Oliver Stone, vigjilenca vs konservatorizmit
Nga Ben Andoni
Konservatorizmi ka ardhur sërish në agjendën politike me krijimin e një formacioni të ri, të quajtur “Djathtas-12”. Termi ideologjik, i cili mbart trashëgiminë e përfaqësuesve potentë ngado në botë, por i paprovuar realisht në terrenin tonë politik, e ka flladitur sërish Shqipërinë. A do mundet këtë herë të shkoj si logjikë politike? Pa e paragjykuar formacionin “D-12”, deri më tani diskutimi për konservatorizmin është shtruar në trajtesa, që nuk i shkojnë fare realitetit tonë. Kjo, mbase duket edhe sfida e këtij formacioni, ndaj të cilit shigjetat e para me helm u mbërritën nga ish-kolegët e tyre të PD-së. I kanë akuzuar si shtojca të Bashës, si bashkëpunim me Ramën, i cili vazhdon i patrazuar agjendën ndërkombëtare, mbase shumë më të pasur se edhe vetë krerët e Departamenteve të Jashtme të BE-së.
Nëse do të ktheheshim në argumentimin tonë, duket se problemi më i madh me konservatorizmin qëndron në aspektin historik, që do shërbente si shtrat për të ngritur modelin e vet shqiptar. Periudha e shkurtër e ekzistencës së jetës politiko-parlamentare para L2B nuk e la mbrujtjen e konservatorizmit, kurse kohëzgjatja e komunizmit e ktheu përpjekjen fëminore ideologjike në zero. Scruton, një nga estetët dhe filozofët që i ka kushtuar vështrime interesante besimit konservator, e lidh të gjithë argumentin me lirinë: “…liria nuk është e mundur pa zakone dhe traditë, por ‘liria individuale [çështjet] nga rendi politik’ dhe, jo anasjelltas”.
Ndërkohë që merremi me teorinë politike dhe përçartjet për demokracinë, institucionet post ’90 po dëmtohen dhe po humbasin atë sensin e krijimit dhe shprehjes të mundësive të lirisë për individin. Goditja e pronave pas Ligjit 7501, nuk e ka ulur deri më sot baticën e problemeve në vend. Pronarë të mbivendosur dhe qindra viktima janë shënjuar në një shtyllat kryesore, ku duhej të mbështetej zhvillimi i vendit. Familja që tashmë po bëhet gjithnjë e më e brishtë përballë shumësisë së ligjeve edhe pse në legjislacion, e kemi si detyrim zbatimin e acqui communitare ose legjislacionit të BE-së. Koncepti i lirisë u keqkuptua, por në rastin tonë ishte subjekt i vazhdueshëm për teprime. Mësimi më i madh ka ardhur nga zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, që megjithëse certifikohen nga institucionet ndërkombëtare nuk njihen asnjëherë nga palët. Për zgjedhjet e fundit, PD-ja ruan një manual të tërë vërejtjesh për shkeljet dhe shtrembërimet, bërë përmes përdorimit të administratës dhe segmenteve të tjera.
Mendjet më elegante që iu kushtuan konservatorizmit, të tillë si Scruton, gjendjen e sotme të saj e lidhin me zhvillimet e të gjithë hapësirave ku ndihet postmodernizmi, ku të parët vetë intelektualë dhe politikanë të njohur e dëmtuan pikërisht prej shmangies së standardeve estetike. Por, ndërsa diskutimet në vendin tonë ende lënë shumë për të dëshiruar, sa i përket konservatorizmit, në botë ato kanë vite që trajtohen dhe prej tyre mundohet të nxirren mësime për shoqërinë e sotme. Studiuesi Edmund Fawcett në artikullin e tij “Conservatism as a political practice” (Konservatorizmi, si një praktikë politike) bën një histori të shkurtër të përballjes ideologjike kur: “Liberalët e konsideruan veten me hapjen e shoqërisë, duke çliruar energji dhe duke i lënë njerëzit të shkojnë. Konservatorët i shihnin liberalët si vetë shpërbërjen e shoqërisë, përhapës të rrëmujës dhe topitjes së njerëzve. Ndërsa Liberalizmi ofroi eksperiment dhe përpjekje, Konservatorizmi premtoi vërtetësi dhe siguri. Pa pasur nevojë të pretendojnë se liberalët shkaktuan modernitetin kapitalist, konservatorët fajësuan liberalët për përqafimin e modernitetit kapitalist. Kjo shpejt u bë për konservatorët një modernitet liberal”, citohet ai. Në këto periudha, kur shtjellon ish gazetari i “The