Nga Liridona Beqiri*
Që nga perandoritë e lashta e deri te demokracitë bashkëkohore, joshja e pushtetit dhe e pasurisë shpesh i ka shtyrë politikanët t’i japin përparësi përfitimit personal mbi shërbimin publik. Si i tillë, korrupsioni nuk është një fenomen modern, ai ka rrënjë të thella në historinë njerëzore.
Historia e qeverive të njëpasnjëshme dhe e mashtrimeve të tyre në ç’rrënjosjen e këtij fenomeni ka nxitur dhe më shumë debat duke minuar besimin në institucione dhe duke përjetësuar pabarazinë. Në sistemet tona politike, marrëdhëniet e bazuara në patronazh ndër vite krijuan një cikël ku besnikëria politike shpërblehet me favore të ndryshme.
Kjo ka rezultuar në një kulturë ku korrupsioni jo vetëm që tolerohet, por shpesh pritet e ushqehet, duke çuar në një desensibilizim të shoqërisë ndaj sjelljeve joetike. Ndërsa korrupsioni normalizohet dhe sistemi gjyqësor duket i paaftë për ta trajtuar atë, besimi i popullit ka kohë që është gërryer. Qytetarët ndihen të zhgënjyer, duke besuar se raportimi i korrupsionit është i kotë dhe se sistemi është manipuluar në favor të të fuqishmëve.
Duke i’u referuar Raportit vjetor të Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut ku janë drejtuar kritika të shumta për mungesë të rezultateve në disa fusha, në veçanti në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, është e qartë që sistemi politik në vend, në vazhdimësi adopton politika që rezultojnë në masë të madhe oportuniste dhe mercenare. Pra, mirësevini në një perandori të egër dhe të çuditshme të korrupsionit, ku e vetmja gjë më e fryrë se egot e politikanëve të korruptuar është çmimi i një shërbimi që ju garantohet me ligj pa asnjë kosto!! Mirësevini në vendin e drejtësisë së shtrembër, ku vendimet nuk merren në bazë të meritave ligjore, por në bazë të konsideratave politike, ku të fuqishmit shmangin përgjegjësinë, ndërsa të pambrojturit vuajnë.
Jo cuditërisht, politikanët, pa përjashtim e kanë përsosur artin e premtimit të fushatës dhe mediokritetin e vazhdueshëm dhe ushqejnë sagën e qeverive të njëpasnjëshme dhe përpjekjet e tyre jo shumë të suksesshme për të qenë çdo gjë tjetër veçse të korruptuar! Nëse i hedhim një vështrim me zemër të lehtë kësaj përralle shumëvjecare të mashtrimeve politike, do e emëronim si “Lojërat Olimpike të Korrupsionit”. E nëse korrupsioni do të ishte një sport olimpik, do të kishim më shumë medalje ari, ku konkurrentët garojnë për të parë se kush mund të rrëshqasë më shumë para nën tavolinë përpara se të kapen. E fituesi merr një medalje të bukur me shkëlqim të bërë nga paratë e taksapaguesve (popullit)!!
Është kjo po e njejta rutinë ku çdo cikël zgjedhor kemi lideri të ri me elan që premton të pastrojë sistemin, ndërsa zhytet dhe më shumë në të.
Keni rastisur ndonjëherë të shkoni në një godinë qeveritare? Është si të hysh në një labirint të krijuar nga një komitet gjitarësh. Ndërkohë, në çdo institucion ka një derë sekrete të etiketuar “vetëm për miqtë e ministrit-drejtorit”. E nëse e gjeni, urime, keni zhbllokuar shkurtoren për të marrë lejen, licencën apo lëndën tuaj!! Ndërsa dilni nga ato korridore, do shihni fytyra që ngatërrojnë zyret e nëse i pyesni për përshkrim detyre, edhe pse me nga dy tituj akademik, do kërkojnë asistencë për t’ju përgjigjur. Janë nga ato njerëzit e qarqeve të ngushta të politikinëve që institucionet shtetërore i përjetojnë si Agjencione turistike dhe në komshi shkojnë për kafe me vetyra zyrtare.
Ndërsa lundrojmë në rrjetën e ngatërruar të politikës dhe burokracisë, një nënqeshje e tillë pasqyron realitetin e funksionimit të sistemit shtetëror! Do kundërshtojnë ata që do e gjejnë veten në këtë shkrim, por mjafton një bonsens për të kuptuar që nëse do ekzistonte vullneti dhe qeverisja e mirë në këtë shtet, që nga pavarsimi në 20 qeveri rishtas, për 1 vit punë e përkushtim do i ngjanim Zvicrës si shtet!
Mos flasim për dinastitë politike, atë bashkimin familjar ku të gjithë marrin një punë në qeveri, ku roli i vetëm është të siguronjnë që çdo kundërshtim ndaj perandorisë të trajtohet shpejt, gjatë një darke apo mbledhjeje nepotizmi.
