Opozita e bashkuar ka dorëzuar në presidencë, peticionin e qytetarëve me më shumë se 205 mijë nënshkrime, kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për kufirin me Malin e Zi.
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se deri më tani Presidentja Jahjaga e ka kritikuar kryesisht opozitën për krizën politike, kurse tani e tutje, me mbi 205 mijë nëshkrimet e qytetarëve, presidentja Atifete Jahjaga ka në dorë një argument të fuqishëm për të arsyetuar kundërshtimin e marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin, përballë Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit që i përkrahin ato.
Kurse Pal Lekaj i AAK-së, pohoi se ky peticion nuk është dorëzuar në Presidencë për tu proceduar në Kuvend, por që si unifikuese e vullnetit të popullit, presidentja ta marrë në konsideratë vullnetin e 205 mijë qytetarëve që ajo i përfaqëson.
Ndërkaq Valdete Bajrami nga Nisma, tha se opozita e mirëpret faktin që Kryesia e Kuvendit nuk ka thirrur seancë këtë javë, para 28 nëntorit.