Rriten tarifat e përmbarimit gjyqësor privat. Shërbimi i shoqërive private të angazhuara në ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë do të jetë më i kripur për qytetarët dhe për bizneset.
Një udhëzim i përbashkët i firmosur nga dy ministrat teknikë, ai i Drejtësisë, Gazmend Bardhi dhe e Financave, Helga Vukaj, ka ndryshuar balancat thuajse nëntëvjeçare të tarifimit të përmbaruesve privatë, shkruan “Panorama”.
Udhëzimi “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqë- sor privat” mban nr. 385/7 dhe aktualisht ka hyrë në fuqi.
Para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, tarifimi i përmbaruesve privatë rregullohej nga një udhëzim i shtatorit 2009. Sipas udhëzimit të ri, skema e tarifave ofron transparencë dhe njëkohësisht eficiencë shërbimi, mbi bazat e kostos dhe përfitueshmërisë së rezultatit të pritshëm.
RRITJA
Në udhëzimin e ri është futur nocioni i tarifës fikse, e cila është është pagesa që arkëton përmbaruesi gjyqësor privat për fillimin e procedurave të ekzekutimit dhe kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale deri në ekzekutimin përfundimtar të titullit ekzekutiv. Duke krahasuar shifrat me udhëzimin e vjetër, udhëzimi i ri i firmosur nga dy ministrat teknikë shënon rritje të tarifës fikse. Për rastet kur titulli ekzekutiv përmban një detyrim monetar si kthim shume ose pagim detyrimi, rezulton një rritje e ndjeshme e tarifës, që përftohet nga ana e shoqërisë përmbaruese.
Kështu, sipas udhëzimit të vjetër, tarifa e subjektit për një vlerë padie nga 500 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ishte 5.8 për qind e shumës. Ndërsa sipas udhëzimit të ri, tarifa përmbarimore për një vlerë padie nga 500 mijë lekë deri në 2 milionë lekë është 10 për qind e shumës. Pra, për vlerën 500 mijë lekë, kemi një rritje të detyrimit nga 5.8 në 10 për qind. Në një tjetër shembull, sipas të njëjtave të dhëna, për një vlerë padie 90 milionë lekë, sipas udhëzimit të vjetër tarifa përmbarimore ishte 2.4 për qind e shumës, ndërsa sipas udhëzimit të ri, 4 për qind e shumës.
KUSH NUK PAGUAN
Në pikën 8 të udhëzimit të firmosur nga ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Financave theksohen kategoritë që përjashtohen nga parapagimi i tarifës fikse të shërbimit përmbarimor privat. Sipas udhëzimit, ata që nuk e paguajnë këtë tarifë janë: personat fizikë që paraqesin për ekzekutim një vendim të marrë gjatë procedimit gjyqësor, ku personi ka qenë plotësisht ose pjesërisht i çliruar nga pagesa për ndihmë juridike ose pagesa e një tarife shtetërore, për shkak të paaftësisë paguese dhe personat fizikë që paraqesin për ekzekutim një vendim të marrë gjatë procedimit penal me të cilin shlyhet një detyrim për kompensim të një dëmi të shkaktuar personit fizik në një vepër penale.
Po ashtu, përjashtohen nga pagesa palët kreditore që paraqesin për ekzekutim një vendim përfundimtar të Gjykatës Administrative, sipas legjislacionit në fuqi, “për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe pala kreditore që paraqet për ekzekutim titullin ekzekutiv të “dënimit me gjobë sipas vendimit për kundërvajtjen administrative”, të nxjerrë në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi “për kundërvajtjet administrative”./a.ç