Ylli i muzikës italiane, Eros Ramazzotti, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në kordat vokale.
Megjithatë, koha e nevojshme për rikuperim të plotë e ka detyruar kantautorin të marrë vendimin e vështirë për pezullimin e turneut të tij të shumëpritur ndërkombëtar, duke e zhvendosur rikthimin e tij në skenë për vitin 2027.
Përmes një komunikimi me ndjekësit në profilet e tij në rrjetet sociale, Ramazzotti qetësoi fansat për gjendjen e tij shëndetësore, por theksoi se regjimi mjekësor e bën të pamundur vijimin e agjendës muzikore sipas planifikimit.
“Operacioni i kordave vokale shkoi mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet e përzemërsisë dhe afërsisë që më keni dërguar. Megjithatë, mjeku im më ka imponuar një program rehabilitimi që nuk do të më lejojë të jem gati për provat dhe nisjen për datat në SHBA, Kanada dhe Amerikën Latine, për të cilat për fat të keq do të na duhet të presim deri në vitin 2027. Do të takohemi përsëri më të fortë dhe më të bashkuar se më parë. DASHURI,” theksoi artisti në mesazhin e tij.
Pezullimi prek drejtpërdrejt etapat e Amerikës së Veriut dhe asaj Latine në kuadër të “Una Storia Importante World Tour”. Sipas kalendarit zyrtar, turneu ishte planifikuar të niste më 16 tetor në Toronto, për të vijuar me koncerte të mëdha në Boston, New York, Chicago, Miami dhe Los Angeles. Pas Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, agjenda muzikore parashikonte ndalesa të rëndësishme në Amerikën Latine, përkatësisht në Meksikë, Kolumbi, Kili dhe Brazil.
Tashmë, publikut amerikan dhe atij latin do t’u duhet të presin vitin e ardhshëm për të dëgjuar sërish live hitet e pavdekshme të kantautorit italian.