Economist”, Shqipëria ishte e ngulfatur në një ideologji, që mëtohej si komuniste, por që kalonte shpesh logjikën e saj me hibridizimin e frikshëm gati feudal. Prona ishte e suprimuar, familja kishte rrjedhë vetëm moralin tepër të ngurtë socialist, religjioni ishte suprimuar me Kushtetutë…Liria ishte relative…Kurse shtjellat e zhvillimeve ideologjike bëheshin me kritikat dhe karikaturat, të realizuara cilësisht nga propaganda. Këtë shtjellë mundohet ta plotësojë sot një pjesë e të Djathtës, që do të fitojë kohë në këtë tollovi dhe të gjejë një identitet të ri. Çka e lidh sot Konservatorizmin me Partinë Demokratike me mutacionet e vazhdueshme është bërë një aliazh i pakuptueshëm, përmbajtjen e të cilit nuk e dinë edhe vetë më qëndrestarët në këtë parti. Paktet e vazhdueshme të PD-së me PS-në, thjesht për të ruajtur statusquo-n e pushtetit, e kanë shtuar edhe më tej paradoksin e post demokracisë. Konservatorizmi thjesht nëse do të frymohej, e ka këqyrur me qesëndi mënyrën sesi e zënë në gojë politikanët, por asnjëherë s’ka ndjerë qytetari prej tyre. Vigjilenca e dikurshme kundër armikut imagjinar tashmë është zëvendësuar me armikun real, që e kemi para syve dhe pengon lirinë, “një bastion i demokracisë që shohim me vëmendje për kërcënime nga jashtë”, shkruante historiani Snyder dhe vazhdonte më pas me logjikën sipas të cilës “vigjilenca e përjetshme është çmimi që paguajmë për lirinë“. Sak, atë që Konservatorizmi e kërkon si një nga kriteret e para. Për ne, liria është fituar dhe ka kryer punë qysh në agun e viteve ’90, kurse tashmë thjesht duam qeveri të mirë!!! Paraardhësit tanë që votuan në zgjedhjet e para me gogla nuk e dinin se këto do të ishin të fundit demokratike, madje ata për të cilët duhet të votonin si alternativa, do të jepnin shpirt pak muaj më vonë nën tortura. I harruam të persekutuarit post ’90 me disa letra, ku i “ç’dëmtonim”, sikur jeta të merrej dhe të jepej sakaq…Pronat i shkatërruam sërish, ndërsa Shqipërinë e bunkerëve e kthyem në simbolin e padrejtësisë në lirinë e fituar. Këtu konservatorizmi vërtetë ndalet dhe kur dëgjon emrin, që ia përmendin kaq shpesh, ngjallet për të shikuar se çfarë po ndodh. E përmendin ish-komunistët dhe, lloj-lloj njerëzish, tani po kthehet në sfidë para pushtetit të sotëm, që arriti të topiste njerëzit, duke ua hequr “vigjilencën” atë që duhet të mos ua ndanim pushteteve tona që tentojnë të mbeten gjatë në fuqi. Kjo është edhe sfida e sotme më e madhe. “Konservatorët, të cilët filluan si anti-modernë, arritën të zotëronin modernitetin, sepse e Djathta ishte në mënyrën më të qartë konkurrenti më i fortë. Foli për fuqitë e pasurisë dhe pronës, së pari, toka kundër industrisë dhe financave, pastaj për të treja, dhe së shpejti për pronat e vogla si dhe të mëdha”, citohet studiuesi Edmund Faëcett, duke e shtrirë fenomenin në botë.
Ndër përpjekjet e vazhdueshme për liberalizimin, që ishin më shumë se normë ndër politikanët shqiptarë për të ngjallur respekt para Brukselit dhe Uashingtonit, përpjekjet e konservatorizmit janë të nevojshme, për t’u përballur me një realitet që na duhet. Është një gjendje, të cilën regjisori Oliver Stone, një nga njerëzit që e zbuloi më shumë së çdokush demokracinë amerikane e ka thjeshtuar: ”Unë mendoj se përvoja do t’ju mësojë një kombinim të liberalizmit dhe konservatorizmit. Ne duhet të jemi progresiv dhe në të njëjtën kohë duhet të ruajmë vlerat. Ne duhet të mbajmë në të kaluarën ndërsa eksplorojmë të ardhmen”.
Kaq mbase mjafton që detyra e politikanëve të Djathtë është t’i kthejnë Shqipërisë një ide alternative reale për të ardhmen dhe për lirinë. Nuk është e vështirë, ka lidhje thjesht me integritetin, por edhe me provën, që Stone e kërkonte te një rrugë e mesme, ashtu si demokracia e vërtetë e drejton te “vigjilenca” ndaj uzurpuesve të demokracisë. (Homo Albanicus)