I dini vetë që të gjithë aktorët politik, nga gjeneza, si në hije e në fije, i mbani mend si dukeshin e c’farë jete bënin para se të ndjenin aromën e qeverisjes, ato që i trajtojnë postet publike si një gjueti thesari, ato që tani bëjnë jetën e luksit ekstravagant (pavarësisht se ende nuk dijnë shkrim-lexim si duhet), ata që nxjerrin në pah makinat e tyre të shtrenjta dhe pushimet luksoze, ndërsa i thonë popullit të shtrëngojë rripat dhe vazhdojnë thirren në moral dhe kërkojnë vota, ata që shkëlqimin e pasqeverisjes e kamuflojnë me nacionalizëm shterp, ata që largohen nga zyra me një buzëqeshje që thotë: “misioni u krye” me një llogari bankare jotransparente që duket si një fitim llotarie. Është ky lloj i “The political gold rush” si ambicie më të madhe që kanë pasur politikanët që ka kalitur kjo arenë politike që nga formimi i shtetit.
Po kur ekspozohet korrupsioni, cila është përgjigja e duhur? Një komision hetimor, sigurisht. E këtu do shihni planin klasik të arratisjes, pikërisht kur ky alarm është ndezur, politikanët zakonisht deklarojnë tërheqjen, gjithmonë me arsyen: “Po jap dorëheqjen për të kaluar më shumë kohë me familjen ” që përkthehet në ikje e një fëmije që kapet duke vjedhur biskota!
Po ku përfundon llogaridhënia e përgjegjësisë fiskale? Ku fillon e përfundon sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës? Kur bëhet fjalë për buxhetin dhe llogaridhënien dhe gjyqësorit, qeveritë e njëpasnjëshme duket se luajnë një lojë të quajtur “fsheh dhe kërko” dhe në fund ajo që gjejnë është vetëm vetja e tyre në mes një deti privilegjesh.
Në botën e kujdesit shëndetësor të korruptuar, e dini që të gjithë stërvitjen tarifore, sistem shëndëtësor që s’ka të bëjë fare me shërimin por vetëm me formën e trajtimit të padukshëm i kthyer në biznes , e gjitha kjo një komplot i një shfaqjeje të errët komedie që shohin pacientët. Nga praktikat më të larta të faturimit deri te mjekimet që mungojnë në mënyrë misterioze, korrupsioni në kujdesin shëndetësor thekson dukshëm se sa larg mund të shkojnë disa për të shfrytëzuar njerëzit e cenueshëm!
Format e personalizuara të të qeverisurit e bëjnë ligjin aristrokatik dhe tiranik, duke pasur parasysh interesat e ndryshme personale dhe këto ligje përbëjnë atë që quhet drejtësi, të cilën u’a japin subjekteve të tyre, dhe ai që i shkel ato, e dënojnë si thyes të ligjit, si të padrejtë.
Sundimi i ligjit është gurthemeli i çdo shoqërie demokratike, duke ofruar kuadrin për drejtësinë, llogaridhënien dhe mbrojtjen e të drejtave individuale. Ai siguron që ligjet të zbatohen në mënyrë uniforme, pa paragjykime dhe që të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre, të mbajnë përgjegjësi për të njëjtat standarde ligjore. Megjithatë, kur korrupsioni depërton në këtë sistem, ai minon vetë parimet që shteti i së drejtës synon të mbështesë.
Marrëdhënia e qëndrueshme midis korrupsionit dhe një sistemi gjyqësor joefikas paraqet sfida të rëndësishme për përparimin shoqëror. Një sistem gjyqësor joefikas që nuk arrin t’i mbajë përgjegjës keqbërësit padyshim është i përbërë nga gjyqtarë që emërohen në bazë të besnikërisë dhe jo të meritës, thënë ndryshe-ushtarë partiak. Kjo aleancë jo vetëm që gërryen besimin e publikut, por gjithashtu përjetëson një kulturë të pandëshkueshmërisë ku drejtësia bëhet një mjet i pushtetit politik dhe jo një shtyllë e shoqërisë.
Marrëdhënia midis gjyqtarëve të korruptuar dhe një sistemi politik të kompromentuar krijon një peizazh të rrezikshëm për demokracinë dhe drejtësinë. Kur gjyqësori, i cili synon të mbështesë sundimin e ligjit, ndërthuret me axhendat politike, vetë themelet e qeverisjes fillojnë të tunden, e ne si shtet në këtë drejtim, mezi po na mbajnë këmbët.
Forcimi i pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor. Kjo përfshin procese transparente të emërimeve, mekanizma mbikëqyrës dhe mbrojtje kundër ndërhyrjeve politike. Një sistem politik i karakterizuar nga institucione të dobëta lejon që korrupsioni të lulëzojë. Pa një kornizë të fortë për të zbatuar ligjet dhe për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, praktikat korruptive normalizohen dhe kjo përkeqëson pabarazitë sociale dhe përjetëson ciklet e varfërisë dhe heqjes së të drejtës.
Aftësia e politikanëve të korruptuar për t’iu shmangur llogaridhënies mund të jetë indinjuese. Qoftë nëse po zhduken apo po rishfaqen me një plan të ri, kjo është e gjitha pjesë e cirkut absurd të politikës. E jona është të qëndrojmë vigjilentë dhe të kërkojmë llogari!
Ngaqë tani edhe perspektiva e hyrjes së Maqedonisë së Veriut në BE sa vjen e mjegullohet, ajo që ngelet e njejtë është vetëm mishërimi i dëshirës lakuriq për pushtet!
*Ditar i një shqiptareje nga Maqedonia e Veriut