Partia Demokratike vijon ta shohë si të dobishme strategjinë politike të tensionimit të koalicionit qeverisë. Për thuajse një vit të tërë, një aleancë e paqartë, fluide, e padeklaruar mes Ilir Metës të LSI-së dhe PD-së, më saktë segmentit të drejtuar nga Sali Berisha, u përfol në media dhe në politikë, si një realitet sfidues ndaj PS-së dhe Edi Ramës. Gjithçka në kushtet e një presioni në rritje pas çështjeve me ngarkesë korruptive që dolën në sipërfaqe disa herë. Nuk munguan edhe spekullimet për një aleancë të heshtur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që riciklohet së fundmi nga disa zëra afër të djathtës, përmes implikimit që ka emri i George Soros; në filialet e të cilit në Shqipëri përfshihet edhe Rama, por edhe Basha me disa deputetë të PD-së që sot dalin kundër koalicionit me LSI-në. E konfirmuar është se në PD po ndërtohet një qasje politike që synon të përjashtojë një aleancë të re me partinë e Ilir Metës, qasje të cilën nuk e ka pohuar për asnjë moment, drejtuesi i dikurshëm i PD-së, Sali Berisha. Genc Ruli, Astrit Patozi, Edi Paloka, Arben Ristani dhe Lulzim Basha janë shprehur kundër përsëritjes së koalicionit me LSI-në. Sot radha i ka ardhur Majlinda Bregut, që përmes një interviste për “Mapo” ka shprehur të njëjtën gjë.
Nuk është e sigurtë se çfarë qëndron pas këtyre qëndrimeve, çfarë llogarie. Por me siguri mund të identifikohen dy qëndrime: së pari aty nuk ka asgjë parimore. Asgjë. Këta që sot flasin në këtë mënyrë, deri dje ndiheshin shumë mirë me Ilir Metën në bashkëqeverisje.
Së dyti, ky “mur bllokues” për Ilir Metën i heq këtij të fundit marshin e manovrës ndaj aleatit të vet në qeverisje, Edi Ramës, të cilin prej disa kohësh e kërcënon me prishje koalicioni dhe me flirtimet me Berishën. Dhe në këto kushte, duke ditur marrëdhënien e tensionuar mes të dyve, PD-ja po luan një lojë që synon të acarojë më shumë marrëdhëniet. Pasi pa hapësirën e manovrës mes dy poleve, partia e Ilir Metës e humbet rolin e vet.
Ka interes të vihet re edhe se ky qëndrim i përforcuar i PD-së, vjen ndërkohë që diskutimet për reformën në Drejtësi kanë ardhur në një pikë kyçe, kur Byroja Kombëtare e Hetimit po fiton interes negociimi. Një ditë më parë, Meta dha mesazhe pozitive kur u shpreh se “Byroja është në dorë të opozitës”, për të shtuar se “opozita nuk ka draft”. Është e qartë se si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën për të arritur diçka të “moderuar” me reformën në drejtësi. Por sa kjo nevojë përkthehet në koordinim afatgjatë? Kjo mund të merret me mend nga qëndrimet e PS-së dhe kryeministrit, që kërkon me çdo kusht të distancohet sa të mundet nga partneri i vet, që ka mirëkuptimin vetëm të Sali Berishës. Meta dhe Berisha mbajnë njëri-tjetrin në politikë, ndërkohë që sot LSI-ja mban PS-në në pushtet, duke kërkuar të jetë e vetmja shpresë e PD-së për pushtet. Këtu meriton pak vëmendje pretendimi “djathtist” i PD-së që preferon riciklimin e FRD-së dhe Bamir Topit, kundrejt aleancës me Ilir Metën. Është tërësisht amorale një lëvizje e tillë. Të diskutosh sot për LSI-në dhe Ilir Metën, është e kotë. Një parti private e një njeriu që ka dëgjuar çdo gjë për veten, e që nuk kundërshton asnjë konsideratë që është thënë për të. Një fakeqësi për të gjithë, por edhe shëmbëlltyrë e sistemit.
Por po kaq e pahonepsshme është aleanca me FRD-në, partinë e puçistit të 21 janarit, për të cilin çfarë nuk u tha para disa vitesh. Pa harruar se një faktorizim i tanishëm i FRD-së krijon perspektivën e rrezikshme të përsëritjes së precedentit “LSI”. Çfarë do t’i mbetet Bamir Topit për të bërë kur të jetë eventualisht në pushtet me Lulzim Bashën, e kur sistemi është po ai? Asgjë, përveçse të synojë rrugën e ndjekur nga LSI-ja dhe Ilir Meta: të pasurohet sa më shpejt, të krijojë klan dhe grup ekonomik me paratë publike, e përmes tyre. Kjo është shumë e sigurtë, pasi përndryshe, nëse ky ish-president do të kishte realisht atë moral që pretendon, koalicionin me PD-në e tanishme as që do ta merrte në konsideratë. Por siç dihet mirë: gjërat nuk janë ashtu siç duken./Respublica/