si të tillë dhe duhet të shkosh te ata. Nuk mund të jesh Evropë dhe një pjese të qytetarëve të tu t’u thuash: “hajde se ky jeton atje në majë të malit, s’merrem unë me ta”. Keni shkuar në Gjermani, keni shkuar në Austri? Deri në majë të malit shkojnë ata. Në dy mijë e ca metra lartësi mbi nivelin e detit, e ka rrugën e asfaltuar deri te shtëpia. Kjo është gjëja që Edi Rama po përpiqet të bëjë. Ta shohim tani a do t’ia dalë.

 

Pyetje: Mendoni se mund të konsiderohet si një formë e re llogaridhënieje brenda vetë mazhorancës?

Rexhaj: Po, normal që duhet të bëhet, se mazhoranca është ajo që i ka gjërat në dorë. Ky e ka mandatin më të madh që ka pasur ndonjëherë ndonjë lider shqiptar në demokraci, pas atij mandati që e pati Sali Berisha në fillim, në vitin ’92. Normal që janë njerëz të përgjithshëm, kujt do t’i kërkojmë llogari? Por Edi Rama po do të krijojë një sistem ku njerëzit ta kuptojnë qartë se nuk është vetëm një njeri.

Se tani ti shkon, për shembull, në Lushnjë. Qytetari kontaktin e ka me Bashkinë e Lushnjës, problemet janë probleme të Bashkisë së Lushnjës. Edhe kryetarja atje nuk është e lehtë, është pak e ashpër ajo kryetarja e Lushnjës, i ka shtrënguar gjërat goxha, dhe s’guxon kush të flasë. Por po t’i thuash: ku është problemi? Thotë: “faj i Edi Ramës”. Po ç’ka Edi Rama lidhur me atë që bën Bashkia e Lushnjës? Thotë: “o Edi Rama, se Edi Rama ma ka pru këtë”. E mora si shembull. Kështu që tani duhet parë komplet sistemi, që të instalohet një llogaridhënie në të gjitha hallkat, që qytetarët ta kenë të qartë kush është përgjegjës për një dështim. Në momentin që e di saktë kush është përgjegjës, mund ta bësh edhe ilaçin. Nuk thua “më dhemb diku”. Duhet gjetur saktë ku të dhemb dhe çfarë e shkakton atë dhimbje. Unë mendoj se Edi Rama në fund do t’ia dalë, por goxha shumë do të thinjet.

Pyetje: Në një kohë kur mazhoranca po e forcon kaq shumë praninë në terren, nga ana tjetër, si e shihni opozitën?

Rexhaj: Opozita i ka hallet e veta. Opozita merret me vetveten. Unë mendoj se opozita është peng i Sali Berishës. Për arsye se, përderisa të jetë Sali Berisha aty, nuk do të ketë rikrijim të diçkaje. Gjithçka është nën hijen e Sali Berishës. Kjo është zgjedhja e tyre, ata kanë zgjedhur. Unë e kuptoj pse e kanë zgjedhur: Edi Rama nuk është Sali Berisha te Partia Socialiste. Sali Berisha është lideri themelues. Lideri themelues i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka vdekur, madje tani ka vdekur edhe fizikisht, ndërsa largimin nga politika ia ka bërë Edi Rama shumë vite më parë. Sali Berisha është lider themelues, dhe përderisa lideri themelues dëshiron të jetë relevant, nuk mund të shkosh kundër tij pa shkaktuar një traumë të madhe. Dhe derisa të jetë kjo situatë, unë nuk shoh që aty do të ketë ndonjë lëvizje.

Pyetje: Nuk kanë asnjë strategji përballë Partisë Socialiste?

Rexhaj: Jo. Unë mendoj se strategjia e njerëzve të tjerë, pos Sali Berishës, është të ruajnë sa më shumë që të munden strukturat që kanë, votën që kanë, dhe të presin një rast të dytë.

Pyetje: Të kalojmë pak edhe te protesta e Revolucionit të Flamingove. A do të jetë një faktor politik këtë vjeshtë?

Rexhaj: Revolucioni Flamingo dhe protesta e tanishme nuk janë më e njëjta gjë. Mua nuk më pëlqen ajo fjala që thotë kryeministri, “sorra”. E tepron pak. Edi Rama ka qejf ta teprojë kur flet. Nuk është mirë, se janë qytetarë shqiptarë. Ç'”sorra”? Janë qytetarët e tu, ti je kryeministri i tyre. Unë përpiqem të jem sa më korrekt në këto gjëra.

Por kjo protestë nuk është më Flamingo. Revolucioni Flamingo ishte revolucioni i shtresës së mesme, ose, siç thuhet, Tirana doli rrugëve e vërshoi. Tani kemi disa grupe njerëzish që më kujtojnë grupet anarkiste: duan të bëjnë zhurmë, duan të bëjnë protestë, duan të zënë hapësirë mediatike, vëmendje. Kjo mund të vazhdojë edhe me javë, edhe me muaj, edhe me vite. S’ka kurrgjë aty.

