Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e përkushtuar në luftën kundër SIDA-s, bëri të ditur se ka arritur të frenojë përhapjen e sëmundjes dhe mendon se brenda vitit 2030, epidemia do të ketë marrë fund, e gjitha kjo për shkak të ilaçeve moderne që janë prodhuar nga mjeksia ndërkombëtare në 15 vitet e fundit.
Beteja e programit UNAIDS tani do të përqendrohet në realizimin e shpërndarjes së medikamenteve dhe shërbimeve efiçente, trajtimeve dhe mbështetjes edhe në ato zona të globit ku për momentin është e pamundur, pasi pavarësisht përmirësimeve të dukshme, në botë ka ende 37 milionë njerëz të sëmurë që nuk i nënshtrohet dot kurave.
Në këtë drejtim është bërë majftueshëm punë e mirë pasi numri i personave që kanë akes në trajtimin e specializuar është rritur nga 700 000 në vitin 2000, në 15 milionë këtë vit.
Sipas statistikave të organizatës, 62% e personave që jetojnë normalisht pavarësisht se janë mbartës të virusit HIV janë femra, ndërsa 73% e femrave shtatzëna mbartëse të virusit kanë akses në mjekimet më moderne që lejojnë fëmijën e ardhshëm të lindë i shëndetshëm.
Investimet e organizatave dhe shteteve të ndryshme për të luftuar sëmundjen më vdekjeprurëse të shekullit XX janë rritur në 22 miliardë dollarë në vitin 2015, një shtesë e konsiderueshme krahasuar me vetëm 5 miliardë dollarë 15 vjet më parë, duke ndihmuar në një prej betejave më të forta të njerëzimit.