Një operacion i përbashkët antidrogë midis Italisë, Spanjës dhe Shqipërisë i ka dhënë goditje njërit prej grupeve më të fuqishme të trafikut të drogës.
Gjatë operacionit të ndërmarrë, forcat e policisë italiane kanë sekuestruar një sasi prej 130 kilogramësh kokainë dhe heroinë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe 130 mijë euro.
Sipas të dhënave, janë lëshuar 38 urdhërarreste për pjesëtarët e kësaj bande të fuqishme të drejtuar nga shtetas shqiptarë. 31 prej urdhërarresteve janë lëshuar për shtetas shqiptarë, 5 marokenë dhe 2 tunizianë.
Gjatë një deklaratë të përbashkët për mediat me partnerët italianë, drejtori për sigurinë në Policinë e Shtetit Ardian Çipa deklaroi se 12 prej këtyre personave janë arrestuar në Shqipëri.
Hetimet janë drejtuar nga policia e Milanos në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe ato spanjolle e gjermane.
Ndërkohë, autoritetet e tre vendeve vijojnë hetimet për zbulimin e të tjerë personave të përfshirë./a.m.
Deklarata e plotë e Ardian Çipës:
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me shërbimet policore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe konkretisht Italisë, Gjermanisë dhe Spanjës, prej muajit Shkurt të vitit 2014, është regjistruar dhe ka vazhduar hetimi i përbashkët mbi dokumentimin e aktivitetit kriminal të një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në drejtim të trafikimit e shitjes së narkotikëve, me subjekte shtetas me kombësi të ndryshme si shqiptarë, rumunë, tuniziane dhe marokenë të cilët kryenin aktivitetin kriminal të trafikimit, grumbullimit, mbajtjes, tregtimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.
Aktiviteti kriminal i kësaj organizate zhvillohej kryesisht në zonën veriore të Italisë.
Me qëllim kapjen dhe vënien përpara organeve të drejtësisë të elementëve të kësaj organizate, pas një plani të përbashkët ndërpolicor midis vendeve të lartpërmendura, me datë 24 maj 2016, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të përbashkët në të njëjtën hapësire kohore me partnerët tanë të shërbimeve policore të Italisë, Spanjës, Gjermanisë dhe Marokut.
Specifikisht në Itali janë goditur elementët kriminalë të grupit të strukturuar në qytetet e Monxës, Briancës, Bolonjës, Bolcanos, Breshias, Komos, Xhenovës, Rietit, Torinos, Triestes, Vicencas. Ndërkohë në vendin tone u lokalizuan, u kapën dhe ekzekutuan vendimet e arrestit ndërkombëtar në qytetet Tiranë, Durrës, Gramsh, Elbasan, Fier dhe Kavajë.
Operacioni i përbashkët ndërkombëtar policor eshte koduar “RICCIO” dhe nëpërmjet tij është mundësuar dokumentimi e arrestimi i anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal të përbërë nga shtetas me kombësi të ndryshme të cilët janë përgjegjës për veprimtarinë kriminale të trafikimit, mbajtjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike heroinë dhe kokainë.
Veprimet hetimore ndaj këtij grupi të strukturuar kriminal kanë nisur pas sekuestrimit të 43 kg heroinë më 18 shkurt 2014 nga ana e partnerëve policore Italiane të Milanos.
Suksesi i këtij operacioni është produkt i bashkëpunimit efikas e të ngushtë me shërbimet policore Italiane e në veçanti Karabinierët e Milanos, të cilët nëpërmjet Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane dhe Zyrës Ndërlidhëse Interforcë kanë përcjellë dhe shkëmbyer informacion me Policinë e Shtetit dhe Shërbimet Antidrogë të Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar në total 31 persona prej të cilëve 12 në Shqipëri, 1 në Gjermani dhe një tjetër në Spanjë. Trafikantët subjekt i këtij procedimi penal janë Shqiptare, Marokene, Tuniziane dhe Rumune.
Policia e Shtetit vijon dhe do të vijojë me intensitet punën e saj operativo – gjurmuese dhe hetimore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të goditur fenomenet e trafikimit të drogës në veçanti dhe të të gjitha veprimtarive kriminale në përgjithësi qofshin këto në territorin e vendit tonë apo në territorin e vendeve partnere por që do t’i kërkohet apo sugjerohet në çdo rast bashkëpunim.
Policia e Shtetit gjen rastin që publikisht të falenderojë të gjithë partnerët dhe në veçanti forcat policore të shtetit italian me të cilët ndan përkushtimin në drejtim te goditjes se krimit te organizuar si dhe në shërbim të qytetarëve të të gjithë vendeve për siguri më të madhe dhe në drejtim të sundimit ligjit.
Operacione të tilla si ky, që sapo pasqyruam dhe për të kujtuar vetëm disa:
- Operacioni “RIKARICA 2013”: më 7 korrik 2015
- Operacioni “ÇIBI 2014” më 25 gusht 2015
- Operacioni “ENIGMA 2011” më 28 tetor 2015
- Operacioni “MARTESA” më 1 korrik 2015
- Operacioni “TEMPESTA 2015” më 26 janar 2016
- Operacioni Policor “DEXTER” më 27 prill 2016,
janë dëshmi e një bashkëpunimi operacional që i ka themelet në besimin reciprok dhe në mbështetjen totale të forcave policore partnere me të cilat jemi të rreshtuar në të njëjtin krah në luftë kundër krimit te organizuar ndërkombëtar.
*Video e operacionit policor