Pyetje: Por nuk prodhon rezultat.

Rexhaj: Nuk prodhon rezultat. Nëse shtresa e mesme nuk rri në rrugë, nuk ka rezultat. Shtresa e mesme, kur del në rrugë, bën presion politik. Shtresa e mesme u tërhoq. Për arsyet që ata i dinë, por u tërhoq.

Pyetje: Dje pamë edhe përplasjen e disa prej protestuesve me deputeten Iris Luarasi. Si e patë ju këtë episod?

Rexhaj: T’i dalësh e t’ia zësh udhën një deputeteje nuk është fundi i botës. Ta kemi të qartë këtë, se lexoj disa reagime: “ia ka zënë rrugën”. Po, ia ka zënë rrugën dhe i thotë: “ti je deputet, s’po bën mirë”. Çdo gjykatë në vendet demokratike, kur kanë shkuar raste të tilla në gjykatë, i ka dhënë të drejtë qytetarit. Ka thënë: ti je përfaqësues publik, nuk je qytetar privat, dhe një votues mund të dalë e të ta zërë udhën. Por ka kushte. Kushtet janë: s’bën të prekësh me dorë, s’bën të pengosh fizikisht, e të tjera.

Dje aty pati ca elemente që shkonin në kufijtë e asaj që demokracia e lejon. Për ato që flasin njerëzit me gojë, është vend i lirë, mund të thuash ç’të duash. Është normale të dalësh e t’i thuash “politikan hajdut”. Është mendim. Faleminderit, vazhdojmë. S’është vepër penale. Por kjo ideja e imponimit të dhunshëm është problem.

Pyetje: Aty pastaj kalon.

Rexhaj: Është problem. Dhe ndoshta në gjykatë s’del gjë nga ajo punë, se gjykata i pret ndryshe gjërat. Por te populli shqiptar, që megjithatë është popull konservator, që ka vlera konservatore, kjo gjë nuk reflekton mirë. Te njerëzit tanë nuk fiton përkrahje popullore nëse del e ia zë rrugën dikujt dhe sillesh ashtu. Në aspektin e rregullave demokratike ti mund të jesh brenda rregullave, por nuk është se fiton diçka te populli ynë.

Ndërsa për mua, fakti që ajo është grua nuk është ndonjë gjë me rëndësi. Ajo është deputete. Deputetët nuk kanë gjini. Është e barabartë me të gjithë të tjerët. Ajo mund të jetë sa shtatë burra për atë punë. Kjo gjë nuk duhet theksuar, sepse deputetët nuk kanë gjini.

Sikurse dje, për shembull, u bë lajm që ministrja e re “ka ndryshuar look-un”, që një femër u rregullua dhe shkoi te një sallon bukurie. Nuk është lajm, o burrë! Pse janë këto gjëra lajm?

Pyetje: Kalojnë nga sensacioni.

Rexhaj: Nuk është lajm si vendos të vishet një femër, në kuptimin e look-ut, në ditën e parë të detyrës. Nuk është lajm. Kjo është seksizëm i pastër. Për mua kjo është më seksizëm sesa fakti që, për arsye politike, dikush del e ia zë rrugën Iris Luarasit.

Pyetje: Po ju pyes edhe për ministren e Shëndetësisë.

Rexhaj: Mendoj se është ngjarja më e rëndësishme e këtyre dy ditëve të fundit.

Pyetje: Ishte dita e djeshme, por e rikthejmë përsëri.

Rexhaj: Emërimi i ministres së re, konfirmimi në Kuvend. Sot me siguri do ta bënte edhe betimin, por presidenti i Republikës është në Norvegji, dhe besoj sa të kthehet. Mendoj se është një zhvillim shumë i rëndësishëm, sepse pritshmëritë me të cilat Klodiana Spahiu hyn në detyrë janë shumë të larta.

Unë i kam bërë pyetje kryeministrit dhe kam marrë një përgjigje, në cilësinë e një komunikimi profesional, brenda logjikës së mediave. I kam thënë: pse këtë grua, pse këtë deputete, pse këtë zonjë? Përgjigjja ishte: sepse është profesionale, është e përulur dhe është besnike.

Pyetje: A nuk i kishte këto tipare edhe Evis Sala?

Rexhaj: Evis Sala iku tani. A i ka pasur, a s’i ka pasur, nuk merremi me atë që iku. Lajmi i djeshëm është kjo: është e përulur. Kam pyetur poshtë e përpjetë, thonë: vërtet është e përulur, është grua me këmbë në tokë. Dhe kjo është shumë me rëndësi. Është shumë e rëndësishme që ministri i Shëndetësisë ta ketë këtë tipar, sepse shëndetësia është pika ku më së shumti ka kontakt qytetari me shtetin.

Në të njëjtën kohë, po futet në një fushë të minuar. Shëndetësia është fushë e minuar. Niveli i keqpërdorimeve atje ndonjëherë është goxha i sikletshëm. Me misionin që i ka dhënë kryeministri Rama, me besimin që i ka dhënë që ta reformojë sektorin e shëndetësisë, që vërtet të vijmë në atë pikë ku shëndetësia të jetë për shqiptarët, dhe jo për disa depo farmaceutike, jo për disa pronarë spitalesh private e pronarë klinikash, po për shqiptarët, mendoj se ajo do të ketë shumë probleme.

Pyetje: Pritshmëritë janë të larta.

Rexhaj: Pritshmëritë i ka shumë të larta. Unë ia uroj, dhe do të bëj edhe një shkrim për këtë punë. Por besoj se, nëse do të ketë përkrahjen e publikut dhe të kryeministrit, si dhe durimin për t’u shkuar gjërave deri në fund, rendin dhe ligjin në shëndetësinë shqiptare nuk do ta bëjnë më shefat e depove farmaceutike dhe shefat e spitaleve private, por do ta bëjnë vetë shqiptarët.

-Faleminderit shumë. Ishte kënaqësi.

Next Post
Aksident i rëndë hekurudhor në Poloni, treni përplaset me betonieren, një i vdekur dhe 20 të plagosur!

Aksident i rëndë hekurudhor në Poloni, treni përplaset me betonieren, një i vdekur dhe 20 të plagosur!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Veliaj mbërrin në Gjykatën Administrative, nis seanca për padinë ndaj prokurorit Dado

Veliaj përballë standardit të ri të Gjykatës së Lartë: A do të zbatohet ligji njësoj për të gjithë?

September 10, 2026
“Flasim Shqip”/ Rama: Dhjetëra mijëra “ushtarë” të krijuar në laboratorët e teknologjisë sulmojnë hapësirën digjitale

“Flasim Shqip”/ Rama: Dhjetëra mijëra “ushtarë” të krijuar në laboratorët e teknologjisë sulmojnë hapësirën digjitale

September 10, 2026
Lidhjet mes politikës, klubeve dhe tifozëve: Madhërimi i Mlladiçit pa reagime dhe sanksione

Lidhjet mes politikës, klubeve dhe tifozëve: Madhërimi i Mlladiçit pa reagime dhe sanksione

September 10, 2026
Ngërçi me pagat bllokon punën në Gjykatën e Durrësit, zhvillohen vetëm masat e sigurisë dhe çështjet urgjente!

Ngërçi me pagat bllokon punën në Gjykatën e Durrësit, zhvillohen vetëm masat e sigurisë dhe çështjet urgjente!

September 10, 2026
Zjarri në malësinë e Tërbunit hyn në ditën e pestë, banorët thonë se ka shkrumbuar mbi 60% të pyjeve, kërkojnë ndërhyrje nga ajri

Zjarri në malësinë e Tërbunit hyn në ditën e pestë, banorët thonë se ka shkrumbuar mbi 60% të pyjeve, kërkojnë ndërhyrje nga ajri

September 10, 2026
Dy vëllezër në pranga pas sherrit në Korçë, dy të plagosur

Qarkullonin me drogë dhe thikë në makinë, një i arrestuar dhe një tjetër nën procedim në Korçë! Tentuan dhe t’i arratiseshin policisë

September 10, 2026
Ngërçi i pagave/ KLGJ nis mbledhjen me gjyqtarët, Sadushi: Nuk kërkojmë privilegje! S’është vetëm mosmarrëveshje financiare, preken raportet kushtetuese

Ngërçi i pagave/ KLGJ nis mbledhjen me gjyqtarët, Sadushi: Nuk kërkojmë privilegje! S’është vetëm mosmarrëveshje financiare, preken raportet kushtetuese

September 10, 2026
“11 Shtatori” në SHBA/ Qendra Kulturore e Ministrisë së Mbrojtjes koncert për 25-vjetorin, në kujtim të viktimave të tragjedisë!

“11 Shtatori” në SHBA/ Qendra Kulturore e Ministrisë së Mbrojtjes koncert për 25-vjetorin, në kujtim të viktimave të tragjedisë!

September 10, 2026
EMRI/ Gruaja tre ditë e zhdukur pa gjurmë në Rrogozhinë, familjarët apelojnë për ndihmë!

EMRI/ Gruaja tre ditë e zhdukur pa gjurmë në Rrogozhinë, familjarët apelojnë për ndihmë!

September 10, 2026
“Western” në mes të lokalit në Velipojë, plas ‘kallashi’ dhe pistoleta pas sherrit të dhunshëm! Dy persona nxorën armët dhe… (VIDEO)

“Western” në mes të lokalit në Velipojë, plas ‘kallashi’ dhe pistoleta pas sherrit të dhunshëm! Dy persona nxorën armët dhe… (VIDEO)

September 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com